Nëntor 10, 2018 | Saturday
Kogjenerimi dhe benefitet e tij në praktikën ideale për ngrohje për qytetarët e Prishtinës u diskutuan me 7 nëntor në EUICC në Prishtinë, në panelin e diskutimit ‘Kogjenerimi dhe Energjia Efiçiente”.
Diskutimi zuri vend në kuadër të Fushatës për Mjedis e cila organizohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe po implementohet nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian – EUICC.
Libor Chlad, Zëvendës Shef i Sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, përmendi rëndësinë e projektit të kogjenerimit, nga i cili së paku 12.000 familje në Prishtinë kanë përfituar dhe në këtë mënyrë kanë kontribuuar në zvogëlimin e ajrit të ndotur. Chlad tha se Bashkimi Evropian vazhdimisht ka përkrahur projektin e kogjenerimit, dhe në përgjithësi mjedisin në Kosovë, procesin e ngrohjes, fushën e ajrit të pastër, furnizimit me energji, dhe projektet tjera në fushën e mjedisit në Kosovë.
“Duhet të lëvizim nga fjalët në veprim. Po kërkojmë mënyra që të shtojmë 20 milion euro në këtë projekt, bashkë me Termokosin” tregoi Chlad.
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, tregoi se ekspozimi në ajrin e ndotur ka edhe pasoja në shëndetin e qytetarit, marrë parasysh se në këtë kohë dimri rritet numri i të sëmurëve me sëmundje respiratore. Ai tha se nëse ekziston një projekt për të cilin ai është shumë krenar dhe i cili ka prekur shumë njerëz, është pikërisht kogjenerimi.
Luigj Imeri nga TC ‘Kosova B’ tregoi se projekti i kogjenerimit është mbështetur në të gjitha kapacitetet e tij por mund të përdoret edhe në forma tjera. Ai përmendi edhe ngrohjen e ujit gjatë verës. Sipas tij, nëse puna vazhdon kështu, deri në vitin 2021/2022 Kosova do të ketë një ajër tjetër dhe jo ajër të ndotur e shqetësues sikur këto ditë.
Panelistët tjerë në diskutim ishin Rene Eschemann – drejtues i KfW në Kosovë dhe Naser Canolli nga Termokosi. Diskutimi u moderua nga Fatmire Terdevci, Zyrtare për komunikim dhe informim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Projekti i kogjenerimit ka bërë të mundur që Prishtina të ketë ngrohje të përshtatshme dhe të duhur për mbrojtjen e mjedisit dhe ambientit. Më shumë se 37 milion euro janë alokuar për projektin e kogjenerimit në Kosovë, prej të cilave 13 milion vijnë nga Komisioni Evropian.