Nëntor 22, 2018 | Thursday
Fjala e ambasadores Apostolova në takimin me kryetarët e komunave të Kosovës të organizuar si pjesë e fushatës për mjedisin
Të nderuar Kryetarë komunash, zonja dhe zotërinj,
Dua të ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur këtu me këtë rast të veçantë. Jam e lumtur që jam së bashku me të gjithë ju, përfaqësues të komunave të ndryshme.
Pra, le të përdorim këtë mundësi të veçantë dhe të diskutojmë për mjedisin në Kosovë, dhe si ta përmirësojmë atë.
Sot, BE është një nga prijësit kryesorë të botës në përmirësimin e mjedisit. Gjatë viteve ka investuar tashmë qindra miliona për të arritur këto përmirësime, edhe në Kosovë.
BE ka rregulla dhe ligje të avancuara mjedisore, të cilat implementohen dhe zbatohen. Ju ftojmë të mendoni për përmirësimet që mund të bëni në këtë drejtim. Jo vetëm sepse sektori i mjedisit është një nga sektorët kryesorë për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, por kryesisht për të përmirësuar standardet e jetesës së popullit në Kosovë.
Një nga çështjet kryesore është se njerëzit në Kosovë duhet të jenë të vetëdijshëm për problemet mjedisore që kemi aktualisht në tokë, si dhe në Kosovë. Sfidat mjedisore me të cilat ballafaqohemi sot nuk janë vetëm problem i Kosovës. Është një Problem Global dhe duhet të adresohet si i tillë. Ne kemi nevojë për një qasje të integruar dhe kolektive, ku akterë të ndryshëm marrin përgjegjësi dhe pronësi.
Le të ballafaqohemi me të. Kosova duhet të ndërmarrë shumë hapa për të përmirësuar mjedisin. Kosova ende përballet me sfida domethënëse në lidhje me ndotjen e ajrit, ndotjen e ujit, efiçiencën e energjisë dhe menaxhimin e mbeturinave.
Gjendja aktuale e menaxhimit të mbeturinave paraqet kërcënim serioz për shëndetin publik dhe mjedisin. Kosova ende ka shumë hapësirë për përmirësim, në lidhje me mbledhjen, ndarjen, riciklimin, sistemet e trajtimit dhe infrastrukturën e menaxhimit të mbeturinave.
Njerëzit nga komunate juaja në jetën e përditshme janë të prekur nga kjo ndotje. Liqenet dhe pyjet e bukura janë të ndotura me mbeturina; fëmijët shkollor nuk kanë mundësi të luajnë jashtë për shkak të ajrit të ndotur. Mendoni se çfarë efekti një qasje e integruar në tërë Kosovën do të ketë në jetën e tyre, të njerëzve dhe të rinjëve të Kosovës.
BE ka zhvilluar një strategji për të trajtuar sfidat mjedisore hap pas hapi. Me konceptin që së pari të reduktohet prodhimi i mbeturinave, pastaj të ripërdoren produktet dhe në fund të riciklohen produktet, Kosova mund të bëjë përmirësime të rëndësishme. Prapë se prapë, ju ftoj të mendoni për zgjidhje që kanë të bëjnë me këto tre elemente.
Megjithatë, BE-ja nuk është në Kosovë për të marrë përsipër përgjegjësitë e institucioneve të Kosovës. Ju jeni ata që duhet të merrni përgjegjësinë për të përmirësuar mjedisin në Kosovë. Ju jeni ata që duhet të merrni pronësinë për problemet mjedisore dhe për jetët e njerëzve të Kosovës.
Sot Kosova po harton gjithnjë e më shumë legjislacion mjedisor. Hapi tjetër është implementimi i tij. Pastaj, hapi tjetër do të jetë zbatimi i tyre. Jo vetëm nga qeveria qendrore, por edhe nga komunat, së bashku me zbatimin e ligjit. Zbatoni të drejtat që njerëzit kanë për një jetë të shëndetshme dhe mjedis të pastër.
Përfshini shoqërinë civile në procesin e përmirësimeve mjedisore. Së bashku mund të plotësoni njëri-tjetrin. Punoni bashk për të gjetur zgjidhje efikase me ndikim pozitiv në cilësinë e jetës në komunitete.
Vetëm atëherë, BE-ja mund t’ju ndihmojë në mënyrë efektive me sfidat që hasni në lidhje me mjedisin dhe menaxhimin e mbeturinave. Diçka që BE tashmë e ka bërë gjatë viteve të fundit. BE ka ndarë tashmë 10 milionë euro (IPA 2018) dhe ka planifikuar të investojë edhe 10 milionë euro tjera (IPA 2019) për të mbështetur menaxhimin e mbeturinave në Kosovë.
Për vitet e ardhshme, po përgatisim më shumë projekte për menaxhimin e mbeturinave, me qëllim që të shmanget ndotja e lumenjve, liqeneve dhe fushave në Kosovë. Kjo përfshin ndërtimin e një deponie të re në Pejë dhe mbylljen e shumë vend-hedhjeve ilegale. Gjëja më e rëndësishme është që të gjitha komunat do të përfitojnë nga këto veprime.
Financimi i BE-së do të përdoret për të mbështetur komunat në përmirësimin e grumbullimit të mbeturinave, praktikat e asgjësimit dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese.
Praktikat e sotme në vendet anëtare të BE-së për trajtimin e mbeturinave ofrojnë shumë zgjedhje dhe modele për Qeverinë e Kosovës për të zgjedhur dhe implementuar.
Filloni të zhvilloni një ekonomi qarkore, e cila është alternativë ndaj një ekonomie tradicionale lineare (prodhimi, përdorimi, shkatërrimi) në të cilën i mbajmë burimet në përdorim për sa kohë që të jetë e mundur, nxjerrim vlerën maksimale prej tyre derisa i përdorim, pastaj rimëkëmbim dhe rigjenerojmë produktet dhe materiale në fund të kohëzgjatjes së shërbimit. Ideja kryesore është që të përdoren produktet në mënyrën më të qëndrueshme të mundur. Njerëzit dhe qeveria do të marrin përgjegjësi gjatë gjithë ciklit të një produkti. Ndotësi paguan.
Më e rëndësishmja, qytetarët e Kosovës duhet të vetëdijësohen se mbeturinat kanë vlerë dhe duhet të trajtohen si të tilla. Tregoni gjërat që mund t’i bëjnë. Ka të bëjë edhe me ndryshimet e vogla në jetën e tyre.
Ata mund të fillojnë të bëjnë ndarjen e mbeturinave në shtëpi, gjë që do të krijojë mundësi për ripërdorim dhe riciklim të mbeturinave. Për shembull, sot në BE mbi 50% e mbeturinave riciklohet. Kosova duhet t’i afrohet kësaj përqindjeje.
BE-ja është në Kosovë për t’ju ndihmuar që të përmirësoni mjedisin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Por vetëm me një qasje të integruar mund të merren masa efektive. Vetëm me ndërgjegjësimin e qytetarëve mund të bëhen ndryshime reale. Vetëm me përkushtimin e juve, qeverisë së Kosovës, do të bëhen përmirësime domethënëse.
Për këtë arsye ju ftoj që të ndani idetë tuaja për përmirësimin e mjedisit dhe menaxhimit të mbeturinave në Kosovë.