Dhjetor 6, 2018 | Thursday
Në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian, fillimi i dhjetorit erdhi me fokusin në gratë e suksesshme në artin dhe kulturën e Kosovës.
Me datë 3,4 dhe 5 dhjetor, ngjarje të ndryshme sollën në fokus gratë kosovare të cilat janë lidere dhe drejtoresha të festivaleve të teatrit, filmit, muzikës por edhe kanë fronin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, gra piktore dhe regjisore të cilat po i japin më shumë zë gruas kosovare në përgjithësi.
Bashkimi Evropian kësisoj po e tregon prapë se ndihma për artin dhe kulturën në Kosovë është një ndër prioritetet e saj dhe do të jetë, si e tillë, e vazhdueshme.
Pas datës 3 dhjetor kur u hap ekspozita “Klithma e heshtjes së gruas”, me datë 4 dhjetor në EUICC në Prishtinë u shfaq filmi “Ajo” me regji nga More Raça.
Pas shfaqjes së filmit, Vjosa Berisha – kryesuese e ekipit në EUICC foli para të pranishmëve me regjisoren Raça dhe me aktorët Aurita Agushi dhe Florist Bajgora.
Raça gjatë diskutimit tregoi se si regjisore ndihet e obliguar që me anë të artit të saj të pasqyrojë problemet e grave në Kosovë dhe se filmat e saj gjithmonë trajtojnë një problematikë që ka të bëjë me gruan. Filmi “Ajo” flet për dhunën në familje, ndërsa në një fund të lumtur vajza ndihmon nënën e saj të largohet nga dhuna e burrit të shtëpisë.
Një ditë më vonë, gjashtë paneliste gra u bashkuan në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së për të folur rreth ndikimit që ato kanë në diplomacinë kulturore.
Shumica prej panelisteve dhe festivalet që ato organizojnë kanë qenë jo pak herë përfituese të granteve që Bashkimi Evropian i jep për kulturën dhe artin në Kosovë. 2.5 milionë euro janë dhënë për artin dhe kulturën nga Bashkimi Evropian në Kosovë, që nga viti 2010.
Nita Deda – Dokufest, Vjosa Berisha – PriFest, Besa Luzha – Chopin Piano Fest, Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës, Zana Hoxha Krasniqi nga FemArt dhe Donika Rudi nga ReMusica folën para audiencës rreth sfidave në të cilat ato kalojnë duke qenë gra të suksesshme dhe kryesuese të festivaleve që kanë një rëndësi të veçantë në jetën kulturore në Kosovë.
Vjosa Berisha tregoi se si diplomacia kulturore ndodhë gjatë tërë vitit dhe jo vetëm në ditët kur mbahet një festival, pasi si drejtoreshë ajo dhe të tjerat jo vetëm që presin aplikime por edhe duhet të kërkojnë filma të mirë dhe të lobojnë nëpër festivale të ndryshme drejt një selektimi më të mirë filmik. Besa Luzha, në anën tjetër, tregoi se gjithmonë duhet kujtuar që këto gra janë ambasadore të artit dhe kulturës në botë dhe prandaj ka nevojë për më shumë mbështetje për to.
Zana Hoxha Krasniqi tha se është e nevojshme që të njihet më shumë kontributi i këtyre grave në art dhe kulturë ndërsa e përmendi faktin se shpesh si femër dhe grua ajo është ndjerë e diskriminuar dhe më pak e vlerësuar edhe financiarisht në projektet e saj artistike.
Programi i fundit ‘Culture for Change’ i Bashkimit Evropian para pak muajsh ndau 230.000 euro për organizatat e ndryshme dhe nismat artistike që do të ndihmojnë edhe komunitetin rreth tyre.