Dhjetor 12, 2018 | Wednesday

“Kafja e Gjelbër për Mjedisin” shënon fundin e Fushatës për Mjedis në Kosovë

Ngjarja përfundimtare e Fushatës për Mjedisin #JepiMundësiGjelbërimit në Kosovë ishte ‘Kafja e Gjelbër për Mjedisin’

Kësisoj, për të shënuar fundin e një Fushate mjaft të suksesshme dhe aktive e cila nisi në shtatorin e vitit 2018-të në Kosovë, organizuar nga Zyra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Kosovë, me datë 6 dhjetor u organizua një diskutim në mes të Riccardo Serri – Kryesues i Sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrim Evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësuesve të tjerë nga Bashkimit Evropian, organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve dhe studentëve, në ambientet e Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian – EUICC në Prishtinë.

45477338864_1a4d933a59_b

Diskutimi u fokusua në hapat e ardhshëm dhe rekomandimet se si duhet mobilizuar qytetaria aktive në Kosovë kur vjen puna tek mbrojtja e mjedisit dhe ambientit.

Riccardo Serri tregoi se fundi i kësaj Fushate për Mjedis në Kosovë vetëm sa e risjellë rëndësinë e mjedisit në jetën e secilit qytetar.

45477339004_bf6b9c1ae7_b

“Ky është momenti final i kësaj Fushate, një tentim tjetër për të luftuar në kauzën e mjedisit. E kemi nisur misionin tonë me arsimimin, në fillimin e vitit 2018-të, dhe tash kemi një Fushatë për Mjedisin. Kjo Fushatë ka qenë vetëm vazhdimësi e angazhimit tonë në fushën e mjedisit” tha Serri gjatë këtij diskutimit frytdhënës.

Miran Vatovec nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tregoi se ka negociata dhe bisedime të frytshme me organizatat e ndryshme në Kosovë për të përmirësuar gjendjen e mjedisit. Megjithatë, sipas tij, fuqinë për të bërë ndryshime më të mëdha e kanë pikërisht këto organizata që punojnë në Kosovë dhe e njohin gjendjen më mirë dhe më nga afër.

Me anë të këtij diskutimi, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë pranoi edhe rekomandime substanciale për të vazhduar angazhimin e fuqishëm në fushën e mjedisit.

45477338244_827d3c1d57_b

Gazmend Selimi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë pohoi se Bashkimi Evropian mbetet donatori më i madh në Kosovë kur flitet për mjedisin, duke krijuar projekte por duke ndihmuar edhe në infrastrukturën institucionale. Uji i pijshëm, sistemi i mbeturinave dhe sistemi energjetik janë vetëm disa prej komponenteve ky BE ka kontribuuar sistematikisht.

Lum Zhaveli, një notar i shkëlqyer dhe një prej katër kampionëve të Fushatës për Mjedis, gjatë diskutimit tregoi se ai e merr vullnetarizmin shumë për zemër dhe se të qenit pjesë e kësaj Fushate për të ishte privilegj dhe mundësi për të ndihmuar në fushën e mbrojtjes së ambientit.

“Ne jemi njerëz me zemër të mirë por na mungon kultura e vullnetarizmit, e unë mendoj se ajo duhet të jetë më e pranishme në jetën tonë. Kauza e kësaj Fushate është shumë humane, sepse unë mendoj se mjedisi luan rol shumë të rëndësishëm dhe primar në jetën e secilit” tregon Zhaveli.

Learta Hollaj nga INDEP – Instituti për Politika Zhvillimore, përmendi faktin se para pesë vitesh njerëzit kishin skepticizmin e tyre mbi energjinë efiçiente ndërsa sot janë krijuar ligje dhe po planifikohet edhe një Fond për Energjinë Efiçiente, pra gjërat kanë ecur tutje dhe kanë përparuar.

45477340614_b251e19e8b_b

Gjatë diskutimit folën edhe Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation, pulmologu Skender Baca dhe Fatos Lajqi nga ERA – Environmental Responsible Action.

Fushata për Mjedisin u implementua nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian, me panele diskutimi, me aktivitete në rrugë, me gara të ndryshme dhe me mundësi përfitimi nga organizatat e fushës. Katër komponentet ku kjo Fushatë u fokusua ishin uji i pastër, ajri i pastër, menaxhimi i mbeturinave dhe energjia efiçiente.