Shkurt 1, 2019 | Friday

Diskutim në panel: Rëndësia e punës vullnetare si një vlerë shoqërore

Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë vendosi që ngjarjet e muajit shkurt t’i fillojë duke u fokusuar në vullnetarizmin dhe përfitimet që sjellë vullnetarizmi në kohërat në të cilat po jetojmë.

Katër panelistë u ftuan të marrin pjesë në panelin e diskutimit “Rëndësia e punës vullnetare si një vlerë shoqërore”, ku u shpalosën shembuj të mirë të vullnetarizmit në Kosovë dhe në shtetet e Bashkimit Evropian.

Pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga viti i kaluar e njeh punën vullnetare si punë legjitime, puna vullnetare në Kosovë tanimë njihet dhe çmohet më shumë.

IMG_0314

Kjo nënkupton një hap të rëndësishëm në fuqizimin e rinisë në Kosovë, dhe është një stimulim për të ndryshuar sjelljet e qytetarëve dhe të rinjve drejt përmirësimit në shoqëri.

Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i tregoi audiencës së pranishme që ekziston edhe një databazë e cila u themelua vitin e kaluar dhe e cila funksionon në atë mënyrë që numërohet dhe dokumentohet puna vullnetare e të rinjve, në mënyrë që të krijohet një kulturë e punës vullnetare në mes të të rinjve në Kosovë.

Gernot Pfandler – Ambasador i Austrisë në Kosovë, tregoi gjatë panelit se në Austri gjendja e angazhimit me punë vullnetare është e kënaqshme. Në Austri, 46 përqind e të rinjve në moshën 15-25 vjeç angazhohen vullnetarisht ndërsa mesatarja e kohës së kaluar në punë vullnetare është 30-40 ditë në vit.

IMG_0313

Sipas një studimi të vitit 2012-të, arsyet pse në Kosovë qytetarët angazhohen në punë vullnetare janë a) dedikimi ndaj të tjerëve, b) tradita familjare dhe c) nevoja për tu ndjerë më aktiv.

Eliza Hoxha, aktiviste dhe avokuese për punën vullnetare, tregoi se ajo është rritur në një familje ku ka qenë gjithmonë traditë puna vullnetare – ‘sepse gjithmonë ka diqka për të bërë’, prandaj edhe ajo nisi të angazhohej qysh herët në aktivitete vullnetare. Sipas saj, ka qenë gjithmonë traditë e familjeve shqiptare në Kosovë që të ndihmojnë të tjerët dhe të angazhohen për grupet e ndryshme të shoqërisë. Ajo thotë se është plotësuar shpirtërisht dhe emocionalisht kur ka pasur mundësi të ndihmojë dikë, pa kompenzim financiar.

IMG_0296

Miradin Bajri, kordinator në Diakonie Kosova, ka uruar për krijimin e ligjeve dhe iniciativave që janë marrë në Kosovë vitet e fundit, sepse sipas tij këto kanë bërë që Kosova të jetë shembull në rajon në promovimin e vullnetarizmit. Bajri tregoi se vullnetarizmi në Kosovë është shndërruar në një komponentë prekëse edhe nga të rinjtë.

Ka disa mundësi për të rinjtë e Kosovës që të mund të bëjnë punë vullnetare, edhe jashtë Kosovës, përfshirë këtu territorin e Bashkimit Evropian.