Shkurt 28, 2019 | Thursday

‘EU Gender Talks’ flet për gruan dhe mediat në Kosovë

Ngjarja e dytë në kuadër të ‘EU Gender Talks’ u mbajt me 27 shkurt në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian.

“Gratë në Media” ishte tema e dytë e cila u diskutua në këtë ngjarje.

Annete Fath-Lihic nga Zyra e Bashkimit Evropian e hapi diskutimin duke prezantuar të gjitha gratë gazetare dhe profesioniste të fushës së gazetarisë të cilat u bashkuan në këtë diskutim.

47227502241_d757cba644_b

“Në Kosovë, sikur edhe në shtetet tjera të botës, mediat janë agjentë të cilët mund të iniciojnë ndryshime në shoqëri por edhe të formojnë ide dhe mendime. Shpesh media mund të bëjë që pabarazitë në shoqëri të jenë të pranueshme. Për ta ndaluar këtë, media në Kosovë duhet të ndihmojë në avancimin e gruas, duhet t’i paraqesë gratë si lidere dhe rol modele, duke i braktisur stereotipet mbi to” tregoi mes tjerash Fath-Lihic në fjalën e hapjes.

Jeta Xharra nga BIRN – Balkan Investigative Reporting Network, tregoi se gratë në Kosovë nuk janë keq të përfaqësuara në fusha si sporti, arti, kultura, gazetaria.

32285342177_ef90b75121_b

“Të jem e sinqertë, jam e lumtur që nuk ka shumë gra sot në politikë në Kosovë. Jam e turpëruar prej politikës sot, prej procesit të dialogut. Në këtë konstelacion, gratë do të ishin vetëm një numër, një fotografi më shumë, dhe nuk do të merrej seriozisht fjala e tyre. Jam e lumtur që gratë sot janë në ato fusha ku po ndodhë ndryshimi” tregoi Jeta Xharra.

Besa Luci nga media e pavarur Kosovo 2.0 përmendi faktin se kur bëhet fjalë për median, shumë lajme që i lexon dhe që kanë të bëjnë me gruan zakonisht janë nga fusha e shoëbizit, kur gruaja lidhet patjeter me simbolin e një burri, apo kur gratë mblidhen bashkë të flasin për çështjet e grave.

Në këtë tryezë morrën fjalën edhe të tjera gazetare, redaktore e kryeredaktore të mediave në Kosovë, si Antigona Baxhaku nga TV21, apo edhe Majlinda Lulaj Sinani nga Ombudspersoni.

47227501961_6b688d0f8f_b

Reyes Charle Cuellar, Këshilltare për Gjini në Zyrën e Bashkimit Evropian, përmendi faktin se gratë politikane kanë nevoje për trajnime, për para dhe për posterë që do ti përfaqësonin ato denjësisht në public, dhe kjo është një çështje tjetër problematike në aspektin e gruas dhe përfaqësimit të saj në mediume gazetareske.

‘EU Gender Talks’ ndodhë çdo muaj me tema të ndryshme që lidhen me gratë, si gruaja në sport, gruaja dhe përfaqësimi politik, gruaja në biznes etj.