Qershor 28, 2015 | Sunday
Zyra e BE-së në Kosovë dhe Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së iu bashkuan aktiviteteve të organizuara nëpër vendet e BE-së për rritjen e vetëdijësimit për çështjet e ndryshimeve klimatike.
Nxënësit e klubeve të gjelbra prezantuan punën e tyre në fushën e mjedisit përmes videove të shkurtra, fotografive ose prezantimeve në power point. Ata theksuan veprimet pozitive që po ndërmerren në shkollat e tyre për të promovuar nevojën për mbrojtjen e ambientit, si për shembull riciklimi i mbeturinave, pastrimi i oborrit të shkollës, mbledhja e hedhurinave nga rruga, fikja e dritave në klasa kur përfundon mësimi etj. Zyra e BE-së dhe EUICC kanë shpërndarë disa materiale të BE-së që janë miqësore ndaj ambientit për nxënësit e shkollës, përfshirë shporta për hedhurina për pesë shkollat pjesëmarrëse.
Me rastin e Ditës Evropiane të Diplomacisë Klimatike, ushtruesi i detyrës së shefit të zyrës së BE-së, Thomas Gnocchi, tha: “BE-ja konsideron mbrojtjen e ambientit dhe ndryshimet klimatike si çështje shumë të rëndësishme. Këtu në Kosovë, BE-ja është e angazhuar në mënyrë aktive në një numër aktivitetesh që adresojnë sfidat e ndryshimeve klimatike. Në këtë kontekst, BE-ja po ofron mbështetje të konsiderueshme në dekomisionimin e termocentralit Kosova A, i cili ka vlerë prej mbi 60 milionë Eurosh”, tha Gnocchi para klubeve të gjelbra të pesë shkollave fillore nga Prishtina dhe Obiliqi.
“Rreth 17 milionë € nga fondet e BE-së janë shpenzuar për implementimin e masave për efikasitetin e energjisë në ndërtesat publike, në komuna të ndryshme të Kosovës. BE-ja ka bashkë-financuar me 14 milionë € implementimin e projektit të ko-gjenerimit, i cili lidh rrjetin e ngrohtores së Prishtinës me energjinë nga termocentrali Kosova B, ashtu që mazuti të mos përdoret më për ngrohje”, shtoi Gnocchi.
Në vazhdimësi të shënimit të Ditës Evropiane të Diplomacisë Klimatike, EUICC në bashkëpunim me ambasadën franceze dhe Zyrën e BE-së prezantuan në mbrëmje dokumentarin francez ”Mendo globalisht, vepro lokalisht” nga regjisorja franceze Coline Serreau, i cili trajton problemet globale të mbrojtjes së mjedisit dhe ushqimit, dhe i cili ofron zgjidhje reale për mbrojtjen e shëndetit tonë dhe të ardhmes së planetit.
“Ky film thekson përpjekjet që bëhen nga protagonistët e filmit për të iniciuar ndryshime dhe për të provuar alternativa të reja. Ai është një thirrje për ne që të jemi agjent pozitiv të ndryshimit, të transformojmë mënyrën tonë të jetesës, të shpenzojmë në mënyrë më të arsyeshme dhe të kursejmë energjinë. Shoqëria kosovare, sikurse edhe të gjitha vendet e tjera në botë, ka nevojë urgjente që të marrë vendime të duhura dhe të gjejë zgjidhjet më të mira për të krijuar një mjedis më të shëndoshë për gjeneratat e ardhshme”, tha ambasadorja franceze në Kosovë, znj. Maryse Daviet.
Të dyja këto ngjarje u mbajtën para Samitit të Parisit për Ndryshimet Klimatike 2015 dhe si pjesë e fushatës së EUICC-së për mjedisin dhe shëndetin.