Maj 28, 2015 | Thursday
Një seri aktivitetesh të ndryshme kulturore u organizuan me rastin e Ditës së Evropës nga Zyra e BE-së, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës dhe komuna e Prishtinës.
Salla e Teatrit Kombëtar ka qenë e mbushur plot gjatë performancës së kitaristit kosovar/kroat me famë botërore Petrit Çeku, organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së.
EUICC në veri të Mitrovicës, ka organizuar koncert të rok grupit muzikor “Svi na pod!”
Dashamirët e filmit ndërkaq patën mundësinë që të ndjekin premierën e bashkë-produksionit kosovar-italian-shqiptar “Sworn Virgins” (Burrnesha), që përfaqësoi Kosovën në Berlinale këtë vit, si dhe filmin “Ida”, fituesi i Akademisë Evropiane të Filmit dhe fituesi i Oskarit për filmin më të mirë të huaj të vitit. Shfaqja e këtyre dy filmave u mundësua në saje të partneritetit të Zyrës së BE-së në Kosovë/PSBE me PriFest, festivalin ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, i cili u kthye në vendin e tij pas mbajtjes së edicionit të shtatë në prill të këtij viti në ekzil, në Tiranë.
Nga ana tjetër, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së është kujdesur që për Ditën e Evropës t’i argëtojë edhe fëmijët, përmes shfaqjes së teatrit të kukullave “Princi i Vogël” dhe përrallave në hapësirat e qendrës. E disa të rinj, të talentuar për fotografi dhe dizajn të modës, pas përfundimit të punëtorive në EUICC me fotografin Atdhe Mulla dhe dizajneren Blerina Kllokoqi Rogova kanë ekspozuar punimet e tyre me rastin e Ditës së Evropës. Ekspozita e tyre është shoqëruar me performancë muzikore të këngëtares së re, Blerta Kosova.
Pjesë të programit për Ditën e Evropës ishin edhe panairi i vendeve anëtare të BE-së që u mbajt në sheshin “Zahir Pajaziti” paralelisht me shahun simultant me mjeshtrin ndërkombëtar, Bogdan Podlesnik. Një panairi tjetër i edukimit me ambasadën finlandeze, kroate dhe britanike është mbajtur në EUICC ku përfaqësuesit e këtyre vendeve shpalosën para të interesuarve mundësitë për studime në shtetet pёrkatёse.