Gusht 25, 2015 | Tuesday

Dokumentarët mjedisorë francez në Kinemanë e Gjelbër të EUICC-së – nga Maryse Daviet

Në korrik dhe gusht, çdo të enjte, Ambasada e Francës në Kosovë, bashkë me Qendrën Kulturore dhe Informative të BE-së në Prishtinë, kanë shfaqur në EUICC filma dokumentarë të fundit për mjedisin, duke adresuar kështu çështjet si ngrohja globale, ndotja, shpyllëzimi dhe stuhitë.

Qëllimi i këtij programi të Kinemasë së Gjelbër ishte ngritja e vetëdijesimit përmes ofrimit të një numri të madh informatash relevante dhe shembujsh veprimi që mund të ndërmerren kudo, si në nivel global ashtu edhe në atë lokal.

Derisa mobilizimi ndërkombëtar po bëhet më i fuqishëm, ndërsa ngrohja globale po përshpejtohet vetvetiu, gjithnjë e më shumë po paraqitet nevoja për ngritjen e vetëdijësimit. Nëse qeveritë dhe qytetarët nuk përshpejtojnë veprimet, ekziston rreziku se ngrohja globale mund të ketë ndikim dramatik në klimë, shëndet publik, trashëgimi kulturore ose natyrore dhe zhvillim. Analiza ka treguar se Kosova është veçanërisht e ekspozuar ndjeshëm ndaj këtij rreziku. Prandaj, është urgjente që të ndërmerren veprime dhe të gjenden zgjidhje të reja.

Përveç domosdoshmërisë për të ndërmarrë masa në nivel qeveritar, ka gjëra të vogla e të thjeshta të cilat mund t’i bëjnë të gjithë qytetarët në nivel lokal për të luftuar ndryshimin klimatik, si përmes shfrytëzimit të transportit të gjelbër, kursimit të energjisë, konsumimit më të arsyeshëm. Filmat në fakt tregojnë se si secili mund të jetë një agjent pozitiv i ndryshimit. Në shoqëritë tona, fëmijët dhe të rinjtë janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për ndryshimet dhe po kontribuojnë në mbrojtjen mjedisore. Klubet e gjelbra në disa shkolla fillore të Kosovës janë një shembull i shkëlqyeshëm i angazhimit të popullsisë së re. Iniciativat e tilla civile duhet të zhvillohen më tej dhe të mbështeten.

Programi i kinemasë së gjelbër paralajmëron edhe konferencën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara të palëve për ndryshim klimatik (COP21), e cila do të mbahet në dhjetor në Paris. Qëllimi qenësor i kësaj konference është arritja e një marrëveshjeje të re për klimën, e cila do të zbatohet në të gjitha vendet që nga viti 2020 dhe do të krijojë mjetet për reagim ndaj sfidave dhe kufizim të rritjes mesatare të temperaturës së planetit në më pak se 1, 5°C ose 2°C. Ekziston një përkrahje e madhe: qëllimi është që për herë të parë të arrihet një marrëveshje e detyrueshme ligjërisht e cila do të na mundësojë që të luftojmë ndryshimin klimatik në mënyrë efektive dhe të rrisim tranzicionin drejt shoqërive dhe ekonomive të fuqishme dhe me karbon të ulët.

Autorja është Ambasadore e Francës në Kosovë