Korrik 27, 2015 | Monday

SHËNDETI 2020 DHE KOSOVA – Skender Syla

Shëndeti i mirë është vital për zhvillimin ekonomik dhe social. Krijimi i mundësive që individët të kenë kontroll për shëndetin e tyre forcon komunitetet dhe përmirëson jetën. Shëndeti dhe mirëqenia e popullsisë arrihet më mirë nëse të gjithë sektorët e qeverisë punojnë së bashku për adresimin e përcaktuesve social dhe individual të shëndetit.

Në mbarë rajonin Evropian, shëndeti është përmirësuar shumë dekadave të fundit – por jo kudo dhe jo për këdo në mënyrë të barabartë. Rritja e shpejtë e sëmundjeve kronike dhe çrregullimeve mendore, mungesa e kohezionit social, kërcënimet mjedisore dhe pasiguritë financiare e bëjnë edhe më të vështirë përmirësimin e shëndetit.
Shëndeti 2020 i OBSH-së kërkon nga vendet e rajonit Evropian drejtësi më të madhe dhe qeverisje më të mirë për shëndetin.
Po çfarë është shëndeti i kosovarëve dhe perspektiva drejt vitit 2020?
Në janar të vitit 2000, OBSH-ja organizoi në Kosovë kursin ndërkombëtar “Kujdesi për të posalindurin dhe të ushqyerit në gji”.  Në atë kohë i dhamë prioritet fillimit të shëndetshëm të jetës sepse treguesit shëndetësor të të posalindurëve ishin të pavolitshëm, por ky ishte edhe prioritet i politikave shëndetësore të hartuara mënjëherë pas konfliktit. Poashtu dihet që investimi më i mirë dhe kostefektiv është investimi në fëmijërinë e hershme. Atëbotë brenda një viti në Kosovë vdisnin rreth 1150 foshnje gjatë javës së parë të jetës apo lindnin të vdekur (të njohura si vdekje perinatale). Shifra alarmante… Kjo ishte para se gjithash pasojë e rrënimit të sistemit shëndetësor gjatë viteve 90-ta dhe periudhës së konfliktit, gjendjes së rëndë ekonomike dhe kulturës shëndetësore jo të mirë të grupeve të ndjeshme si dhe praktikave jo të bazuara në dëshmi, në institucionet shëndetësore.
Pas 16 vitesh të punës intenzive me profesionistë shëndetësor të të gjitha niveleve është arritur që këto shifra sot të jenë shumë më të vogla. Në raportin e fundit perinatal për vitin 2014 janë raportuar 324 vdekje perinatale. Pra kemi zvogëlim të vdekshmërisë së foshnjave për më tepër se trefish dhe gjatë këtyre viteve janë shpëtuar mijëra jetëra foshnjesh që sot janë fëmijë të shëndetshëm të Kosovës.
Krahas fushës së shëndetit të nënës dhe fëmijës, OBSH-ja gjatë angazhimeve të saj në Kosovë që nga viti 1998, ka dhënë një kontribut të veçantë në hartimin e politikave dhe strategjive shëndetësore si dhe ngritjen e kapaciteteve në kujdesin parësor shëndetësor/mjekësinë familjare, shërbimet mjekësore emergjente, shëndetin mjedisor, shëndetin mendor, shkollat promovuese të shëndetit, sistemin e vaksinimit, sistemin e kontrollit të sëmundjeve ngjitëse dshe atyre jongjitëse si dhe edukimin dhe promovimin shëndetësor.
Ndonëse reduktimi i vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë, sistemi i vaksinimit si dhe reformimi i shëndetit mendor mund të konsiderohen si storie suksesi, qytetarët e Kosovës dhe shëndeti i tyre vazhdon të kërcënohet ende seriozisht nga mjedisi jo i sigurtë (ajri, uji dhe ushqimi) si dhe sjellje të rrezikshme për shëndetin siç është tymosja e duhanit, përdorimi i drogave, mosaktiviteti i mjaftueshëm fizik si dhe praktikat jo të mira të të ushqyerit. Kur t’i shtohet kësaj shkalla e lartë e varfërisë, pabarazitë sociale si dhe sistemi ende i pakonsoliduar shëndetësor, nuk është e rastësishme që jetëgjatësia e kosovarëve është ndër më të ultat në rajonin Evropian.
Shkaktarët kryesor të vdekjeve në Kosovë janë sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, kanceri, sëmundjet e traktit respirator si dhe diabeti. Një pjesë e madhe e vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet e cekura më lartë është e shmangshme: vlerësimet tregojnë se të paktën 80% e gjithë sëmundjeve të zemrës, goditjeve në tru dhe diabetit të tipit 2 si dhe të paktën një e treta e rasteve me kancer janë të parandalueshme.
Shëndeti i kosovarëve mund dhe duhet të përmirësohet nëpërmjet adresimit të faktorëve mjedisor bazë që sjellin deri te dëmtimi i shëndetit krahas përmirësimit të kulturës, edukimit dhe promovimit shëndetësor, investimit në shëndet përmes qasjes gjatë gjithë jetës dhe fuqizimit të individëve si dhe investimeve të shtuara në reformimin e sistemit shëndetësor dhe qeverisjen profesionale të sistemit shëndetësor.
Është koha e fundit që të gjithë ne të lëvizim më shumë për shëndetin. Kjo lëvizje nënkupton edhe lëvizjen tonë fizike por edhe atë intelektuale. Kjo mund të bëhet realitet kur shëndeti të ketë qasjen gjithpërfshirëse të shoqërisë. Kjo qasje shkon përtej institucioneve; ajo mobilizon kulturën dhe median vendore, komunitetin urban dhe rural, si dhe gjithë sektorët politik me rëndësi si sistemi asrsimor,  sektorin e transportit, mjedisni madje edhe planifikimin urban, siç tregohet në rastin e obezitetit dhe sistemin e ushqimit dhe ushqyeshmërisë. Duke angazhuar sektorin privat, shoqërinë civile, komunitetet dhe individët, qasja “e gjithë shoqëria” mund të forcojë komunitetet për të përballuar kërcënimet për shëndetin.
Megjithatë, udhëheqësit e institucioneve duhet të punojnë për të krijuar parakushte dhe mjedis mbështetës drejt përmirësimit të shëndetit të kosovarëve. Thirrja që u bëhet të gjithë udhëheqësve të vendeve të rajonit Evropian në kuadër të “Shëndeti 2020” do të duhej të ishte shumë relevante edhe për kontekstin Kosovar.
“I dashur Kryeministër, Ministër, Kryebashkiak apo Anëtar i Parlamentit,
Shëndeti i mirë mbështet zhvillimin social dhe ekonomik dhe forcon politikat në të gjithë sektorët. Të gjithë sektorët dhe nivelet e qeverisë kontribuojnë në shëndetin e mirë. Udhëheqja juaj për shëndetin dhe mirëqenien mund të bëjë një ndryshim të jashtëzakonshëm për njerëzit e vendit, rajonit apo qytetit tuaj. Mbështetja juaj për Shëndet 2020 është vërtetë thelbësore.”
Sqarim për Shëndetin 2020
“53 vendet e Rajonit Evropian, në seancën e Komitetit Rajonal të OBSH-së për Evropën, kanë miratuar një kuadër të ri të politikave shëndetësore për Rajonin të mbështetura në vlera dhe prova, Shëndeti 2020. Shëndeti 2020 përqëndrohet në përmirësimin e shëndetit për të gjithë dhe zvogëlimin e pabarazive shëndetësore nëpërmjet përmirësimit të udhëheqjes dhe qeverisjes me synim shëndetin. Ai përqëndrohet në problemet shëndetësore madhore të ditëve tona. Identifikon katër fusha prioritare ku duhet ndërhyrë me politika dhe është inovativ në drejtim të gatishmërisë që duhet të tregojnë të gjitha nivelet dhe sektorët e qeverisë dhe shoqërisë, thekson zhvillimin e burimeve dhe përtëritjen brenda komuniteteve, fuqizimin dhe krijimin e mjediseve mbështetëse. Detajon rolet e përforcuara të shërbimeve të shëndetit publik dhe sistemit shëndetësor. Shëndeti 2020 u miratua në dy forma: si një kuadër i politikave evropiane në mbështetje të masave të qeverisë dhe shoqërisë për politikanët dhe hartuesit e politikave dhe si kuadri më i zgjeruar i politikave dhe strategjia Shëndeti 2020, i cili parashikon më shumë hollësi teknike. Vënia në zbatim e Shëndetit 2020 është tani sfida thelbësore më prioritare për Rajonin.”
Autori është shef i zyrës së OBSH-së në Prishtinë