Janar 27, 2015 | Tuesday

Çka ka arritur Kosova në shtatë vitet e fundit? – Sophie BEAUMONT

Ndërsa filloj të mendoj të bëjë gati valixhet për të marrë detyrën e re në delegacionin e BE-së në Shkup, mua më kujtohet hera e parë kur erdha në Kosovë në nëntor të vitit 2007.  Më kishte lënë përshtypje ajo se sa miqësor ishin (dhe ende janë) qytetarët e Kosovës – me një ndjenjë të fuqishme të frymës së komunitetit. Përkundër shkyçjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mangësive administrative, qytetarët e Kosovës kishin durim dhe aftësi për t’u përballur me vështirësi, të cilat unë nuk i kam parë në shtetet e tjera evropiane  – sigurisht jo në Angli prej nga ku vij.

Çfarë ndryshimesh kanë ndodhur që nga viti 2007? Së pari, deklarata e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 ishte një përvojë e veçantë që nuk mund të harrohet. Të tjera që vlen të ceken, por më pak të rëndësishme në kuptimin politik, ishin zvogëlimi i shkyçjeve të energjisë elektrike (diçka shumë e mirëpritur); shumë ndërtesa të reja banimi (por me pak dëshmi të vëmendjes për planifikim hapësinor) dhe disa hotele të reja dhe të bukura. Shtigje për karrocat në trotuar – diçka e shkëlqyeshme – ndonëse edhe më shumë punë duhet bërë për të siguruar qasjen për personat me aftësi të kufizuar në hapësirat e ndërtuara në Kosovë. Gjithashtu, natyrisht, autostradat e reja dhe aeroporti fare i ri.

Por çka mund të thuhet për zhvillimet në arsim dhe sektorin social që kanë qenë fokusi i punës sime në zyrën e BE-së në Kosovë gjatë këtyre shtatë viteve?

Për të qenë e sinqertë, do të duhet kohë për të parë rezultatet dhe arritjet në sektorin e arsimit – zakonisht nevojitet një cikël dhjetëvjeçar për t’i vërejtur ndryshimet në terren. Por investimi në arsim dhe sektorin social është thelbësor për përparimin socio-ekonomik në cilindo vend të dhënë. Në këto shtatë vitet e fundit, unë kam parë reforma të rëndësishme dhe modernizim të kurrikulës shkollore, zhvillim profesional të mësimdhënësve dhe reforma në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës – shumë të nevojshme për të përmbushur kërkesat e kurrikulës së re. Këto reforma kultivojnë një qasje të përqëndruar tek studenti në mësimdhënie dhe mësimnxënie dhe avancojnë shkathtësitë analitike të fëmijëve. Ky edukim i bazuar në kompetencë përqendrohet në atë se çfarë kanë mësuar fëmijët – shkathtësitë dhe dituritë e fituara – por është një qasje e re dhe shkollave të Kosovës do t’ju duhet kohë për t’u mësuar me këtë qasje.

Themelimi i Autoritetit të Kualifikimeve në Kosovë ka siguruar vlerësimin e jashtëm dhe të brendshëm dhe procese të vlerësimit për institucionet e trajnimit profesional, si dhe ka përcaktuar një kornizë të kualifikimeve në Kosovë që është në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve.

Krijimi i Agjencisë për Arsim Profesional dhe Trajnim dhe Qendrave të Kompetencës, që është mbështetur financiarisht nga partnerët donatorë evropianë, ka siguruar një fokus më të madh dhe një injektim të burimeve më se të nevojshme në sektorin e arsimit profesional dhe trajnimit.  Sidoqoftë Ministria e Arsimit nuk ia ka dalë që t’i kushtojë vëmendje standardeve të zhvillimit profesional ose në angazhimin dhe përfshirjen e punëdhënësve. Qeveria e Kosovës vazhdon të mos financojë aq sa duhet sektorin e arsimit profesional dhe trajnimit dhe për fat të keq, studentët dhe prindërit vazhdojnë të konsiderojnë atë si më pak të vlefshëm sesa arsimimin akademik.

Cilësia e ndryshme e arsimit në Kosovë vazhdon që të jetë një problem i madh.  Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, e posaçërisht Universiteti i Prishtinës, kanë një rol kyç në formësimin dhe përparimin e cilësisë së sistemit arsimor në të gjitha nivelet e arsimit. Ajo çka është zhgënjyese është shkalla e politizimit që ekziston në sistemin universitar në Kosovë. Kjo ka një ndikim jashtëzakonisht negativ dhe minon besimin që shtetet anëtare të BE-së dhe universitet evropiane kanë në cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Zyra e BE-së dhe shtetet anëtare përkrahin reformat që po ndërmerren në këtë kohë nga rektori i Universitetit të Prishtinës. Ato janë më se të domosdoshme për transparencën e punës së Universitetit në lidhje me angazhimin e profesorëve dhe regjistrimin e studentëve, vlerësimin e studentëve dhe mbështetjen e avancimit në karrierë të akademikëve dhe hulumtuesve të ri dhe të talentuar.

Sa i përket sektorit social, decentralizimi i shërbimeve sociale ishte një zotim i rëndësishëm i bërë nga qeveria e Kosovës dhe është një mjet i rëndësishëm për të siguruar se nevojat lokale kuptohen dhe plotësohen. Zhvillimi i standardeve për shërbimet sociale dhe paraqitja e procesit të licencimit social në Kosovë ka qenë i rëndësishëm. Është e nevojshme për të lejuar licencimin e OJQ-ve, të cilat mbulojnë sektorin social, me kapacitet për t’i ofruar shërbime sociale bazë për komunitetin. Megjithatë decentralizimi i plotë i shërbimeve sociale ende nuk është realizuar, dhe ajo se drejtorët e drejtorive komunale për shëndetësi dhe mirëqenie sociale janë kryesisht të emëruar politikë, çon në mungesë të vazhdimësisë dhe shkëputjes në lidhje me atë se si sektori po mbështetet. Në të njëjtën kohë komunat janë të prirura të përqendrohen kryesisht në shërbimet shëndetësore, ndërsa shërbimet sociale shpërfillen.

Ofrimi i shërbimeve sociale në Kosovë është krahasueshëm më i varfër dhe më i dobët në Evropë dhe nuk i jepet vëmendja ose përkrahja financiare që e meriton. Ofrimi i shërbimeve sociale bazë duhet të konsiderohet si një investim për të mbështetur shkathtësitë punuese dhe përfshirjen sociale të grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara. Shkalla e mbështetjes së shërbimeve sociale nga autoritetet në Kosovë është një tregues i rëndësishëm i asaj se sa po përparon Kosova në aspektet socio-ekonomike.

Së fundmi, më duhet të them diçka në lidhje me gjendjen e personave me aftësi të kufizuar të cilët jetojnë në Kosovë. Unë vetë jam person me aftësi të kufizuar dhe kam punuar si avokuese për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, prandaj në këtë aspekt kam edhe interes personal. Unë kam qenë e befasuar për të mirë nga ajo se si qytetarët e Kosovës më kanë mbështetur në jetën time të përditshme. Por njerëzit me aftësi të kufizuar në përgjithësi në Kosovë janë shumë të diskriminuar. Njerëzit me aftësi të kufizuar nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë në rrugë për shkak të pengesave në qasje. Ata shpeshherë ngujohen në shtëpi dhe kanë mundësi të kufizuara në këto kohëra për të jetuar të pavarur, pa u mbështetur në përkrahjen e familjes ose për t’u qasur në tregun e punës apo për t’u shoqëruar si të gjithë të tjerët.

Unë e kam vërejtur se autoritetet lokale në Kosovë gradualisht janë vetëdijësuar për çështjen e personave me aftësi të kufizuar – për shembull, nevojën për të krijuar mjedise urbane të qasshme dhe për të siguruar qasje në ndërtesat publike. Por gjërat po lëvizin shumë ngadalë dhe shumë më shumë mund të bëhet. Ka ende punë për t’u bërë për të siguruar se fëmijët me aftësi të kufizuar në të vërtetë vijojnë shkollën dhe se qendrat ditore përkrahëse, dhe përkrahja në shtëpi për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuar, financohen ashtu siç duhet nga autoritetet e Kosovës. Nevoja për asistentë të mësimdhënësve është shumë e rëndësishme për të përkrahur përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuar, sikurse edhe nevoja për një vetëdijësim të përgjithshëm të popullsisë së Kosovës për çështjet e personave me aftësi të kufizuar dhe për të siguruar se fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuar nuk do të lihen anash.

Në fund shpresoj se qeveria e re e Kosovës do t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe prioritet shërbimeve publike thelbësore. Nëse nuk investohet në njerëz atëherë Kosova do ta ketë të vështirë që të përmbush standardet evropiane dhe të konkurrojë në mënyrë të suksesshme në ekonominë evropiane dhe atë globale. Qytetarët e Kosovës, nëse krahasohen me qytetarët e vendeve tjera evropiane, nuk ankohen por ndonëse durimi është virtyt, nuk mund të thuhet se gjithmonë shpërblehen ata të cilët durojnë. Shoqëria civile e Kosovës duhet të punojë për një përparim më të madh gjatë viteve të ardhshme – pra ndryshimi pozitiv që prek grupet më të cenueshme në shoqëri është po ai që tregon se sa ka përparuar një shoqëri.  Shtetet anëtare të BE-së duan që Kosova të mësojë prej gabimeve të tyre dhe që ajo t’i mos i përsërit ato. Prandaj të lutem Kosovë, ruaji veprat pozitive dhe hedh poshtë ato që zvarrisin zhvillimin e shoqërisë kosovare.

Autorja është menaxhere për projektet për arsim dhe zhvillim social në Zyrën e BE-së/Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm në Kosovë.