Dhjetor 21, 2014 | Sunday
Ditëve të fundit, përveç suksesit që pati fushata kundër ngacmimeve seksuale ‘Take back the night’ (Nata është e jona), është edhe aspekti tjetër që kjo kampanjë nxorri në sipërfaqe, siç janë reagimet dhe rezistenca e shprehur në drejtime të ndryshme. Kritikat ishin të ndryshme por kryesisht në forma të cilat përpiqen të ulin rëndësinë e problematikës dhe kampanjës, formës së saj të organizimit, zëra që thonë që kjo formë është radikale apo e pasjellshme.E kam thënë në një artikull që kërkesa për barazi gjinore, shpesh perceptohet e kuptohet si kërkesë për dominim. Reagimet e ditëve të fundit, e kanë ilustruar qartë këtë qëndrim. Pastaj, zëra tjerë thonë që ngacmimi seksual nuk është çështje prioritare, apo e shohin këtë problem si derivat vetëm të sistemeve ekonomike dhe politike e jo si derivat kryekëput patriarkal.
Siç është thënë disa herë me të drejtë, kapitalizmi i ka eksploatuar gratë në forma të ndryshme, por në anën tjetër, përpjekja për t’i minimizuar përpjekjet feministe nën ombrellën e një barazie sociale, me idenë se e fundit i ngrit të drejtat e grave automatikisht, nuk qëndron. Apo më mirë të thuhet, nuk është kaq e thjeshtë dhe është shumë më komplekse. Mendoj që forma më e mirë për të nisur këtë argument është më fjalinë e Latinka Perovic, ‘Proletarë të gjithë botës, kush po ua lan çorapet’?, (konferenca e feministeve, 1978, Beograd).
E Kush ua lante çorapet proletarëve? Kush ua lan çorpet tani trumpetuesve të barazisë sociale? Për cilin vend të punës po bëhet fjalë? Por po e nisim nga fillimi…
Në valën e dytë të feminizmit, feministet si Juliet Mitchel (1966), Michel Barret (1980), etj. shpjegojnë se si qëndron çështja e grave brenda kornizës socialiste. Mitchel thotë që socializmi nuk e ka përmbysur patriarkalizmin dhe patriarkalizmi është riprodhuar në çdo sistem. Prandaj është tërësisht i pakuptueshëm kushtëzimi apo prioritizimi që po të ketë barazi ekonomike, ka edhe barazi midis gjinive. Kjo gjithsesi është pikënisje, por lufta nuk mbaron këtu dhe këtu diskutimin dhe aktivizmin e çojnë tutje feministet. Siç argumenton Heidi Hartman, kapitalizmi është i vonshëm dhe ardhja e këtij sistemi e gjeti patriarkalizmin mirë të vendosur në shoqëri, në të cilin sistem, ndarja e punës ishte sipas përkatësisë gjinore (Hartman, 1976). Pabarazia fillon që në familje, me ndarjen e punëve në baza gjinore. Ndarjen e punëve të shtëpisë apo diskutimin mbi të, burrat e quajnë ‘me u marrë me cikërrima’, dhe kjo tregon që duke qenë se si punë tradicionalisht është bërë nga gratë, në këtë formë edhe përbëjnë ‘cikërrimën’. Sikur punët e shtëpisë të ishin bërë nga burrat, ishin bërë absolutisht një nga punët më të rëndësishme dhe automatikisht kategori analitike. Pra, ja një punë që është refuzuar të diskutohet si e tillë sepse nuk paguhet.
Hashtagu – #RikthejeVendinePunës, pastaj #RikthejeNatën, është i së njëjtës rezistencë, në ajër disi.Pse ‘pastaj’? Cilin vend të punës t’a rikthej? Një aspekt tjetër përveç ndarjes së punës, e që dua ta lidhë me këtë tej-thjeshtëzim, të lidhur me hashtag, është aspekti i distribuimit. Po themi që gratë po marrin vende pune, problemi nuk përfundon këtu, por vazhdohet me distribuimin e padrejtë. Fillimisht duhet theksuar se gratë e kanë një punë të përhershme të pa-paguar dhe të pa-vlerësuar e që janë punët e shtëpisë dhe pastaj një vend pune jashtë shtëpisë që përsëri nuk nënkupton automatikisht barazi sociale. Për të njëjtën punë, gratë paguhen më pak se burrat, por edhe kur i marrin rrogat, shpenzimi jo gjithmonë u takon atyre. Mundet shumë mirë të nënkuptojë edhe skllavërim. Përvoja ime në aktivizëm dhe akademi, mund të dëshmoj se gratë që punojnë jashtë shtëpisë, të cilat pos përmbushjes së nevojës themelore të të ushqyerit, nuk kanë kurrfarë përfitimi në zhvillimin e tyre nga rroga që marrin. Një burrë punonjës në komunë në një prej komunave të Kosovës, më tregon që kartelën bankare të gruas së tij, e mban ai, pra ai është kontrollues komplet i ekonomisë familjare dhe rrogës së saj. Në një nga strehimoret e grave në Kosovë, një grua tregon që burri i saj i merr çdo cent nga rroga dhe ai vendos çka dhe qysh shpenzohen, bile vendos edhe kur të blihen ndërresat e brendshme të saj. Ajo çdo ditë të punës, në xhep nuk ka asnjë cent të vetëm. Dhe këto nuk janë raste të izoluara, por raste prapa statistikave e shifrave me të cilat shërbehemi. Pjesë e viktimave të dhunës në familje,janë gra të cilat kanë pozita të larta në sektore publike apo private. Dhe për ta sqaruar edhe më mirë, ato kanë vend pune dhe kanë rrogë. Pra, marrja e vendeve të punës, nuk nënkupton apriori barazinë, sepse është çështja e distribuimit, e cila përshtatet brenda normave patriarkale se kujt i takon çka.
Nuk diskutohet, që pavarësia ekonomike dukshëm ndihmon, pra të mos keqkuptohet ky argumentim. Pavarësia ekonomike është një prej kushteve. Çka dua të nxjerr në sipërfaqe është aspekti që pavarësia ekonomike, jo gjithmonë, është garantues për sigurinë sociale të grave, sepse siç e thashë kjo operon brenda sistemit patriarkal, në të cilin mirëqenia e burrit është prioritet. Tjetri aspekt që nuk mundem t’a kuptoj është pse fushata ‘takeback the night’, përjetohet si minimizim i çështjeve të tjera po aq të rëndësishme. Pse duhet të ketë renditje dhe garë mbi çështjet mbi të cilat punohet në këtë shoqëri. Nëse kjo fushatë do të vazhdoj për katër vjetët e ardhshme, në asnjë moment të saj, nuk thuhet se ajo i përjashton format tjera të aktivizmit për barazi sociale. Pse duhet të ketë ndarje të tillë ‘ne dhe ju’, kur në realitet, një sistem i dëmshëm për njërën palë është automatikisht i dëmshëm edhe për tjetrën. Fundja gjinia si kategori është jo-stabile dhe gratë dhe burrat nuk duhet të shihen si grupe homogjene të ndara.
Pse duhet të ketë ‘pastaj’ e jo ‘edhe edhe’ !!!
Autorja është kandidate për Doktoratë në Anthropologjinë Sociale dhe Histori në Universitetin e Gracit