Shkurt 28, 2014 | Friday

Debati përtej zgjedhjeve: Si mund të ndikojnë qytetarët në zgjedhjet e politikave dhe të politikës – Dren Doli

Evoluimi i demokracisë si sistem politik është formësuar dukshëm nga shfrytëzimi i të drejtave dhe lirive të cilat u mundësojnë individëve që të debatojnë lirshëm si dhe të promovojnë idé dhe zgjdhje të politikave publike. Që nga shekulli 18, kultura e debatit publik u zhvillua si një nga parimet e sferës publike, e cila sipas Habermas, ishte një shprehje e të drejtave të qytetarëve për të debatuar dhe për të marrë pjesë në çështjet që kanë të bëjnë me interesat e përgjithshme publike.
Sot, pjesëmarrja aktive në debate publike dhe në procesin e vendimmarrjes nga qytetarët është praktikë e zakonshme në demokracitë Evropiane. Në Kosovë megjithatë debati për politikat publike në veçanti funksionon brenda organizatave të shoqërisë civile dhe medieve. Kjo nuk do të thotë se kjo praktikë është e izoluar brenda sektorit joqeveritar. Qeveria e Kosovës gjithashtu ‘legjitimon’ veprimet dhe vendimet e veta duke shfrytëzuar debatet publike.
Megjithatë në Kosovë kultura e debatit në marrëdhëniet e ‘qytetarëve me qeverinë’ ende duhet të formësohet. Sidoqoftë kjo po shkon në drejtim shqetësues. Si qeveria ashtu edhe qytetarët shpeshherë e perceptojnë debatin dhe pjesëmarrjen si përgjigje ndaj krizës së legjitimitetit apo problemeve tjera ad hoc. Në veçanti qytetarët janë më aktiv në çështjet të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt tek ta në afat të shkurtër, dhe nuk përfshihen në diskutime dhe procese vendimmarrëse të cilat mund të kenë ndikim në interesat e tyre afatgjata. Institucionet qeveritare e shfrytëzojnë këtë tendencë të të menduarit afatshkurtër dhe gradualisht ndërtojnë kulturën e debatit rreth çështjeve të zgjedhura nga ta, e jo në lidhje me shqetësimet thelbësore publike. Ky trend demonstron se debatet politike dhe diskutimet publike po bëhen kryesisht instrumente për të arritur interesat e qeverisë dhe të partive qeveritare, e jo të qytetarëve. Brenda kësaj kornize, kultura e debatit publik po ngushtohet vetëm përbrenda çështjeve të përfshira dhe numrit të institucioneve qeveritare që e shfrytëzojnë debatin publik.
Brenda këtij konteksti, zgjedhjet në Kosovë bëhen më relevante dhe shkojnë përtej  funksionit të vetëm politik për dy arsye. Së pari, për shkak të shfrytëzimit të kufizuar të debatit dhe pjesëmarrjes publike në vendimmarrje në periudhat tjera kohore, periudha para fushatës zgjedhore është koha kur partitë politike zgjedhin për të pasur një debat më aktiv. Së dyti, gjatë fushatave zgjedhore, partitë politike kanë tendencë që të theksojnë, jashtë debatit të tyre politik në parlament, dallimet në mes të tyre në shumë fusha të politikave publike dhe në mënyrë aktive të vënë në pikëpyetje zgjidhjet politike të të tjerëve. Nëse kjo kulturë e debatit të hapur duhet të zgjerohet përtej zgjedhjeve, qeveria dhe partitë politike duhet të mbahen përgjegjëse për të gjitha veprimet e tyre kurse përgjigjet në pyetjet për politikat publike duhet të shpjegojnë mënyrën se si ato janë të dobishme për qytetarët pjesëmarrës, e  jo vetëm për politikanët.
Nga ajo që u tha më sipër, ne, si qytetarë të Kosovës, duhet të nxjerrim dy mësime të rëndësishme. Së  pari, nuk duhet t’i perceptojmë zgjedhjet vetëm si një mundësi për  të ndikuar në bërjen e politikave publike dhe ku mundësohet ‘rrëzimi’ i qeverisë. Së  dyti, qytetaria aktive shton nivelin e përgjegjësisë dhe legjitimitetit të qeverisë. Prandaj ne duhet të rrisim numrin e debateve publike në lidhje me çështjet me interes të përgjithshëm, pasi që pjesëmarrja në to është legjitime dhe po aq e rëndësishme sa edhe pjesëmarrja në zgjedhje.