Dhjetor 15, 2020 | Tuesday
Këtë vit më 10 dhjetor, ne shënojmë 72 vjet nga miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, një dokument historik që e ndryshoi thellësisht botën tonë. Sot, ai vazhdon të shërbejë si një “standard i përbashkët i arritjeve për të gjithë popujt dhe të gjitha kombet” dhe si bazë e së drejtës ndërkombëtare. Të drejtat e njeriut u garantohen të gjithëve pavarësisht nga ngjyra, raca, seksi, gjuha, feja, lindja, origjina kombëtare ose shoqërore, mendimi politik ose mendimi tjetër, apo statusi tjetër.
Çdo vit në këtë ditë shtetet në të gjithë botën, përfshirë Kosovën, festojnë progresin dhe atë që është arritur, por më e rëndësishmja, tregojnë dhe diskutojnë regreset në respektimin e të drejtave të njeriut për komunitete të ndryshme.
Përkundër mendimeve aktuale mbizotëruese se kjo është vetëm një ditë tjetër që duhet shënuar – kjo ditë duhet të shfrytëzohet për të reflektuar se sa larg kemi arritur. A kemi bërë mjaft, ose çka duhet të bëjmë për ta ndaluar diskriminimin e përditshëm të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në shkolla, në dyqane, te mjeku? Sa i përkrahim të drejtat e njeriut të personave LGBTI? A jemi solidar me gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut? A e ngrehim zërin për viktimat e dhunës në familje?
Në këtë ditë duhet ta riafirmojmë rëndësinë e përkrahjes së të drejtave të njeriut, luftën kundër pabarazisë dhe padrejtësisë; dhe më e rëndësishmja, të zotohemi se do të çohemi, reagojmë, të jemi kritikë, të jemi të informuar dhe të flasim për ata që nuk munden.
Pandemia Covid-19 e kanë ekspozuar pabarazinë strukturore dhe ne ende nuk i dimë efektet e saj afatgjata. Qeveritë nuk duhet ta shfrytëzojnë pandeminë si justifikim për t’i shtypur të drejtat e njeriut dhe më shumë se kurrë ne duhet të jemi syçelë dhe të gatshëm që të flasim për grupet në nevojë.
Mbrojtësit e të Drejtave Civile janë krenarë që bashkëpunojnë dhe përkrahin mbrojtësit e të drejtave të njeriut të cilët punojnë në disa prej rajoneve më represive të botës në katër kontinente. Konfliktet dhe shkeljet e të drejtave themelore të njerëzve janë gjithnjë e më shumë përcaktuese të tipareve të botës në të cilën jetojmë. Ne besojmë se një shoqëri civile e fortë dhe me funksionim të mirë është më e rëndësishme se kurrë, veçanërisht në nivelin lokal. Ne i sfidojmë politikanët, sektorin privat dhe shoqërinë civile që të shtyjnë më shumë për progres dhe të punojnë së bashku drejt një bote në të cilën të drejtat civile dhe politike të njerëzve respektohen plotësisht.
Sarah Maliqi,
Zyrtare e Programit, Mbrojtësit e të Drejtave Civile