Janar 18, 2021 | Monday

Enisa Serhati: Për një Kosovë të qëndrueshme kërkohet rimëkëmbje ekonomike me mjedisin në qendër

Nuk është e pazakontë që ne njerëzit problemet t’i fusim në një kuti, e pastaj të kthehemi e t’i ato zgjidhim një nga një. Përhapja e COVID-19 e gjeti Kosovën plot me kuti problemesh. Ishte problemi i një prej BPV-ve më të ulëta për kokë banori në Evropë dhe papunësia e lartë në një kuti, problemi i varfërisë dhe pabarazisë, renditja e ulët në PISA për arsimin në një kuti tjetër, ndotja e ajrit dhe degradimi i mjedisit në një kuti tjetër.  Në fillet e saj, pandemia u vërtit nëpër kutitë tona, duke i hapur të gjitha dhe duke na e bërë të gjithëve me dije faktin se sfidat e zhvillimit nuk mund t’i shohim më si të izoluara.

Papritmas, zhvillimi ekonomik pozitiv konsistent i dekadave të kaluara në Kosovë ishte larg nga të qenit domethënës, për shkak të një sistemi shëndetësor jofunksional. Pabarazia ekonomike bëri që shumë familje të mos ishin në gjendje t’u siguronin fëmijëve qasje në shkollim, për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike. Dimri i vitit 2020 erdhi me tym si gjithmonë, ndërsa indeksi i cilësisë së ajrit në Kosovë po i arrin përsëri nivelet më të larta globale të ndotjes. Çështja e hidrocentraleve përsëri u solli shqetësime komuniteteve për të cilat lumenjtë janë një burim i jetës.

Pra, çfarë duhet të bëjmë dhe pse tani?

Për një zhvillim vizionar dhe të qëndrueshëm kërkohet transformim sistematik. Kur synojmë sistem të qëndrueshëm, ne nuk mund të kërkojmë rimëkëmbje nga COVID-19 duke e sjellë në tavolinë kutinë vetëm me terma ekonomikë. Është një qasje mjaft dinamike ndaj zhvillimit që mjedisin e mban në qendër ajo që krijon stabilitet afatgjatë për Kosovën. Një qasje që sistemin e sheh si konstruksion të vetëm shumëdimensional e jo si pemë me kuti të pavarura.

Përderisa shihet qartë se kriza e vazhdueshme i ka përkeqësuar çështjet ekonomike të pazgjidhura të Kosovës, rimëkëmbja e sjell një mundësi që gjërat të bëhen ndryshe. Me ekonominë moderne dhe rregullat fiskale ekzistuese, rrallë ndodh që institucionet të jenë në gjendje të miratojnë ndërhyrje kaq masive si këto që po miratohen aktualisht, ndërsa është pikërisht roli aktiv i qeverisë dhe partnerëve për zhvillim që po bashkëpunojnë ngushtë me sektorin privat ai që mund ta ndryshojë gjendjen mjedisore në Kosovë. Zhvillimi mund të ndodhë bashkë me rimëkëmbjen e mjedisit e jo kundër tij.

Stimulimi fiskal është mundësi për ta ristrukturuar ndikimin e ekonomisë në mjedis përmes kushtëzimit. Industritë dhe firmat që do të kenë qasje në mbështetje përmes stimulimit duhet t’i zbatojnë standardet e reja mjedisore. Kjo nuk bëhet për t’i penalizuar akterët ekonomikë duke mos i mbështetur për shkak të moskujdesit të tyre ndaj mjedisit, por, përkundrazi, për t’i ftuar ata që të zotohen se do të jenë faktorë të qëndrueshëm të ekosistemit në të ardhmen. Ndonëse kjo mund të konsiderohet e parakohshme sipas paradigmës tradicionale, ka shumë mendimtarë dhe organizata përparimtare e të mëdha në mbarë botën që po i ndryshojnë shpejt pikëpamjet e reja normale.

Qenësore për të ardhmen evropiane të Kosovës është që ta mbajë një vizion të gjelbër në vorbullën e të gjitha këtyre çështjeve. Në Marrëveshjen e re të Gjelbër është përcaktuar një Agjendë e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila ekonominë qarkore dhe zhvillimin e gjelbër i bën shtytës kryesorë të konkurrencës për ekonominë e Kosovës.

Enisa Serhati, Koordinatore e Projektit, Portofoli i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Mjedisit, UNDP