Mars 8, 2021 | Monday
Për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Zyra Evropiane në Kosovë në bashkëpunim me përfaqësuesit e PSBE-së që mbulojnë të drejtat e njeriut, mbajtën një ngjarje në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, duke u fokusuar në iniciativat e grave dhe historitë e tyre. Ngjarja përfshiu një diskutim me gratë frymëzuese, lansimin e botimit ‘Gratë dhe Covid-19: Tregime që kanë rëndësi’ dhe shfaqjen e një videoje të shkurtër me histori të grave sipërmarrëse të përkrahura nga BE në Kosovë.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Ambasadori Tomas Szunyog, në fjalën e tij të hapjes theksoi angazhimin dhe përkrahjen e BE-së për gratë dhe iniciativat e tyre.
“BE e konsideron barazinë gjinore si një prioritet thelbësor strategjik në Kosovë. Në vitet e fundit, zyra e BE-së në Kosovë ka promovuar udhëheqje të larmishme, mes të tjerash, duke trajnuar përfaqësuese politike të grave, duke promovuar votën për gratë dhe nga gratë, duke financuar organizatat e shoqërisë civile për të frymëzuar gratë kandidate në nivelin komunal, duke përkrahur gratë sipërmarrëse, duke inkurajuar gratë artiste, duke shpërblyer gratë shkrimtare dhe duke asistuar në përshtatjen e legjislacionit të Kosovës për t’i përmbushur standardet e BE-së për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave”.
Arta Shehu Zajmi, Drejtore Ekzekutive e LabBox dhe një grantmarrëse e BE-së, foli për punën e saj dhe mënyrën se si granti i BE-së e përkrahu biznesin e saj. Ajo shtoi se ideja e saj për t’u bërë një sipërmarrëse dhe për të krijuar dy kompani, erdhi nga fakti se ajo është nënë e tri vajzave dhe dëshironte që vajzat e saj dhe fëmijët tjerë ta formësojnë të ardhmen dhe prosperitetin e tyre përmes njohurive të teknologjisë. Më tej, Zajmi tha se ndihet fatlume që u përzgjodh mes shumë kompanive si përfituese e BE-së.
Një grua tjetër sipërmarrëse që drejton një biznes dhe ishte përfituese e një granti të BE-së, zbuloi përvojën e saj të sipërmarrjes dhe mënyrat se si granti e përkrahi biznesin e saj. Natasha Miliçeviq, drejtoreshë ekzekutive e Europa Company, shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen që BE i ka dhënë biznesit të saj, duke i mundësuar asaj që ta rritë numrin e të punësuarve dhe ta shtojë kapacitetin e përgjithshëm të prodhimit.
Valmira Rashiti nga Rrjeti i Grave të Kosovës, përgëzoi të gjithë fituesit e konkursit “Covid19: Gratë dhe historitë e tyre”, duke shtuar se organizata e saj me përkrahjen e BE-së po përpiqet të bëjë ndryshime, duke i kushtuar vëmendje grave më të cenueshme të Kosovës, si dhe bashkëpunimit me gratë që janë pjesë e hierarkisë së epërme, dhe përfshirjes më të madhe e tyre në procesin e vendimmarrjes në kuvend.
Reyes Charle, këshilltar për çështje gjinore i përfaqësuesit special të BE-së prezantoi botimin ‘Gratë dhe Covid-19: Tregime që kanë rëndësi’, i cili është i disponueshëm për shpërndarje në Shtëpinë e Evropës si dhe në internet në këtë link.