Prill 6, 2021 | Tuesday
Me rastin e shënimit të 5 vjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA-së), Shtëpia e Evropës ka intervistuar Drejtorin ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), z. Demush Shasha.
Çka është Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA-ja) në pak fjalë?
Demush Shasha: Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është e rëndësishme në dy kuptime, ajo ka qenë historike, dhe e një rëndësie të jashtëzakonshme. Historike, sepse çdo vend i Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tij nga fillimi e deri në anëtarësim në BE, zyrtarisht nënshkruan vetëm dy dokumente me Bashkimin Evropian. Dokumenti i parë është Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, ndërsa dokumenti i dytë është Traktati i Anëtarësimit, që nënkupton që disa ditë para se të bëhesh anëtar i BE-së, duhet të nënshkruash Traktatin e Anëtarësimit.
Për ta thjeshtësuar, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit rregullon çdo pore të shoqërisë sonë, dhe prek secilin qytetar të Kosovës, dhe prandaj është e rëndësishme. Si shembull, MSA-ja prek ajrin që e thithim çdo ditë, sepse kërkon që ajri të përmirësohet dhe të përafrohet me standardet e BE-së. Po ashtu, kërkon që lojërat e fëmijëve të jenë sipas standardeve të BE-së, dhe të tjera.
Sa është e rëndësishme një marrëveshje e tillë për Kosovën?
Demush Shasha: MSA-ja është e rëndësishme politikisht dhe ekonomikisht për Kosovën. Politikisht sepse deri në nënshkrimin e marrëveshjes, Kosova nuk ka pasur raport formal me BE-në. Me aktin e nënshkrimit të marrëveshjes, ne jemi bërë të barabartë me të gjitha vendet tjera të rajonit. Pra, MSA-ja ka vendosur themelet e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian. Ndërsa ekonomikisht MSA-ja është e rëndësishme sepse ka hapur për prodhuesit vendor një treg prej 500 milion banorësh, apo bllokun më të madh tregtar në botë. Ndërsa për qytetarët ka siguruar që të gjitha barrierat tregtare të hiqen, dhe si rezultat produktet të cilat prodhohen në BE do të jenë më të lira për tu blerë në Kosovë, sepse janë hequr tarifat dhe pengesat administrative.
Sa ka përfituar Kosova prej saj dhe në cilët sektorë?
Demush Shasha: Përfitimi prej MSA-së është në shumë drejtime. Le të ndalemi në atë politik dhe financiar. Në kuptimin politik, në momentin e nënshkrimit të MSA-së, mesazhi që është përçuar në marrëdhëniet ndërkombëtare është që Kosova tani ka një cilësi tjetër ndërkombëtare prej asaj kur nuk ka pasur marrëveshje të stabilizim asocimit. Pra, pas nënshkrimit të MSA-së, statusi ndërkombëtar i Kosovës është avancuar karshi partnerëve të tretë në skenën ndërkombëtare. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme në kuptimin politik, dhe si rrjedhojë kjo pastaj ka efekte ekonomike ku bizneset që konsiderojnë të investojnë në Kosovë, pas arritjes së MSA-së, ndjehen më të sigurtë të investojnë në Kosovë, pasi që MSA-ja ka një numër garancish për biznese. Në kuptimin financiar, që nga hyrja në fuqi e MSA-së, Kosova ka përfituar rreth 500 milion euro të asistencës së Bashkimit Evropian, në projekte të ndryshme infrastrukturore dhe asistencë ndaj institucioneve për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Nëse e marrim një shembull, sot me fonde të BE-së bëhet një investim i jashtëzakonshëm në rehabilitimin e termocentralit Kosova B, i cili vazhdon të jetë njëri nga ndotësit më të mëdhenj të cilësisë së ajrit në Evropë.
MSA përmban 10 tituj apo kapituj. Në cilët kapituj është arritur progres më i madh?
Demush Shasha: Progres është arritur në një numër të fushave. Si storie suksesi mund të konsiderojmë demokracinë apo zgjedhjet. Nëse bëjmë një krahasim me periudhën para hyrjes në fuqi të MSA-së, mund të themi me siguri të plotë që Kosova ka bërë progres të ndjeshëm sa i përket proceseve demokratike në Kosovë. Fushat tjera teknike në të cilat Kosova ka bërë progres, e të cilat janë konfirmuar edhe nga ana e vet Komisionit Evropian në kuadër të Raportit të Progresit, janë: politikat doganore, tatimore, e drejta e ndërmarrjeve, statistikat, përafrimi i politikës së jashtme të Kosovës me politikën e jashtme të BE-së. Pra këto janë fushat ku Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova brenda këtyre 5 viteve ka bërë progres.
Në cilat fusha duhet të fokusohet qeveria e Kosovës për të përmbushur zotimet e marrëveshjes?
Demush Shasha: Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë që prioritetet kyçe sa i përket Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor janë tre shtylla kryesore. E para është sundimi i ligjit, pra Kosova duhet të bëjë progres të ndjeshëm sa i përket sundimit të ligjit. E dyta është reformat ekonomike, pra reformat të cilat do t’i lejojnë Kosovës që të integrohet me tregun e brendshëm të BE-së. Dhe e treta është fqinjësia e mirë apo dialogu me Serbinë.
Sa ka arritur MSA-ja të përafrojë Kosovën me BE-në?
Demush Shasha: MSA-ja ka ofruar kornizën politike dhe ligjore për të integruar Kosovën në BE. Tani detyrat e shtëpisë janë në anën e Kosovës. Kosova tani duhet të dëshmojë përmes rezultateve dhe fakteve që ka arritur progres në zbatimin e MSA-së. Pra, Kosova duhet të shfrytëzoj këtë mundësi që i ofron MSA-ja dhe të avancojë në rrugën e saj, duke bërë progres në sundim të ligjit, reforma ekonomike dhe fqinjësi të mirë dhe dialog me Serbinë. Tani ne duhet që jo vetëm për hir të BE-së, por për hir të qytetarëve tonë që të bëjmë të gjithë ato reforma prej sundimit të ligjit e deri te kualiteti i arsimit që ofrohet në shkollat tona.