Korrik 12, 2021 | Monday
Në vitin 2010, Bashkimi Evropian në Kosovë lansoi fazën e parë të Programit të BE-së për Stabilizim të Komuniteteve, duke synuar mbështetjen e komuniteteve jo shumicë dhe lehtësimin e integrimit të tyre në shoqëri përmes sigurimit të qasjes në mundësi ekonomike dhe lehtësimit të krijimit të mjeteve të qëndrueshme të jetesës. Gjatë tri fazave të para të projektit, janë mbështetur më shumë se 900 mikro-ndërmarrje të reja dhe ekzistuese, janë krijuar qindra vende pune, si dhe janë zbatuar qindra projekte të ndryshme të komuniteteve. Aktualisht projekti është në fazën e vet të katërt, e cila po zbatohet nga misioni në Kosovë i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOMM), financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim e Kosovës.
Projekti ka pasur ndikim të thellë në jetën e komuniteteve jo shumicë në mbarë Kosovën, dhe storjet e suksesit janë të pafundme. Sllobodan Vllasiq, pronar i fast food-it “Zar” në komunën e Graçanicës, është njëri nga përfituesit e projektit. Vllasiqi e hapi biznesin e tij të vogël në vitin 2017, por po shkonte drejt mbylljes së tij, pasi që posedonte pajisje të vjetra dhe joefikase të punës që i rrisnin së tepërmi kostot e tij.
“Falë mbështetjes që morëm nga projekti, biznesi im është gjallë dhe i suksesshëm. Të gjitha pajisjet e nevojshme për ofrimin e produkteve tona i morëm si donacion. Pajisjet e reja fringo, si skara, frigoriferi, aspiratori për kuzhinën dhe të tjera, na lejuan ta zvogëlojmë konsumin e energjisë dhe të bëhemi biznes efiçient. Falë mbështetjes që morëm nga projekti i financuar nga BE-ja, kapacitetet tona prodhuese dhe shitjet janë rritur për 40%” – deklaron Sllobodan Vllasiq.
Ordinanca dentare “Sllaviq” në fshatin Babimoc në komunën e Obiliqit, është një tjetër storje e suksesit të projektit. Me përfundimin e studimeve të tyre për stomatologji, Sllobodan dhe Andrijana Sllaviq kishin mbetur pa mundësi pune dhe iu desh të kërkonin punë në ordinanca të ndryshme dentare në Mitrovicën e Veriut.
“Po të mos ishte mbështetja që morëm nga projekti, nuk do të kishim qenë në gjendje ta ushtronim profesionin tonë në vendlindjen tonë” – shprehet Sllobodan Sllaviq. “Nga projekti morëm të gjitha pajisjet që kërkohen për punën tonë, si ulëse dentisti dhe mjete të tjera, çka na lejoi ta hapnim ordinancën dentare në fshatin tonë” – thotë Sllobodan Sllaviq. Andrijana dhe Sllobodani deklarojnë se janë shumë të lumtur dhe krenarë që më në fund janë në gjendje ta ushtrojnë profesionin e tyre në vendlindjen e tyre dhe t’u ndihmojnë njerëzve të komunitetit të tyre duke ofruar shërbime dentare.
Danillo Zdravkoviq është pronari i “AMD Pet Shop”. Ky biznes që gjendet në qendër të qytetit të Lipjanit, e ushtron veprimtarinë që nga viti 2013, dhe është i specializuar për prodhimin e ushqimit të kafshëve shtëpiake, si dhe në tregtimin e kafshëve shtëpiake. Në vitin 2019, biznesi i Danillos përfitoi nga projekti duke marrë si donacion një makineri që i mundëson përpunimin e ushqimit të kafshëve shtëpiake.
“Makineria ishte ndihmë e madhe për biznesin tim. Edhe pse u goditëm nga pandemia, si të gjitha bizneset e tjera, makineria na ka lejuar të rrisim kapacitetet prodhuese për të paktën 20%. Falë mbështetjes që morëm nga projekti, na janë rritur shitjet, dhe kam arritur të shtoj edhe një të punësuar” – deklaron Zdravkoviq.
Këto janë vetëm disa nga një mijë storjet e njerëzve që në një mënyrë apo në një tjetër kanë përfituar nga Programi i BE-së për Stabilizim të Komuniteteve, i zbatuar nga misioni në Kosovë i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOMM), dhe i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim e Kosovës.