Shtator 1, 2021 | Wednesday
Një shoqëri e shëndoshë ngrihet duke ofruar arsimim të shkëlqyeshëm, dhe edukimi më i mirë fillon në moshë të hershme, kur fëmijët fillojnë të zhvillohen dhe fitojnë njohuritë dhe shkathtësitë bazë. Bazuar në këtë premisë, në vitin 2018, Bashkimi Evropian në Kosovë së bashku me partnerët e vet zbatues, filluan projektin Zhvillimi Profesional i Mësimdhënësve, objektivi i të cilit është përmirësimi i cilësisë së sektorit të arsimit parauniversitar në Kosovë.
Në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, si dhe me dhjetë Drejtori Komunale të Arsimit, gjatë një periudhe dyvjeçare, projekti i financuar nga BE -ja ka vendosur në 10 komuna një sistem zhvillimi profesional të bazuar në shkolla, dhe ka mbështetur praktikat e mentorimit në shkolla. Konkretisht, më shumë se 1200 mësimdhënës nga 51 shkolla në mbarë Kosovën kanë përfituar nga trajnimet dhe praktikat e mentorimit të projektit, të cilat u fokusuan në tema si: planifikimi për zbatimin e kurrikulës, vlerësimi i nxënësve, arsimi gjithëpërfshirës dhe të menduarit kritik dhe kreativ. Ndërkohë, përfitues të tërthortë të projektit janë edhe afërsisht 23,000 nxënës të klasave nga 0 deri në 5 në dhjetë komunat.
Edhe pse projekti përfundoi në korrik 2020, është siguruar qëndrueshmëria e projektit dhe jetëgjatësia e tij, pasi në bashkëpunim me dhjetë Drejtoritë Komunale të Arsimit janë trajnuar dhe certifikuar 51 trajnerë. Në të ardhmen e afërt, trajnerët e certifikuar do t’i lejojnë komunave të organizojnë në mënyrë të pavarur trajnime për shkollat dhe mësimdhënësit që nuk ishin pjesë e projektit të Zhvillimit Profesional të Mësimdhënësve.