Shtator 30, 2021 | Thursday
Aktivizmi dhe ndërmarrësia kanë qenë dy gjërat që gjithmonë e kanë tërhequr Diamantin. I diplomuar në Fakultetin Ekonomik, Diamanti aktivizmin e shikon si mundësi për të krijuar kushte më të mira për shoqërinë, e në veçanti të rinjtë. Në moshë të re, Diamanti ka qenë pjesë e trajnimeve dhe projekteve të ndryshme që i kanë mundësuar atij të rritet profesionalisht dhe të arrij qëllimet e tij në karrierë. Si 18 vjeçar Diamanti hapi biznesin e tij të parë dhe paralelisht filloi studimet universitare.
Një nga trajnimet që ndikoi në formimin e tij profesional ishte edhe praktika bankare e ndjekur për “Këshilltar i Klientëve të Biznesit” si dhe Akademia për Diplomaci dhe Protokolli Diplomatik. Diamanti ishte po ashtu pjesëmarrës në trajnimin për vendimmarrje në BE, i quajtur “Model European Union” i organizuar nga EWEI, si dhe në trajnimin për Investimet në Bursat Botërore. Gjithashtu pjesëmarrja në konferenca biznesore në Kosovë dhe Shqipëri i ndihmuan shumë.
Falë aktivizmit të tij, Diamanti u bë njëri nga të rinjtë më aktiv në Rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Gjermani, ku mori pjesë vullnetarisht në çdo takim të realizuar dhe në trajnimet online duke prezantuar Kosovën dhe të rinjtë e saj. Ndërsa, vitin e kaluar, Diamanti u zgjodh si Ambasador i Ri Evropian (YEA) në kuadër të organizatës WeBalkans. Në këtë projekt ai është inkuadruar me qëllim që të avokoj dhe të ofroj aktivitete dhe projekte të shumta që lidhen me Ekonominë, Ambientin dhe Aktivizmin Rinor. Synimi i tij është që të promovoj vlerat evropiane dhe mundësitë potenciale që ofrohen për të rinjtë nga Bashkimi Evropian, përmes programeve dhe shkëmbimeve të ndryshme.
Këtë vit si vullnetar ai mori pjesë në shumë trajnime jashtë vendit që trajnonin tema sociale. Me rëndësi të veçantë ai përmend trajnimin për parandalimin e gjuhës së urrejtjes, i organizuar nga Erasmus+ në Vrnjaçka Banjë dhe Sesionin e studimit të të drejtave të njeriut në botën digjitale, i organizuar nga “Youth Express Network” dhe “Connect International” në Budapest të Hungarisë. Këtë vit, Diamanti ka bashkë themeluar OJQ-në “Youth for Peace and Culture” në Prizren, për të kontribuar për të rinjtë në qytetin e tij.
Së fundmi, Diamanti bashkë me Ambasadorët e Rinj Evropian (YEA) nga Kosova dhe Ballkani, në baza vullnetare pastruan një pjesë të plazhit të Durrësit në kuadër të “EUBeachCleanup2021”. Përmes këtij aktiviteti, ai bashkë me pjesëmarrësit e tjerë dhanë një mesazh për rëndësinë e mbrojtjes së jetës detare, me moton “Së bashku për të mbrojtur jetën detare”.
Në fund, Diamanti ju bën thirrje të gjithë të rinjve që të jenë sa më aktiv dhe të lejnë gjurmën në të tashmen për të ndërtuar të ardhmen.