Tetor 25, 2021 | Monday

Liridon Shala – artisti që sjell botën e egër të Kosovë përmes fotografisë

Me qëllim të promovimit të botës së egër shtazore të Kosovës dhe ngritjes së vetëdijes për mbrojtjen e habitatit shtazor, Shtëpia e Evropës në Kosovë hapi ekspozitën “Natyra e egër e Kosovës në një shikim” të autorit Liridon Shala.

Ka kohë që Liridoni merret me botën e egër të Kosovës, duke dokumentuar përmes fotografisë disa nga kafshët më të rralla dhe të rrezikuara. Deri tani, ai ka realizuar  mbi 10.000 foto, kryesisht në territorin e Prizrenit, Gjakovës dhe në malet e Sharrit. Kjo është ekspozita e parë personale e Liridonit, i cili enkas për ekspozitë ka përzgjedhur 20 fotografi që dokumentojnë disa nga kafshët më unike të Kosovës, të regjistruara përmes objektivit të kamerës së tij.    

Liridoni deklaron se ndjehet tejet i lumtur që Shtëpia e Evropës ka vendosur të promovojë punën e tij dhe bën thirrje për kujdes të shtuar dhe mbrojtje të mjedisit. “Ndjehem shumë i lumtur që puna ime shumë-vjeçare është vlerësuar nga Shtëpia e Evropës dhe më është dhënë mundësia të ekspozoj punimet e mia. Qëllimi im është që përmes kësaj ekspozite të njoftoj publikun me speciet që jetojnë në Kosovë dhe të edukojë publikun që t’i mbroj sa më shumë” – deklaron Shala. 

Ekspozita “Natyra e egër e Kosovës në një shikim” po qëndron e hapur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, dhe mund të vizitohet çdo ditë pune nga ora 9:00 – 18:00, deri më datën 25 nëntor.