Dhjetor 28, 2021 | Tuesday

Planet e gjeneratës së re të Ambasadorëve të Rinj Evropianë për vitin 2022

Pas përmbushjes me sukses të rolit të tyre si gjenerata e parë e Ambasadorëve të Rinj Evropianë (ARE) në Kosovë, gjenerata në largim e ARE-ve ia dorëzoi detyrën gjeneratës së zgjedhur rishtazi të Ambasadorëve të Rinj Evropianë. Ambasadorëve të rinj dhe atyre në largim iu dha mundësia të njihen me njëri-tjetrin gjatë takimit të mbajtur në Shtëpinë e Evropës në Kosovë, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së Tomas Szunyog. Ambasadori Szunyog diskutoi me Ambasadorët e Rinj Evropianë në largim dhe të zgjedhur rishtazi mbi përvojat dhe planet e tyre, duke diskutuar rëndësinë e aktivizmit të të rinjve dhe për tema me rëndësie madhore si mbrojtja e mjedisit dhe të tjera. 

Anëtarët e gjeneratës së ARE-ve të zgjedhur rishtazi nuk mund ta fshehin entuziazmin e tyre për emërimin si Ambasadorë të Rinj Evropianë që iu jep mundësinë t’i ndajnë vlerat e BE-së me bashkëmoshatarët e tyre, si dhe të krijojnë rrjete dhe miqësi me ARE nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera anëtare.

Endrit Tasholli, njëri nga dhjetë ARE-të e zgjedhur rishtazi, është student në degën e Dizajnit të Interierëve dhe Mobiljeve dhe vjen nga komuna e Lipjanit. Ai thotë se përzgjedhja si Ambasador i Ri Evropian përfaqëson një mundësi të mrekullueshme për të, pasi i mundëson të flasë për tema që i ka pasion, si mbrojtja e mjedisit, kultura dhe arti.

applicant-video-123 from Western Balkans on Vimeo.

“Planifikoj t’i përdor rrjetet sociale si mjet për rritjen e vetëdijesimit për çka po ndodh me mjedisin në Kosovë dhe për mënyrat si mundemi që së bashku ta mbrojmë dhe përmirësojmë mjedisin ku jetojmë. Gjithashtu, jam shumë i gëzuar që do të prezantoj shumë artistë nga Kosova për të cilët ndoshta nuk keni dëgjuar deri më sot”,  thekson Tasholli. 

Edhe Gresa Boshtraj është ARE e zgjedhur rishtazi. Gresa, me profesion dizajnere, vjen nga qyteti i Deçanit dhe interesat e saj janë historia, kultura dhe arti. Andaj, si ambasadore e re evropiane, Gresa ka vendosur që përpjekjet e saj avokuese të fokusohen në fushat e Artit dhe Kulturës, Integrimit në BE dhe Qëndrueshmërisë.

Gresa Boshtraj Video Introduction from Western Balkans on Vimeo.

“Plani im është të jem zëri i të rinjve kosovarë, duke dëgjuar opinione, komente dhe sugjerime të ndryshme prej tyre, duke hulumtuar, duke krijuar projekt propozime që shpresoj të marrin dritën e gjelbër nga autoritetet më të larta për zhvillimin dhe krijimin e zgjidhjeve, ideve të reja dhe zgjidhjen e sfidave të ndryshme që identifikojmë. Unë dhe ARE të tjera të Kosovës kemi planifikuar shumë projekte dhe evente që do të diskutohen dhe zhvillohen më shumë gjatë takimeve tona javore të planifikuara nga të gjithë ne”, shprehet Gresa.

Shtëpia e Evropës në Kosovë ju uron gjeneratës së dytë të Ambasadorëve të Rinj Evropianë, gjitha të mirat në vitin 2022 dhe premton se do t’i mbështesë në promovimin e vlerave të BE-së në Kosovë, si dhe në krijimin e mundësive të reja për bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.