Korrik 3, 2024 | Wednesday

Një copëz Vjenë sipas përvojës së Lirie Batatinës

Lirie Batatina doli fituese e lojës shpërblyese për dy bileta kthyese për në Vjenë, në kuadër të kampanjës Përjeto Evropën, të organizuar nga BE në Kosovë për të kremtuar Ditën e Evropës 2024. Pasi Ambasadori Tomasz Szunyog ia ndau dy biletat më 9 maj, ajo organizoi udhëtimin e për në Vjenë në fund të muajit qershor. Ne i kërkuam të na tregojë përshtypjet më interesante nga vizita e saj e parë në Vjenë, në mënyrë që përmes udhëpërshkrimeve të saj, edhe ne të planifikojmë më mirë kur e vizitojmë Vjenën në të ardhmen, tash që vizat për qëndrim afatshkurtër në shtetet anëtare janë liberalizuar edhe për qytetarët e Kosovës që nga janari i këtij viti. 

“Vizita në qytetin e Vjenës më la përshtypje të jashtëzakonshme për shumë arsye. Vjena është  qendër kulturore, historike dhe artistike që ofron një përzierje të shkëlqyer të arkitekturës së lashtë dhe asaj moderne. Monumentet si Katedralja e Shën Stefanit, Pallati Schönbrunn dhe Pallati Belvedere janë vetëm disa nga pikat kryesore që tregojnë pasurinë historike të qytetit” tregon Liria për përshtypjet e saj të përgjithshme për Vjenën. Ajo që e ka bërë më të lehtë për të që të eksplorojë çdo cep të qytetit është transporti publik në Vjenë, që sipas saj është jashtëzakonisht efikas dhe i përshtatshëm. Liries, Vjena i ofroi një përvojë të pasur dhe të larmishme me bukurinë, kulturën dhe historinë e saj të pasur. 

“Vizita në këtë qytet të mrekullueshëm mbetet një përvojë e paharrueshme dhe një destinacion që duhet të jetë në listën e çdo udhëtari”, thotë ajo para se të përshkruajë një nga një përshtypjet nga vizitat në lokacionet më mbresëlënëse për të në Vjenë. 

Schönbrunn Palace

Fillimisht vizituam Pallatin Schönbrun dhe përzgjodhëm biletat klasike, ku kohëzgjatja e vizitës ishte rreth pesë orë. Në këtë vizitë përfshihej hyrja në një pjesë të pallatit mbretëror, kopshti i portokajëve, kopshti i labirintit si dhe hyrja në Gloriette në një kodrinë me rreth 60 metra lartësi, që ofronte një pamje të jashtëzakonshme të pallatit si dhe të qytetit të Vjenës nga lart.

Pallati

Pallati na la përshtypje të jashtëzakonshme, me nje pamje të brendshme të mahnitshme dhe përrallore, i strukturuar në frymën e barokut.

Muzeu i historisë së artit –  Kunsthistorische Museum Wien

Muzeu i historisë së artit përmban koleksione të paçmueshme të artit. Ky muze është një nga më të rëndësishmit dhe më të pasurit në botë përsa i përket koleksioneve artistike. Atmosfera në muze ishte e qetë dhe reflektive, që na lejoi ta shijojmë artin thellësisht.

Përgjatë vizitës në këtë muze jashtëzakonisht të pasuruar, një pushim i shkurtër në sallën e bukur në formën heksagonale me kube të muzeut është diçka që ia vlen.

Muzeu botëror/Welt Museum

Muzeu botëror i Vjenës është muzeu më i madh antropologjik në Austri, në të cilin gjenden përkrenarja dhe shpata e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Parlamenti i Austrisë

Hyrja kryesore është e zbukuruar me statujën e Pallas Athenës, perëndeshë e mençurisë, që simbolizon udhëheqjen e mençur dhe drejtësinë. 

Parlamenti gjithashtu organizon ekspozita dhe ngjarje të veçanta që trajtojnë tema historike dhe bashkëkohore, duke ofruar një perspektivë të gjerë mbi zhvillimet politike dhe shoqërore të vendit.

Kopshti i popullit/Volfsgarten

Kopshti publik, një ndër më të bukurit e Vjenës. Larmia e madhe e llojeve të trëndafilëve, me ngjyra dhe forma të ndryshme, e bën shëtitjen nëpër kopsht një përvojë fort të këndshme vizuale. 

Statuja e Wolfgang Amadues Mozzart dhe banesa e tij

Vizita te statuja e Mozartit në Vjenë është një përvojë frymëzuese. Ajo jo vetëm që nderon një nga kompozitorët më të mëdhenj të historisë, por gjithashtu ofron një hapësirë të bukur dhe të qetë ku vizitorët mund të ndiejnë ndikimin e tij të përjetshëm në botën e muzikës.

Katedralja e Shën Stefanit- Stephanfsdom

Vizita në Katedralen e Shën Stefanit (Stephansdom) në Vjenë lë përshtypje të thella për shkak të historisë së saj të pasur, arkitekturës madhështore dhe atmosferës së shenjtë që ofron. E vendosur në zemër të qytetit, kjo katedrale është një nga simbolet më të njohura të Vjenës dhe një pikë referimi e rëndësishme kulturore dhe fetare.

Ndërtesa e katedrales është një kryevepër e arkitekturës gotike, me një histori që daton nga shekulli i 12-të.