Gusht 7, 2024 | Wednesday

Një hapësirë për reflektim dhe kreativitet: Rezidenca 17 

Fondacioni 17 u themelua në vitin 2016 nga një duo që bashkëpunojnë për realizimin e veprave artistike tërheqëse si nga ana vizuale ashtu dhe intelektuale, duke eksploruar këndvështrime sociale dhe psikologjike nëpërmjet video artit eksperimental. Në misionin e vet, Fondacioni 17 e ka pasur synim që nga themelimi të zbatojnë një program rezidence për artistë/e të fushave të ndryshme. Megjithatë, për shkak të mungesës së objekteve të përshtatshme dhe mundësive financiare, u desh pak kohë që kjo të realizohej. Tre vjet më parë, në vitin 2021, Drejtori i atëhershëm për Kulturë në Komunën e Prishtinës iu drejtua Fondacionit 17 për t’u ofruar në përdorim shtëpinë e Hivzi Sylejmanit, shkrimtarit të shquar kosovar të shekullit të 20-të, e cila gjendet në një nga lagjet e Prishtinës, si objekti ku mund të zbatonin programin e tyre të rezidencave artistike. 

Dhe kështu lindi Rezidenca 17, një nga shtyllat kryesore të Fondacionit 17, ku ofrohet një program i pasur me shkëmbime, bashkëpunime dhe procese kreative për shumë artistë/e nga Kosova dhe rajoni. Sipas Sihana Klisuricës, Menaxhere për Komunikim në Fondacionin 17, tetëdhjetë për qind e programit vjetor të Rezidenca 17 mbështetet nga BE-ja nëpërmjet projektit Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor (CC4WB), i zbatuar nga Agjencia e Qeverisë Italiane për Nismat e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ballkanin Perëndimor.

Një nga programet kryesore të Rezidenca 17 është Rezidenca e Artit Infrared që fokusohet në çështjet që lidhen me mjedisin dhe synon të nxisë punën hulumtuese dhe zhvillimin artistik. Me qasje të hapur ndaj punës përmes formatit studio e hapur, ky program mbështet procesin e zhvillimit të ideve për punë hulumtuese apo eksperimentale, organizimin e ligjëratave/prezantimeve publike. 

Zbulimi i Territoreve të Fshehura është një nga projektet e zhvilluara nga Trina Hashani nëpërmjet Rezidencës së Artit Infrared. Hashani është një nga tre artistet që kanë përfituar nga raundi i parë i thirrjes për rezidencën. Pas shkollimit në Londër, Trina vendosi ta shfrytëzojë mundësinë e ofruar nga Rezidenca Infrared që të kthehej në qytetin e saj të lindjes në Obiliq, dhe që të zbulonte mënyrat si ndikojnë hapësirat në identitet dhe zbulim, si përpjekje për ngritje të komuniteteve me sfond të përbashkët duke shprehur përmes artit pamor historinë gojore të gjeneratave të ndryshme të gjendura mes harresës dhe rrënimit. Nëpërmjet përdorimit të një gamë të ndryshme mediumesh, ku përfshihet skulptura, piktura, instalacioni artistik, fotografia dhe video, ajo përpiqet të rrisë vetëdijesimin për mjediset e harruara të lëna në dorë të praktikave rrënuese. Duke parë harrimin gradual të vendlindjes së familjes së saj në Obiliq dhe fshatin Hade, qëllimi i saj është të theksojë rëndësinë e ruajtjes së një mjedisi të shëndetshëm nëpërmjet artit dhe hulumtimit. 

Rezidenca 17 do të vazhdojë të presë artistë/e, hulumtues/e dhe krijues/e që do të angazhohen në programin e rezidencës, punëtori, master klasa, projekte hulumtimi dhe diskutime. Rezidenca ofron gjithashtu hapësirë pune të përditshme për personat e interesuar, së bashku me plot objekte për prodhimtari që janë në proces rinovimi dhe do t’i kthehen komunitetit.