Dhjetor 30, 2021 | Thursday
Shkruan: MSc. Egzona Shala –Ekologjiste/Eksperte mjedisore
Le të fillojmë me përgjigjen bazë në pyetjen: çka do të thotë dekarbonizim dhe si ta arrijmë atë?
Dekarborizimi i referohet procesit të reduktimit të emetimeve në atmosferë të dyoksidit të karbonit (CO2) si rezultat i aktivitetit njerëzor. Objektivi aktual (dhe optimist) i dekarbonizimit është eliminimi, përfundimisht, i emetimeve tona të dyoksidit të karbonit, por nëse kjo nuk arrihet të paktën duhet të reduktojmë nevojat tona që çlirojnë dyoksid karboni.
Për arritjen e dekarbonizimit na duhet të gjejmë mënyra të reja për prodhim dhe konsum të energjisë dhe të realizojmë një kalim radikal drejt burimeve të energjisë të ripërtërishme dhe me karbon të ulët. Na duhet të orientohemi drejt burimeve të ripërtërishme të energjisë me skenarin më të përshtatshëm të dekarbonizimit në mënyrë që Kosova të nisë rrugën e zhvillimit të sektorit të energjisë elektrike që do të çojë në një miks energjetik të përbërë pothuajse tërësisht nga burime të ripërtërishme të energjisë.
Nxjerrja nga përdorimi e thëngjillit është një realitet i pashmangshëm edhe për Kosovën. Ndryshimin nuk do ta përjetojnë vetëm punëtorët – vendet e punës dhe mjetet e jetesës së të cilëve janë në rrezik të drejtpërdrejtë nga nxjerrja nga përdorimi e thëngjillit. Mekanizmat e planifikuara mirë dhe gjithëpërfshirëse të tranzicionit të drejtë jo vetëm që u përgjigjen pasojave të energjisë së pistë, por gjenerojnë vende pune të qëndrueshme dhe ofrojnë një mundësi për ndryshim transformues drejt burimeve të ripërtërishme për shoqërinë e gjerë. Pa u siguruar që askush nuk do të mbetet prapa, shoqëria jonë nuk do ta mbështesë tranzicionin, e kështu Kosova mund të mbetet një nga vendet e fundit me sistem energjetik të bazuar në thëngjill. Në Kosovë nuk është futur ende koncepti i tranzicionit të drejtë, sipas Portalit Just Transition, por shpresojmë se me rritjen e kapaciteteve nga burimet e ripërtërishme të energjisë (solare dhe erë) ky proces mund të jetë më i lehtë dhe çdokush do të jetë i përfshirë në mënyrë të barabartë. Kalimi apo tranzicioni i Kosovës në një me karbon të ulët, dhe në të njëjtën kohë përshtatja me kushte sfiduese të operimit, nuk është e thjeshtë; kërkon konsistencë dhe veprim prej nesh.
Na duhet të veprojmë që ta zbusim rritjen e temperaturave dhe të përshtatemi me stilin e jetesës që kemi krijuar. Përpiquni të hani më pak mish, të blini më pak tesha, dhe të ripërdorni gjithçka që mundeni. Na duhet të veprojmë edhe në mënyrë të pavarur edhe së bashku për planetin tonë, shtëpinë tonë. Ta ri-gjelbërojmë tokën!