Tetor 15, 2024 | Tuesday
Prej lansimit të tij në shkurt 2023, projekti i financuar nga BE-ja “Veprimi Kundër Diskriminimit për të Gjithë”, i zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), synon të krijojë një mjedis mbështetës për të rinjtë, duke siguruar që ata e ato të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Projekti ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për trajtimin e diskriminimit dhe promovimin e të drejtave të njeriut, me fokus në luftën kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në baza gjinore.
Klubet shkollore janë një nga aktivitetet kryesore të projektit. Klubet shkollore të KEC-it bëjnë bashkë vajza dhe djem nga komunitete të ndryshme – shqiptar, boshnjak, turk, rom dhe ashkali – për të mësuar rreth ndërmjetësimit të bashkëmoshatarëve dhe kundër gjuhës së urrejtjes. Më shumë se thjesht si aktivitete jashtëshkollore, këto klube shërbejnë si platforma për nxënësit e gjeneratave të ndryshme për shkëmbim të njohurive, duke siguruar një qëndrueshmëri të luftës kundër diskriminimit edhe përtej kohëzgjatjes së projektit. Deri më tani në këto aktivitete kanë marrë pjesë mbi 310 të rinj e të reja.
Avokimi dhe puna me palë të drejtpërdrejta të interesit të nivelit më të lartë është gjithashtu aspekt i rëndësishëm i projektit. Për identifikimin dhe trajtimin e rasteve të diskriminimit, gjatë gjithë zbatimit të tij projekti ka punuar drejtpërdrejt me drejtorët e shkollave, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Zyrën e Avokatit të Popullit. “Gjatë zbatimit të projektit kemi mbajtur komunikim të rregullt me drejtorët e shkollave, MASHTI-n dhe Avokatin e Popullit për zbulimin e rasteve të diskriminimit në komunat partnere të projektit. Dhe si rezultat i kemi numrat specifikë të rasteve të diskriminimit, përkatësisht: MASHTI: 45 raste të diskriminimit të raportuara; Avokati i Popullit: 19 raste të raportuara; Shkollat përfituese: 444 raste të raportuara”, thotë Ardita Kabashi, Menaxhere e Projektit pranë KEC-it.
Shkolla Verore e përvitshme është një tjetër komponent i rëndësishëm i projektit. Ajo i bën bashkë të gjitha Klubet Shkollore për një përvojë të mësimnxënies, duke përdorur PONDER – një metodologji që përmirëson shkathtësitë jetësore të adoleshentëve duke nxitur edukimin mediatik dhe qasjet kritike ndaj informacionit. Gjatë gjithë Shkollës Verore, nxënësit dhe mentorët bashkëpunojnë për përmbajtje kreative digjitale që synojnë rritjen e vetëdijesimit kundër diskriminimit dhe kundër gjuhës së urrejtjes. Deri më tani, në këtë iniciativë kanë marrë pjesë 120 pjesëmarrës (90 nxënës dhe 30 mentorë), duke prodhuar animacione, lojëra, filma të shkurtër etj. Këto projekte jo vetëm që rrisin vetëdijësimin, por gjithashtu i pajisin nxënësit me mjetet për ta luftuar diskriminimin në jetën e tyre të përditshme.
Nëpërmjet mbështetjes së Bashkimit Evropian, ky projekt ka fuqizuar shkollat dhe komunitetet që të marrin përgjegjësinë për parandalimin dhe trajtimin e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Rezultatet e deritanishme janë premtuese, por rrugëtimi drejt barazisë së plotë vazhdon. Me përkushtim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, projekti Veprimi Kundër Diskriminimit për të Gjithë po kontribuon drejt një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse në Kosovë.