Nëntor 18, 2024 | Monday

Avancimi i Barazisë Gjinore në Kosovë: Përkushtimi i vazhdueshëm i UN Women përmes Projektit të Instrumentit për Barazi Gjinore 

Prej vitit 1999, UN Women ka qenë e përkushtuar për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në Kosovë. Prania e saj për një kohë të gjatë ka qenë vendimtare në formësimin e politikave dhe kornizave që nxjerrin në pah barazinë gjinore si një vlerë themelore sociale për të siguruar mirëqenien e shoqërisë. Janë krijuar themele legjislative që i japin prioritet të drejtave gjinore dhe përfshirjes si në nivelin qendror ashtu edhe në atë komunitar, me ndihmën dhe mbështetjen e rëndësishme të UN Women, e cila punon në bashkëpunim të ngushtë me qeverisjet lokale dhe agjencitë e OKB-së. Në vitin 2002, UN Women lehtësoi zhvillimin dhe zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Arritjen e Barazisë Gjinore, i cili shërbeu si një shembull i planeve të veprimit për barazinë gjinore në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni të Veriut. 

Kur flitet për barazinë gjinore, korniza ligjore e Kosovës është e përafruar me normat dhe standardet ndërkombëtare, përafrim ky që u reflektua në vitin 2020 kur Kuvendi i Kosovës miratoi zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit në Institucionet e Kosovës. 

UN Women në Kosovë po zbaton projektin Instrumenti për Barazi Gjinore (GEF), financuar nga Bashkimi Evropian, për të siguruar integrimin e mëtejshëm gjinor në të gjithë sektorët përmes procesit të anëtarësimit në BE. 

I iniciuar në vitin 2023, me kohëzgjatje prej 30 muajsh, projekti synon të nxisë rezultate më të barabarta socio-ekonomike për qytetarët e Kosovës duke integruar barazinë gjinore në të gjithë sektorët. Nëpërmjet këtij projekti forcohen dhe kultivohen më tej mekanizmat e barazisë gjinore, si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar. Me synim parësor mbështetjen e qeverisë së Kosovës për integrimin e standardeve të BE-së për barazi gjinore, projekti është i lidhur ngushtë me Programin e Kosovës për Barazi Gjinore (2020-2024) dhe Planin III të Veprimit Gjinor të BE-së. Ky përafrim siguron që konsideratat gjinore të bëhen pjesë esenciale e të gjithë sektorëve, duke nxitur gjithëpërfshirje më të madhe dhe zhvillim të barabartë.

Përmes këtij projekti, UN Women dhe Agjencia e Kosovës për Barazi Gjinore (ABGJ) po udhëheqin këtë transformim me punëtori të targetuara, diagnostikim të politikave dhe trajnime institucionale. Punëtoritë me Zyrtarë për Barazi Gjinore në nivel lokal dhe qendror kanë çuar më tej të kuptuarit e integrimit gjinor në përputhje me standardet e BE-së. Veç kësaj, ABGJ-ja kreu analiza ligjore gjithëpërfshirëse në të gjithë sektorët e ndryshëm, duke promovuar praktika me përgjegjshmëri gjinore në prokurimet publike, banimin social dhe fusha të tjera kritike. Në vitin 2024, një delegacion nga Kosova vizitoi Kroacinë për të shkëmbyer praktikat më të mira në përafrimin e politikave gjinore me standardet e BE-së, duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të nxitur një kulturë të barazisë gjinore në kuadër të qeverisjes.

Nëpërmjet projektit GEF u bë gjithashtu një punë e gjerë me qeverisjet lokale për t’u ndihmuar të adoptojnë politika gjithëpërfshirëse. Deri në shtator të vitit 2024, trembëdhjetë komuna në Kosovë kishin miratuar planet e veprimit gjinor falë iniciativës së projektit GEF. Këto plane tregojnë përkushtimin në rritje për barazinë gjinore në nivel komunal. Nëpërmjet punëtorive dhe trajnimeve, mbi 190 zyrtarë komunalë kanë forcuar kapacitetet e tyre për të integruar parimet e barazisë gjinore në qeverisjen lokale, duke siguruar që vendimmarrja komunale të pasqyrojë përkushtimin për barazinë gjinore.

Nëpërmjet veprimtarive të veta, GEF u jep prioritet atyre që janë në risk përjashtimi, duke synuar fuqizimin e komuniteteve të margjinalizuara dhe duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet – duke kontribuar në një ndryshim të mendësisë në vend që të punohet vetëm në një nivel të politikave. Rezultati afatgjatë i aktiviteteve të projektit është se shoqëria po transformohet gradualisht në një vlerë të gjithëpërfshirjes dhe po kultivon përkushtimin për ta bërë barazinë gjinore një parim kryesor në të gjitha aspektet e jetës publike. Duke nxitur një kulturë të gjithëpërfshirjes dhe duke fuqizuar institucionet për respektimin e barazisë gjinore, projekti GEF jo vetëm që sjell përfitime për gratë dhe burrat sot, por gjithashtu ndërton themelet për një të ardhme më gjithëpërfshirëse.