Shkurt 27, 2022 | Sunday

Agona Shporta – duke sjellë kultura të ndryshme muzikore në Ballkan dhe më gjerë

Agona Shporta, vokaliste dhe performuese e muzikës globale nga Prizreni, performuese në festivale të ndryshme muzikore me artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, së fundmi është pëzgjedhur si një nga 12 fituesit e programit të MOST-Balkan Music Export Program, të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Creative Europe. Për të mësuar më shumë rreth muzikës së Agonës, planeve të saj dhe programit Balkan Music Export, kemi realizuar një intervistë me të.   

EH: Kush është Agona Shporta?

A.Sh: Agona Shporta është një vokaliste dhe performuese e muzikës globale, duke gërshetuar kultura të ndryshme të cilat i studion. Lindur në 1994 në Prizren, Agona vijoi mësimet e pianos në shkollën fillore të muzikës “Lorenc Antoni”. Gjatë shkollës së mesme në Prishtinë, ajo filloi të njihej me muzikën e xhazit, përmes bashkë-studimeve me pianistin Ilir Bajri.

Foto nga Ferdi Limani

Njëkohëshit ajo studionte mbi teknika të vokalit me mentorimin e Besa Llugiqit dhe Elikona Hysajt. Gjatë verës 2011, Agona përcolli kursin 5-javorë të jazzit në Berklee College of Music, në Boston. Gjatë asaj kohe, ajo ishte aktive në performanca e festivale në Kosovë, duket performuar me formacione të ndryshme të skenës lokale, me fokus në vokal, dhe ngajherë në instrumente tjera si perkusione, piano dhe trumpetë.

EH: Si është formësuar identiteti artistik i Agonës kur e dijmë që muzika që ju performoni karakterizohet si përzierje e muzikës tradicionale të Ballkanit, me atë të Amerikës Jugore, Indisë dhe Lindjes së Mesme?

A.Sh: Në vjeshtën e vitit 2012, kam filluar studimet e vokalit në fakultetin “New School for Jazz” në New York, ku kam njoftuar muzikantë dhe kultura të ndryshme muzikore që vazhdojnë ta formësojnë identitetin tim artistik. Disa nga ansamblet që kam ndjekur gjatë studimeve ishin “Brazilian Drum Ensemble”, “Cross-Cultural Imporivsation”, “Indian Ensemble”, “Circle-Singing Ensemble”. Në përgatitje të recitalit të diplomimit, kam formuar një grup muzikor, me të cilin zhvilluam një repertuar me përpunime te këngëve nga Ballkani, Brazili, India dhe Lindja e Mesme.

EH: Cilat kanë qenë aktivitetet kryesore artistike të Agonës gjatë viteve të fundit, dhe sa ka ndikuar pandemia në to?

A.Sh: Gjatë vizitave verore në Kosovë, përmes DokuFestit, kam bashkëpunuar me filmbërës dhe muzikantë të ndryshëm ndërkombëtarë. Në gusht të vitit 2017, duoja françeze Vincent Moon dhe Priscilla Telmon, më ftuan që të jemë pjesë e xhirimeve të tyre në Prizren, si dhe të performoj muzikë improvizuese gjatë shfaqjes së punës së tyre, që quhet “live cinema”, ku vizuelizimet e shfaqura miksohen në moment. Përmes platformës së tyre “Petites Planetes” ata publikuan një film të shkurtë të quajtur “Kalimet: A musical portrait of Agona Shporta”.

Disa bashkëpunime të tjera gjatë DokuFestit janë muzikë për filmin e regjisores Chantal Akerman “D’Est” me muzikantin lebanez Rabih Beaini, si dhe mysafire në grupin e iso-polifonisë “Zërat e Lumit” nga Skrapari.

Padyshim që pandemia ka ndikuar te aktiviteti i secili artist. Në shkurt të vitit 2020, isha përzgjedhur në rezidencën muzikore “OneBeat Balkans”, e cila bashkon muzikantë nga shtetet e Ballkanit dhe të Shteteve të Bashkuara, për të krijuar vepra të reja muzikore. Si pasojë e pandemisë, pjesa e parë e rezidencës u organizua online, ndërsa në muajin shtator u krijua mundësia që të gjithë të takoheshim dhe të vazhdojmë punën në formatin fizik; gjë që ishte shumë frymëzuese, pasi që shumica e pjesēmarrësve nuk kishim lëvizur nga vendbanimet tona gjatë vitit dhe nuk kishim mundësi të punojmë në grupe të mëdha muzikore.

Foto nga Fisnik Dobreci

Gjatë rezidencës, grupi u vizitua dhe bashkëpunoi me  artistë si Rambo Amadeus, Marko Louis dhe Visar Kuçi.

Ndërkohë në kuadër të Dam Festit 2020, isha pjesë e filmit “Afër” me regji të Leart Ramës, film ky i cili dokumenton performancat e mia dhe të Visar Kuçit para një dëgjuesi. Po ashtu, në tetor të vitit 2021, isha pjesëmarrëse në festivalin dhe rezidencën “Xarkis” në Qipro, ku përmes inçizimeve të muzikantëve lokal, realizova performancën audio-vizuele, që përshinte këngët, tregimet dhe pamjet e regjistruara gjatë rezidencës.

Foto nga Emma Louise Charalambous

Po ashtu, në kuadër të Fonadcionit Lumbardhi, kam kuruar programin publik veror (2020-2021) ‘Variacionet e Dëgjimit’.

Në muajt e fundit kam qenë duke përgatitur prodhimin e një ngjarjeje kulturore në objektin e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Agimi”.  Së bashku me muzikantet Malbora Krajku, Nita Krajku dhe Tringa Sadiku, më 6 mars 2022, kemi realizuar një performancë me këngë të ri-aranzhuara të folkut të Kosovës e të Shqipërisë. Gjithashtu në repertuar kemi përfshi një këngë nga George Gershwin, të përkthyer e përshtatur nga Agron Shporta, me titull “Vakt’ i Verës”. 

Foto nga Elmedina Arapi

Ishte një përvojë shumë e veçantë dhe shpresoj që hapësirat e tilla të aktivizohen më shpesh për të bashkuar muzikantët me dashamirësit e muzikës dhe të krijojmë kolektive të reja shoqërore.

EH: Së fundmi jeni përzgjedhur si njëra nga fitueset e programit të MOST – Balkan Music Export. Mund të na tregoni më shumë për programin dhe pritjet tuaja?

A.Sh: Të jesh një nga 12 artistët e perzgjedhur si fitues nga më shumë se 100 super-artisë aplikues nga të gjitha vendet e Ballkanit, padyshim që është kënaqësi e veçantë. Programi i MOST “Balkan Music Export”, i mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Evropian, u jep mundësi artistëve të rinj të njihen me skenën e festivaleve në Ballkan dhe vendet e Evropës Perëndimore, si dhe mbështet ndërtimin e portfolios të artistëve duke prodhuar audio apo video të reja. Një tjetër karakteristikë e programit që më ka tërhjekur është fakti që secili muzikant do të ketë mentorët e tyre, me të cilët do të konsultohemi për hapat e radhës së ndërtimit të karrierës sonë. Në muajin prill 2022, përmes magazinës Songlines do të lansohetalbumi “Balkan Music Export vol.2”, që perfshin këngë nga secili muzikantë/grup i përzgjedhur. Në rastin tim, do të lansohet kënga “Nata prap agon”, të cilën e kemi bashkë-komponuar me Tomor Kuçin gjatë vitit 2021, ndërsa teksti është i frymëzuar dhe huazur nga një poezi e babait tim.

Në çfarë projekte jeni duke punuar aktualisht?

A.Sh: Përpos pjesëmarrjes në programin “Balkan Music Export”, projekt tjetër që do ta kisha veçuar gjatë muajit mars, është bashkëpunimi me pianistin Robert Bisha  në Festivalin Metrosound në Tiranë, me ç’rast do të prezantohet muzika dhe kultura arbëreshe.  Në këtë festival do të performoj në koncertin final, 19 Mars,  si pjesë e ansamblit “Kolektiv Score for Arbëresh”, që përfshin një duo poli-vokale mes meje dhe sopranos, Anastasia Skënderaj, basistin Stefano Dalla Porta, bateristin Simone Sferruza dhe pianistin e udhëheqësin e ansamblit Robert Bishën.

Në bashkëpunim me Eroll Shportën, jemi përzgjedhur në thirrjen e hapur të Heritage Space VI, të CHwB Kosova. Projekti ynë synon grumbullimin e kujtesës shoqërore dhe kulturore të Prizrenit të viteve 80’ duke u përqëndruar në kafe-bar “Janis”, i cili ishte pikëtakim i krijuesëve, artistëve e personazheve margjinale të Prizrenit. Faza e parë e projektit fillon me përmbledhje të intervistave, materialeve arkivore si fotografi, kartolina, kaseta e këngë dhe synon gërshetimin e historisë gojore, muzikës dhe artit vizuel. Muzikat që janë dëgjuar në Janis do të përdoren si një metodë e hulumtimit, duke eksperimentuar me potencialin e këngëve në ringjalljen e kujtesës së individëve që do të intervistohen.