Prill 13, 2021 | Tuesday
Fatbardh Kabashi – Ambasador i Ri Evropian (YEA), artist, dizajner dhe bashkë-themelues i “Wooden Eyes”.
Fatbardhi momentalisht është absolvent në Fakultetin e Dizajnit të Integruar në kolegjin UBT. Megjithatë, ai ka filluar të merret me aktivitete të ndryshme për komunitetin qysh në moshën 16 vjeçare, kur së bashku me miqtë e tij krijoi ndërmarrjen sociale “Wooden Eyes”.
Themelimi i ndërmarrjes sociale “Wooden Eyes” erdhi si rezultat i situatës shqetësuese të analfabetizmit të personave të verbër, dhe përpjekjeve për përmirësimin e kësaj situate. Rahoveci, qyteti prej nga vjen Fatbardhi, kishte 149 persona të verbër, prej të cilëve vetëm njëri ishte i aftësuar në shkrim-lexim të alfabetit Braj (Braille). Ky fakt shqetësuar ka ndikuar që Fatbardhi me ndërmarrjen e tij “Wooden Eyes” të kontribuojë në përmirësimin e situatës, përmes shitjes së produkteve të tyre, dhe si rezultat të mundësojë një kurs 3 mujor në alfabetin Braj (Braille) për 10 persona.
Aktiviteti për komunitet i “Wooden Eyes”, u vlerësua fillimisht në punëtorinë “UpShift”, e më pas në “StartUp” të organizuar nga UNICEF InovationLab&PEN, dhe duke vazhduar me suksesin e arritur në garën ndërkombëtare ”Social Impact Award”, ku përçuan mesazhe të rëndësishme, duke vënë në pah vështirësitë shoqërore, sidomos ato në vendin e tyre.
Së fundmi, Fatbardhi ka dizajnuar karrigen ”Beyond chair”. Për më shumë klikoni këtu.
Fatbardhi po ashtu ka ndjekur trajnime dhe seminare me tematika të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit, duke synuar gjithmonë të ngrit nivelin e zhvillimit personal dhe profesional.
Titulli “Ambasador i Ri Evropian” i fituar nga BE-ja, është një vlerë, e cila i ndihmon për të promovuar vlerat dhe mundësitë që ofron Bashkimi Evropian për të rinjtë. Ai së bashku me kolegët e tij ambasadorë, janë duke punuar për të qenë më afër nevojave të të rinjve në Kosovë dhe për ta përfaqësuar zërin e tyre në Evropë.
Mesazhi i Fatbardhit për të rinjtë është: “Mos u frikësoni të ndërmerrni hapa të rinj, sepse çdo rrugë është një eksperiencë e re dhe çdo eksperiencë është një mësim në vete”.