Mars 15, 2021 | Monday

Aktivisti i ri i muajit – Suhel Ahmeti

Suhel Ahmeti është një student njëzetepesëvjeçar nga Prishtina, i cili aktualisht i ndjek studimet e tij për master në Politika Publike dhe Menaxhim. Qysh në moshë të re, Suhel ishte i orientuar kah aktivizmi dhe puna në komunitet, pasi besonte se Kosova dhe rinia e saj kishte nevojë për ndryshime pozitive në aspektin sociopolitik dhe mjedisor për ta arritur potencialin e saj.

Duke qenë i apasionuar pas shkencës dhe astronomisë dhe duke parë se Kosova ishte prapa në astronomi, së bashku me shokët e tij ai i krijoi Klubin e Astronomëve Amatorë të Kosovës. Me qëllim të zhvillimit të astronomisë në Kosovë, ata ia dolën të merrnin pajisje në formë të donacioneve nga astronomët ndërkombëtarë, agjencitë hapësinore dhe NASA.

Këto pajisje u përdorën për ta vëzhguar kozmosin dhe hapësirën, për të organizuar seminare, trajnime, vizita dhe ligjërata nëpër shkolla si dhe për ta përfaqësuar Kosovën ndërkombëtarisht, me ç’rast ia dolën të bëheshin Përfaqësues apo Koordinatorë Kombëtarë të shumë shoqatave dhe institucioneve ndërkombëtare të astronomisë, midis tyre: Astronomët pa Kufij, Explore Scientific, Sterren Schitteren Voor Iedereen (SSVI) dhe të tjera.  

Grupi i tyre e ka fituar vendin e parë në punëtorinë “Podium”, pjesë e Asamblesë Rinore të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e cila u organizua në bashkëpunim me UYT, PEN, UNMIK dhe UNICEF. Projekti “Nën një Qiell” për qëllim kishte heqjen e barrierave ndëretnike dhe përfshirjen sociale të qindra të rinjve nga komunitetet e ndryshme në Kosovë, duke organizuar Seanca Informative për Astronominë dhe duke i vëzhguar Mrekullitë e Universit përmes teleskopëve në dispozicion.

Përveç shkencës dhe astronomisë, Suhel është angazhuar në trajnime dhe seminare të ndryshme, të cilat i kanë ndihmuar që të zhvillohej si në nivelin personal, ashtu edhe në atë profesional. Si një ish-student i OSBE (departamenti i rinisë), ai është promovuar për të marrë pjesë në proceset e vendimmarrjes dhe politikëbërjes, përmes një qasjeje pjesëmarrëse, duke u bazuar në parimin e të mësuarit dhe duke e synuar pajisjen e të rinjve me shkathtësi dhe njohuri të bartshme. Suheli po ashtu ka marrë pjesë në Programin për Lidership si pjesëmarrës dhe Koordinator i Projektit. Kjo përvojë i ka ndihmuar që ta kuptonte Inteligjencën Emocionale dhe Lidershipin.

Për t’i promovuar bukuritë natyrore të Kosovës dhe për avokuar për një mjedis të pastër, së bashku me disa kolegë, ai e ka krijuar grupin e çiklizmit “Kosova Bike”, i cili synon të ngritë vetëdijen e qytetarëve për ta përdorur çiklizmin si sport masiv, rekreativ dhe të shëndetshëm. Ata gjithashtu kanë avokuar në mënyrë aktive për ta përmirësuar sigurinë në trafik dhe për të ndërtuar shtigje biçikletash, dhe kanë qenë të suksesshëm, sepse zëri i tyre si çiklistë është dëgjuar nga institucionet lokale dhe qendrore.

Suheli kishte nderin dhe kënaqësinë të zgjidhej si njëri nga “Ambasadorët e Rinj Evropianë” dhe ta përfaqësonte zërin e të rinjve të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ambasadorët e Rinj Evropianë i promovojnë vlerat dhe mundësitë e BE-së dhe janë të hapur për ide të reja për zhvillimin e talenteve dhe ndryshimeve frymëzuese brenda komuniteteve të ARE-ve, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.  

Në fund, mesazhi i Suhelit për të rinjtë është: “Një udhëtim prej njëmijë vitesh drite fillon me një hap të vetëm. Bëhu ndryshimi që dëshironi ta shihni në këtë botë”.