Qershor 29, 2021 | Tuesday
Amina Kaja është studente 19 vjeçare e Mjekësisë së Përgjithshme, me një ëndërr për t’u bërë kirurge, për të udhëtuar nëpër botë dhe për t’u ndihmuar njerëzve në nevojë.
Edhe pse është e angazhuar në projekte të ndryshme, ajo ende nuk e konsideron veten aktiviste, por shpreson se në të ardhmen e afërt do të ketë zë më aktiv për temat që i konsideron të rëndësishme.
Aktivitetet vullnetare të saj i ka filluar që në moshë të hershme, ndërsa deri më sot ato përbëjnë 500 orë të kohës së saj. Interesimi i Aminës për artin, sidomos për shkrimin, aktrimin, poezinë dhe këndimin, është shtuar gjersa ajo ka qenë nxënëse e shkollës fillore. Poezia mbetet mjeti i saj i preferuar i komunikimit, veçanërisht Poezia e Fjalës së Thënë, pasi ajo ia mundëson që ta trajtojë padrejtësinë, pabarazinë, të drejtat e grave, politikën dhe tema shoqërore të tjera.
Amina ndjehet shumë krenare që është pjesë e shumë grupeve që i nxisin ndryshimet në shoqëri. Si Presidente e Bordit të parë Këshillues për Rininë, Amina, së bashku me aktivistët e tjerë, u kanë ndihmuar më shumë se 400 të rinjve nga komunitetet dhe vendet rurale, duke i ngritur kapacitetet dhe shkathtësitë sociale të tyre. Po ashtu, si Drejtore e Klubit të parë të Karrierës në Shkollën e Mesme, ajo ka arritur të bashkorganizojë aktivitete të ndryshme për studentët, duke i trajnuar dhe mentoruar ata për profesionet e tyre të ardhshme si dhe duke i informuar për mundësitë që i kanë në Kosovë. Mentorimi është aktivitet që Aminës i pëlqen ta bëjë, meqë ia mundëson që të mësojë nga bashkëmoshatarët e saj dhe që, në të njëjtën kohë, t’i ndajë njohuritë dhe përvojën e saj me ta.
Amina është Ambasadore e Re Evropiane dhe e përfaqëson Kosovën. Për shkak të pandemisë, atyre u është dashur që aktivitetet e tyre t’i vazhdonin online. Por, meqë situata me pandeminë po përmirësohet, Ambasadorët e Rinj Evropianë janë të gatshëm t’ia fillojnë me disa projekte shumë të mira për të rinjtë kosovarë, për çka ajo ndjehet shumë e entuziazmuar.