Maj 28, 2021 | Friday

Aktivistja e re e muajit: Diellza Ibrahimi

Diellza është studente dhe aktiviste 19 vjeçare nga Prishtina. Aktualisht ajo është studente e vitit të parë, dhe ndjek studimet në shkenca politike dhe diplomaci. Diellza beson se ndryshimet e mëdha mund të arrihen duke filluar me hapa të vegjël, dhe për këtë arsye që në moshë të re ajo ka qenë aktive në ngjarje të ndryshme, në punëtori, dhe të tjera.

Përvoja e saj prej aktivisteje filloi me pjesëmarrjen në punëtoritë e organizuara nga organizatat lokale, dhe duke bërë punë vullnetare. Ndërsa më vonë, Diellza bëhet pjesë e Ambasadorëve të Rinj Evropian (YEA), projekt ky që synon të promovojë diversitetin tek të rinjtë, si dhe të krijojë ndryshime pozitive brenda Ballkanit Perëndimor.

Përveç kësaj, Diellza është po ashtu udhëheqëse kryesore e një komuniteti në internet me gati një milion përdorues, një detyrë që ajo e bën për gati katër vite radhazi, ku asiston në lidhje me moderimin dhe organizimet brenda komunitetit në baza vullnetare.

Kohët e fundit ajo ka qenë gjithashtu pjesë e një projekti të quajtur “Aktet e solidaritetit në kohë indiference”, ku nëntë të rinj në Mitrovicë u bënë bashkë për të gjetur histori dhe tregime të solidaritetit ndërmjet njerëzve. Këto tregime tani më janë botuar, me ç’rast Diellza është bashkë-autore e dy prej tyre.

Mesazhi i Diellzës për të rinjtë është “Gjithmonë vazhdoni të rriteni dhe ndryshoni me qëllim që të bëheni versioni më i mirë i vetvetes. Duke e bërë këtë, ju njëkohësisht krijoni ndryshim në komunitetin tuaj dhe frymëzoni të tjerët të bëhen versioni më i mirë i tyre po ashtu”.