Korrik 28, 2021 | Wednesday
Egzona Bexheti është e diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, që së fundmi ka përfunduar edhe studimet master. Përgjatë gjithë studimeve të saj, Egzona gjithmonë ka marrë pjesë aktivisht në aktivitete dhe programe të ndryshme vullnetare, me qëllim që t’ua bartë të rinjve dhe bashkëmoshatarëve të saj njohuritë dhe përvojën e fituar.
Disa nga përvojat më unike që Egzona kujton është praktika e kryer në Universitetin James Madison në Firence të Italisë, si dhe pjesa e punës vullnetare në Programin e Shërbimit Vullnetar Evropian në Asociacionin për Dialog Ndërkulturor Rinor në Kajro, Egjipt. Meqenëse interesi i saj bazohet në edukimin joformal, ajo ka qenë edhe pjesë e projekteve të shumta për të rinjtë, si pjesë e programit Erasmus +.
Një vendim që pati ndikim të madh në karrierën e saj ishte angazhimi i saj si hulumtuese në Qendrën Burimore të Drejtësisë Tranzicionale në Fakultetin Juridik, pasi kjo i mundësoi asaj që përfundimisht të përqëndrohej në fushën e të drejtave të njeriut dhe në ndërtimin e paqes. Duke qenë pjesë e qendrës për dy vjet, ajo pati gjasën të merrte pjesë në projekte të ndryshme, ndërsa një nga projektet e saj të preferuar ishte Bisedat me Studentë gjatë drekës, ku së bashku me studentët, diskutonin tema që lidhen me ndërtimin e paqes dhe rolin e edukimit në paqe.
Që nga viti 2018, Egzona është pjesë e organizatës Avokatët e Rinj të Kosovës (Kosova Young Lawyers), ku filloi si vullnetare, ndërsa më vonë si asistente në projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Projekti i fundit në të cilin ishte angazhuar kishte të bënte me gjuhën e urrejtjes, pikërisht në edukimin e të rinjve kundër këtij fenomeni negativ.
Më 2020, Egzona ishte pjesë e Programit Ndërkombëtar të Ligjëratave Ndëruniversitare, të mbajtur nga Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale (IRMCT). Programi kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe njohurive në mesin e komuniteteve të prekura nga konfliktet që kanë ngjarë në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’90. Pas programit, ajo kreu një hulumtim i cili u botua, si dhe u zgjodh për të marrë pjesë në praktikë pune në IRMCT.
Vitin e kaluar, Egzona u zgjodh si Ambasadore e Re Evropiane (YEA), ku ka përfaqësuar të rinjtë e Kosovës gjatë aktiviteteve të ndryshme në rajon dhe në Evropë. Si Ambasadore e Re Evropiane, Egzona fokusohet në promovimin e vlerave evropiane si dhe mundësitë që Bashkimi Evropian ofron përmes programeve të ndryshme.
Mesazhi i Egzonës për të rinjtë është: “Të besojmë në ëndrrat tona, e të punojmë shumë për t’i arritur ato.”