Tetor 18, 2018 | Thursday
Si pjesë e aktiviteteve në kuadër të Fushatës për Mjedis në Kosovë, një ngjarje e rëndësishme ndodhi gjatë muajit tetor në Gjakovë, duke iu rikujtuar njerëzve rëndësinë e lumenjve dhe ujërave të pastra.
Me 16 tetor, një graffiti u krijua nga artistë të rinj e të talentuar në Urën Islam Begu, afër lumit Krena, duke bashkuar gjeneratat e reja dhe duke rritur ndërgjegjësimin rreth mbrojtjes së lumenjve nga papastërtia dhe hedhja e mbeturinave.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, shprehu entuziasmin e tij për këtë ngjarje produktive dhe të menduar mirë ku gjeneratat e reja erdhën për të kuptuar se lumenjtë e liqenet duhet mbrojtur.
Gjini përmendi rëndësinë e mbrojtjes së përgjithshme të mjedisit ndërsa uroi organizatorët që kanë gjetur pikërisht këtë lokacion, një ngjarje kjo e cila do të shërbejë si një sinjal për të rivitalizuar këtë anë të qytetit në të mirë të të gjithë qytetarëve të Gjakovës.
Sipas Gjinit, mbrojtja e mjedisit është problem që na shqetëson të gjithëve dhe se të gjithë duhet të bëjmë më shumë në këtë aspekt.
Grafitti mund të shihet në këtë pjesë të qytetit dhe duke i dhënë një ngjyrim tjetër Gjakovës, u rikujton qytetarëve rëndësinë për të mbrojtur hapësirën ku jetojmë e marrim frymë.
Aktiviteti ishte pjesë e Fushatës për Mjedis e cila po organizohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe po implementohet nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian.