Maj 21, 2024 | Tuesday
Ekspozita “Nostalgjia” nga Aleksandra Zdravkoviq
Duke parë shumë shtëpi të vjetra të bukura, pothuajse të braktisura, Aleksandra Zdravkoviq pyeti veten: “Çfarë na solli modernizimi?” Ajo vendosi se ishte më mirë të mos ndalej në përgjigjet e shumta të kësaj pyetje. Pas përfundimit të studimeve, ajo rivizitoi vendet e kujtesës në vendlindjen e vet, duke u kthyer në ato “ditë të mrekullueshme”, siç thotë ajo. Ajo iu referua ndërtesave në qytetin e saj të lindjes që dikur ishin “shumë më poetike dhe shumëngjyrëshe”, por tani qëndrojnë të zëvendësuara nga rrokaqiejt e gjatë me ngjyra të njëtrajtshme. Duke parë se çdo gjë është e hirtë sot, ajo vendosi të marrë rrugën e kujtesës dhe të riprodhojë këtë jetë shumëngjyrëshe, të zhdukur prej kohësh.
“Nostalgjia” e Aleksandra Zdravkoviqit u hap më 15 mars në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut. Ekspozita përmban akuarele të ndërtesave të vjetra të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Teknika e akuarelit, sipas mendimit të Zdravkoviqit, është e vetmja teknikë që e lejon këtë lloj të shprehjes së butë, por të vështirë të peizazheve shumëngjyrëshe të mureve të rënda që paraqiten në veprat e saj. Për të, vetëm ngjyrat e ujit i përshtatet kësaj shprehje nostalgjie.
Kthimi pas në kohë në këto ndërtesa shumëngjyrëshe dhe poetike është një mënyrë për të mos harruar sa të bukur ishim dhe për të mos u ndalur në idenë se çdo gjë duket e hirtë sot. Është një mënyrë për të na ndihmuar të ushqejmë artin dhe kulturën.
E frymëzuar nga artistët e Renesancës, ndërkohë që është vazhdimisht kurioze për të eksploruar dhe zbuluar teknika të reja, Zdravkoviq aktualisht po fillon projektin e saj të ri artistik me energji të reja të fituara nga ekspozita e saj e fundit në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut. Ajo u emocionua veçanërisht nga takimi i saj me vizitorët, përfshirë ambasadorin Szunyog, të cilët shprehën vlerësime shumë pozitive për punën e saj dhe i njohën disa prej ndërtesave të paraqitura në veprat e saj artistike.