Mars 22, 2021 | Monday
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Sindromë Down, Ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, vizitoi organizatën Down Syndrome Kosova, ku u prit nga Sebahate Beqiri, Drejtoreshë Ekzekutive e Down Syndrome Kosova, dhe përfaqësues të tjerë të organizatës.
Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Ambasadori Tomas Szunyog, e falënderoi znj. Beqiri për pritjen, dhe deklaroi se kjo vizitë është një mundësi për të mësuar më shumë rreth punës së madhe që bëhet nga kjo organizatë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së personave me Sindromin Down, si dhe për t’u siguruar atyre qasje dhe përfshirje të barabartë në shoqërinë e Kosovës.
Ambasadori Szunyog u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të tregojnë lidership dhe të fillojnë miratimin dhe zbatimin e ligjeve dhe strategjive që personave me Sindromin Down u mundësojnë të drejta dhe mundësi të barabarta në Kosovë. Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së theksoi se Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë do të vazhdojë ta mbështesë organizatën Down Sindrome Kosova në punën e saj drejt një shoqërie më të mirë dhe gjithëpërfshirëse.
Sebahate Beqiri, Drejtoresha Ekzekutive e Down Syndrome Kosova, e falënderoi Ambasadorin për vizitën dhe shtoi se një vizitë e tillë në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Sindromë Down, do të thotë shumë, pasi që i jep shpresë dhe mbështetje organizatës. Mbështetja e BE-së për këtë organizatë ka qenë vendimtare sipas znj. Beqiri, pasi që falë kësaj mbështetje organizata ka arritur të trajnojë 500 mësimdhënës, si dhe është bërë e mundur të ofrohen shërbime në kuadër të organizatës.
Ambasadorit Szunyog iu dha mundësia t’i vizitojë ambientet e organizatës Down Syndrome Kosova, ku u njoh me aktivitetet e organizatës, dhe pati një diskutim të këndshëm me anëtarët e rinj të Down Syndrome Kosova.