Maj 21, 2024 | Tuesday
Nga Desantila Muriqi, Ambasadore e Re Evropiane
Vullnetarizmi injekton energji në jetën tonë, duke na dhënë mundësinë të thellohemi, të ndikojmë dhe të jemi pjesë e ndryshimit. Qoftë angazhimi për kauza mjedisore, avokimi për të drejtat e njeriut, eksplorimi i inovacioneve teknologjike, kontributi në marrëdhëniet diplomatike, promovimi i medias, artit dhe kulturës, avancimi i përpjekjeve shkencore, mbështetja e iniciativave për shëndetin dhe qëndrueshmërinë, ose edukimi për ndërmarrësi, vullnetarizmi na fuqizon për të kontribuar pozitivisht në shoqëri.
Vullnetarizmi është forca shtytëse pas rrjeteve të përkushtuara për të përforcuar zërat përfaqësues, siç është rrjeti i Ambasadorëve të Rinj Evropianë. Kjo platformë është e përkushtuar për të mbështetur ndryshime pozitive në komunitetet, vendet dhe rajonet tona duke lehtësuar iniciativat për vullnetarizëm. I krijuar në vitin 2020 si pjesë e Programit Rajonal të Komunikimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, rrjeti i ARE-ve numëron 180 anëtarë nga rajoni, afërsisht 30 nga secili vend i Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, me 60 pjesëtarë të rinj që na bashkohen çdo vit, komuniteti ynë lulëzon dhe vazhdon të rritet në mënyrë dinamike. Kur ne si ARE fillojmë angazhimin tonë, ne nënshkruajmë një marrëveshje për vullnetarizëm që përshkruan përgjegjësitë tona së bashku me ato të ekipit të projektit.
Teksa e shpalos këtë marrëveshje dhe ndaj motivimet për vullnetarizëm të ARE-ve, unë, së bashku me kolegët e mi ARE, do t’ju jap edhe këshilla të brendshme për përfshirjen dhe strategji për të pasuruar udhëtimin tuaj në vullnetarizëm. Pra, vazhdoni të lexoni për më shumë!
Pasqyrë e Marrëveshjes
Në këtë pjesë, do t’ju tregoj për Marrëveshjen për Vullnetarizëm të ARE-ve 2024-2027, duke filluar me një përmbledhje të strukturës së rrjetit dhe më pas duke detajuar rolet, si të ARE-ve ashtu edhe të ekipit të projektit ARE.
Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, ne, ARE-të, i njohim dhe pranojmë udhëzimet e ndryshme. Së pari, ne pranojmë se rrjeti i ARE-ve funksionon si një projekt për avokim, duke u fokusuar në përfshirjen e rinisë në aspektet kritike të integrimit në BE, të pavarur nga agjendat politike. Ne e pranojmë gjithashtu përgjegjësinë tonë për të dalë vullnetarë për kauza që përputhen me interesat tona, si dhe ndajmë informacione në internet për të angazhuar audienca diverse, duke përfshirë ata që nuk janë në gjendje të marrin pjesë fizikisht. Ne e kemi për detyrë të përgatisim plane mujore për rrjetet sociale dhe të angazhohemi në evente dhe iniciativa të ndryshme për të përmirësuar shkathtësitë tona për avokim. Teksa si ARE jemi të angazhuar në mënyrë aktive, ne marrim mbështetje nga Ekipi i Projektit ARE të Ballkanit Perëndimor, i përkushtuar për të rritur praninë tonë përmes trajnimeve dhe asistencës gjithëpërfshirëse, si online ashtu edhe offline. Për më tepër, ata lehtësojnë pjesëmarrjen tonë në eventet dhe projektet rinore në mbarë Ballkanin Perëndimor dhe BE, ndërkohë që inkurajojnë në mënyrë aktive bashkëpunimin me iniciativat e shoqërisë civile për të forcuar angazhimin e komunitetit dhe përpjekjet për avokim.
Për më tepër, ne si ARE angazhohemi t’u përmbahemi Termave dhe Kushteve të përshkruara, të flasim dhe të sillemi me respekt, duke i përfunduar detyrat dhe iniciativat brenda afateve kohore të përcaktuara, duke ofruar njoftuar paraprakisht kur nuk është jemi të disponueshëm, si dhe duke ndjekur qëllimet dhe objektivat e organizatës. Të gjitha aktivitetet në kuadër të këtij projekti janë vullnetare, me shpenzime të rimbursuara në bazë të aktiviteteve dhe buxheteve të miratuara. Është e rëndësishme të theksohet se kjo marrëveshje për vullnetarizëm është moralisht e detyrueshme dhe nuk synon të jetë një kontratë ligjërisht e detyrueshme ndërmjet vullnetarit dhe organizatës. Secila palë rezervon të drejtën ta anulojë këtë marrëveshje në çdo kohë.
Në thelb, Marrëveshja për Vullnetarizëm i fuqizon ARE-të të kenë një ndikim domethënës dhe të mishërojnë frymën e vullnetarizmit!
Mendime të ARE-ve rreth arsyeve pse vendosën të ri-nënshkruajnë Marrëveshjen për Vullnetarizëm
Deri më tani, 23 ARE nga Kosova e kanë nënshkruar Marrëveshjen për Vullnetarizëm 2024-2027. Kjo është marrëveshja e dytë vullnetare që po nënshkruajmë. Kam kontaktuar kolegët e mi për të mësuar më shumë rreth vendimit të tyre për të ri-nënshkruar.
E para, Jora ndan arsyet e saja: “U motivova ta ri-nënshkruaja Marrëveshjen për Vullnetarizëm 2024-2027 për shkak të besimit tim të fortë në fuqinë e vullnetarizmit për të krijuar ndryshime pozitive në shoqëri. Mundësia që të vazhdoj të sjell ndryshim dhe të kontribuoj në nxitjen e unitetit në rajonin tonë, është jashtëzakonisht shpërblyese dhe përmbushëse për mua”. Duke u mbështetur në këtë ndjenjë, do të doja të theksoja se forca e rrjetit tonë me të vërtetë shkëlqen kur ne përqafojmë diversitetin e të gjitha ARE-ve. Këtu, ne hedhim poshtë nocionin e një krijuesi të vetëm të ndryshimit – kontributet unike të secilit individ vlerësohen, të gjithë të bashkuar nga qëllimi i përbashkët për të punuar për një Ballkan Perëndimor më të mirë.
Duke folur për veçantinë e aktivizmit, Agnesa përmend një faktor shtesë bashkues, “Më duket shumë tërheqës dhe efektiv koncepti i rolit të ARE-ve. Komuniteti ynë i ri i ka përqafuar me gjithë zemër vlerat e BE-së dhe punon për t’i përfshirë ato në jetën tonë të përditshme. Rrjeti i ARE-ve është një urë efektive ndërmjet BE-së dhe komuniteteve lokale, dhe secili prej nesh ndërton pjesë të ndryshme të asaj ure”. Ajo thekson rëndësinë e vlerave të BE-së për rrjetin tonë, një tjetër element themelor që e përbashkon rrjetin tonë.
Duke e shtuar reflektimet e saj, Jehona thotë: “Doja të ritheksoja angazhimin tim ndaj rrjetit të ARE-ve për shkak të misioneve që na janë besuar. Vazhdimi i vetëdijesimit për Bashkimin Evropian, misionet dhe vlerat e tij, është diçka që e kam fort për zemër. Për më tepër, fryma e ekipit që mbretëron brenda rrjetit është një forcë e vërtetë lëvizëse për të ndërmarrë iniciativa të mëdha, për të sfiduar veten dhe për t’u hapur ndaj botës”. Jehona gjithashtu thekson një tjetër element thelbësor të rrjetit tonë: miqësitë domethënëse që lulëzojnë teksa udhëtojmë së bashku.
Duke folur për udhëtimet, Amina prek një aspekt thelbësor të vullnetarizmit, i cili gjithashtu vlen të përmendet për rrjetin e ARE-ve: “Dua të vazhdoj të sjell ndryshim në vendin tim dhe të frymëzoj më shumë njerëz që të jenë krijues të ndryshimeve. Nuk jam e njëjta aktiviste që kam qenë herën e parë kur kam nënshkruar Marrëveshjen për Vullnetarizëm, ndaj dua t’i jap gjëra të reja nga vetja komunitetit tim”. Fjalët e Aminës e theksojnë bukur natyrën reciproke të vullnetarizmit, ku veprimet tona jo vetëm që prekin të tjerët, por edhe formojnë rritjen tonë. Ashtu siç mbrojmë kauzat tona, ne vetë transformohemi së bashku me përpjekjet tona vullnetare.
Diellza e përmbledh me fjalë të cilat shumë prej nesh i ndiejnë. “Rrjeti i ARE-ve ma ndryshoi jetën. Më dha mundësi që nuk do t’i kisha pasur nëse nuk do të kisha qenë një ARE, por më e rëndësishmja, më dha një rrjet njerëzish të mrekullueshëm që me të vërtetë po përpiqen ta bëjnë rajonin më të mirë. Ndihem shumë e lidhur me vlerat dhe misionin e projektit dhe mendoj se rrugëtimet tona janë shumë të ndërthurura. Gjithçka që ndjej për rrjetin e ARE-ve është dashuri dhe vlerësim i vërtetë, kështu që vendimi ta nënshkruaj marrëveshjen për vullnetarizëm ishte vendimi më i lehtë i jetës sime”.
Aida, nga ana tjetër, nxjerr në pah një veçori tjetër të rëndësishme të përbashkët për shumë anëtarë të rrjetit tonë: besimin se, ndërkohë që po arrijmë diçka, ka gjithmonë hapësirë për të bërë më shumë. “Jam duke pritur për projekte të reja dhe për të kontribuar më shumë për shoqëritë tona”, thotë ajo.
Rrjedhimisht, teksa konsideroj fushat për përmirësim në të ardhmen e afërt, bisedoj me ARE-të për qëllimet e tyre kryesore për periudhën 2024-2027. Amina thotë: “Këtë herë, synoj të përfshij më shumë njerëz në diskutime, panele dhe protesta, të kem më shumë kontakte me grupe të ndryshme dhe të bëj disa postime të reja argëtuese për prezantuar!” Agnesa shton, “Unë personalisht synoj ta përdor përvojën time në integrimin në BE për të informuar bashkëmoshatarët e mi për përditësimet kryesore të integrimit të Kosovës”. Më tej Diellza thotë, “Qëllimi im është të inicioj dhe të marr pjesë në sa më shumë projekte dhe gjithashtu ta përfaqësoj rrjetin në mënyrën më të mirë të mundshme! Me një theks shumë të veçantë për inicimin e projekteve, sepse e kemi vënë në vijë njërin :)”. Teksa objektivat tona kanë ndryshime, ne të gjithë ndajmë një motivim të përbashkët: një angazhim për të nxitur një ndikim pozitiv në komunitetet tona, çka është thelbi i misionit të rrjetit tonë.
Hyrja në vullnetarizëm
Ndiheni të pasigurt se ku të filloni? Nuk je vetëm. Nëse e keni arritur deri këtu, mund të jeni duke reflektuar rreth përvojave të ARE-ve që kanë qenë vullnetarë për këtë rrjet për rreth tre vjet, ndoshta duke e pyetur veten si ta bëni atë hapin e parë. Epo, pikërisht ata ARE janë këtu për të ofruar udhëzime bazuar në përvojat tona.
Është mitë të fillojmë me këshillën e Aminës: “Mos u fiksoni në si po filloni apo nga po filloni! Angazhohuni me një festival, drejtoni një diskutim, mbillni një pemë, pastroni komunitetin tuaj, nuk ka rëndësi! Ajo që ka rëndësi është të jeni gati për të bërë një ndryshim, dhe pas kësaj, fillimi është pjesa e lehtë”. Por më pas lind pyetja: cilin nga këto aktivitete të zgjidhni? Dy janë rekomandimet e dallueshme. Agnesa sugjeron: “Filloni nga sfidat dhe barrierat tuaja. Filloni me atë që ka rëndësi për ju. Filloni nga komuniteti juaj. Aktivizmi dhe vullnetarizmi nuk duhet të kenë të bëjnë me tema që tingëllojnë shkëlqyese ose që të gjithë i mbështesin. Thjesht duhet të jetë realist dhe një shërbim që përpiqet për më mirë, duke qenë të durueshëm dhe duke e ditur se ndryshimi i vërtetë kërkon kohë”. Viola shton: “Filloni me diçka që e keni pasion. Me shumë gjasë do të gjeni persona me interesa të përbashkëta, do t’i eksploroni më tej pasionet tuaja dhe në të njëjtën kohë do të jepni një kontribut të vlefshëm për komunitetin”. Mos harroni mend, çelësi është të filloni aty ku ndiheni më të lidhur dhe të pasionuar, dhe pjesa tjetër do të pasojë natyrshëm.
Edhe pasi ta keni kaluar pengesën dhe ta keni kuptuar se ku do të filloni, veprimi si vullnetar sjell pjesën e vet të sfidave. Marr parasysh këtë, Jora rekomandon: “Mos kini frikë të kontaktoni, të bëni pyetje dhe të përfshiheni – çdo veprim mirësie dhe shërbimi, sado i vogël qoftë, mund të sjellë ndryshim në jetën e dikujt dhe në botë”. Për më tepër, është e rëndësishme të mos jeni tepër të rreptë me veten. Nëse zbuloni se një mjedis, grup ose shkak i caktuar nuk përputhet më me interesat ose vlerat tuaja, ndjehuni të fuqizuar për të eksploruar gjëra të tjera. Për sa kohë që keni ndikim pozitiv, do të ketë gjithmonë vend për ju.
Për fundi, ja reflektimi i paçmueshëm i Jehonës: “Para së gjithash, duhet të dini se të duash të bëhesh vullnetar do të thotë të duash të kryesh një akt të fortë qytetar. Dhe për këtë, ju mund të jeni krenarë për veten! Një veprim vullnetar duhet t’ju bëjë të lumtur, t’ju sjellë një ndjenjë të arritjes dhe t’ju ndihmojë të rriteni dhe të evoluoni brenda shoqërisë. Ndaj, mbi të gjitha, bëni atë që ju pëlqen më shumë, brenda një strukture apo një rrjeti që ju entuziazmon”. Fakti që po lexoni deri këtu tregon përkushtimin tuaj ndaj angazhimit qytetar, duke treguar se jeni më se të përgatitur për të ndërmarrë hapin tjetër. Jeni gati të sillni ndryshim
Ajo që është edhe më e mirë është se të gjitha ARE-të që ofrojnë këto rekomandime janë lehtësisht të qasshme në platformat e tyre në rrjete sociale. Mos ngurroni të kontaktoni cilindo prej nesh me pyetje në lidhje me rrugëtimin tuaj në vullnetarizëm ose aktivizëm. Veç kësaj, ja disa lajme emocionuese: thirrja për 10 ARE të ardhshëm të Kosovës për t’iu bashkuar rrjetit tonë, do të lansohet pas disa muajsh. Pra, filloni të ndiqni eventet tona, njihuni me ne dhe vendosni nëse dëshironi të jeni pjesë e këtij rrjeti duke filluar nga dhjetori 2024.