Shtator 27, 2015 | Sunday

A janë vullnetarët thjesht budallenj? – nga Stefan Veljković

Gjëja e parë që na vjen ndër mend kur dikush përmend “vullnetarizmin” në veri është “të mos paguhesh.” Ju mund t’u ofroni atyre çfarëdo informatash mbi këtë temë, megjithatë ata janë këmbëngulës në mbrojtjen e keqpërceptimit të lartpërmendur ndaj tyre.

Pastaj, pjesa më e madhe e sektorit të OJQ-ve në veri meritojnë, pa dyshim, etiketimin “grabitqarët e parave”, mirëpo do të ishte e padrejtë dhe jo e pasaktë nëse do të thonim se të gjitha OJQ-të në veri janë të njëjta. Mund të garantoj për këtë.

Unë kam punuar me të rinjtë qe 5 vjet e gjysmë; kam punuar me qindra të rinj, dhjetëra prindër, mësues, por jo edhe aq shumë aktivistë. Mund të pyesni – pse jo?! Për një arsye të thjeshtë: nuk ka shumë! Aktivistët, vullnetarët, entuziastët e ardhshëm – quajini si të doni – po shtypen nga komunitetet e tyre përkatëse; atyre u është fiksuar të mendojnë se vullnetarizmi është diçka që njerëzit e mençur nuk i besojnë dhe në të cilin nuk angazhohen.

Ky iluzion i dëmshëm duhet të ndryshojë. Menjëherë.

Synergy, organizata e të rinjve në të cilën punoj me seli në Mitrovicën Veriore, ka organizuar ose ka marrë pjesë në një numër veprimesh dhe aktivitetesh, që të gjitha në përpjekje për të krijuar një qytet më të mirë dhe një shoqëri më të mirë, nga e cila të rinjtë nuk do të donin të iknin. Mund të jetë e habitshme për lexuesit të dinë se në veri “ekzistojnë” më shumë se 600 OJQ. Megjithatë “Synergy” është aktualisht e vetmja OJQ në veri e cila mbledh një numër të madh aktivistësh të rinj (më shumë se 150 anëtarë aktiv të moshës 12 deri në 20 vjeç). Potenciali i një grupi të tillë është tejet i madh. Por si mund t’i motivojnë anëtarët tanë të regjistrohen si vullnetarë? Për fillestarët: ne u tregojmë atyre se mendimet dhe qëndrimet e tyre janë të rëndësishme për ne, sepse ato me të vërtetë janë! Ne përfshijmë sugjerimet dhe mendimet e tyre në punën tonë. Nuk është zbulim i madh, apo jo? Ajo çfarë bëjmë është se u tregojmë atyre se ata mund të ndryshojnë komunitetin e tyre për të mirë! Ajo që ne nuk e bëjmë kurrë është t’u themi atyre se ata duhet të dorëzohen dhe të sillen e veprojnë si pjesa tjetër e kolegëve dhe miqve të tyre, gjë që shumica e komunitetit e bën. Ne flasim vazhdimisht me ta për të qenit ndryshe! Indiferenca është ajo që pikërisht na shpiu në apatinë që shumica e njerëzve ndodhen tani.

Strategjia Kombëtare për Rininë dhe Udhëzimi Administrativ për Vullnetarët e Kosovës janë të dyja të shkruara në një miks të tmerrshëm fjalori dhe sintakse të serbishtes, shqipes dhe anglishtes, dhe janë mjaft të paqarta edhe për dikë që ka specializuar në gjuhë, si p.sh. për mua. Të dy dokumentet duhet të paktën të bëhen të lexueshme dhe të kuptueshme për ata që dëshirojnë të informohen mbi këtë temë. Në mënyrë që këto dokumente të bëhen relevante, ato duhet të ri-përkthehen, ashtu që të mund të kritikohen dhe të rishikohen. Megjithatë, deri tani ato nuk kanë pasur ndonjë rëndësi në veri  dhe me sa duket do të vazhdojnë të kenë ndikim zero. Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë ka krijuar gjithashtu një Strategji Kombëtare për të Rinjtë dhe një ligj mbi vullnetarizmin, mirëpo asnjëri prej tyre nuk zbatohet në veri, për shkak të çështjeve socio-politike aktuale. Në thelb, ne nuk kemi asnjë ligj apo legjislacion që do të mbështeste të rinjtë të bëhen vullnetarë ose anëtarë aktivë të komuniteteve të tyre përkatëse.

Në shoqërinë moderne inspirimi i të rinjve për t’u bërë vullnetarë, për të marrë pjesë në punë të përgjegjshme sociale mund të jetë gjëja më e vështirë për punëtorët e të rinjve. Shumica e të rinjve janë të hutuar nga kaq shumë çështje të parëndësishme, tema të parëndësishme, çështje të përditshme që nuk e meritojnë fare vëmendjen e tyre. Kjo është arsyeja pse na mbetet neve, punëtorëve të të rinjve, që të mendojmë për tërheqjen e të rinjve për të marrë pjesë, të jemi provokues në paraqitjet tona, të përpiqemi dhe të frymëzojmë të rinjtë me mesazhe që nxisin mendime.

Koha është thelbi. Punëtorët e të rinjve duhet të fillojnë së vepruari tani; duhet të jenë më pak të prekur nga apatia dhe duhet të jenë më të interesuar në atë se si të tërhiqen të rinjtë si vullnetarë dhe si anëtarë aktivë të shoqërisë së tyre. Tani, askush nuk tha se do të jetë një punë e lehtë, dhe ne – të rinjtë – nuk mund ta përballojmë të rrezikojmë rininë tonë duke e lejuar vetëm të argëtohet; ne duhet ta shfrytëzojmë atë në mënyrë që të jetojmë në një komunitet më të mirë dhe më të begatë. Çështja është – unë nuk mendoj se kemi zgjedhje tjetër; duhet të vendosim nëse duam të jemi vëzhgues të ndryshimeve, apo akterë që i bëjnë ndryshimet realitet, dhe si mund të jetë mënyra më e mirë për ta arritur këtë se sa përmes vullnetarizmit dhe punës rinore!

Autori është Drejtor i Programit dhe Punëtor për të Rinjtë në YEC Synergy