Gusht 31, 2021 | Tuesday

Arjana Rudari – aktiviste e të drejtave të njeriut dhe mjedisit

E diplomuar në Universitetin e Prishtinës në departamentin e Ekonomisë së Aplikueshme dhe Menaxhimit Biznesor, dhe fituese e bursave të shumta studimi në universitete prestigjioze ndërkombëtare, Arjana ishte e dhënë pas aktiviteteve dhe punës vullnetare qysh në moshë të re.

Puna e saj vullnetare ka nisur në vendlindjen e saj me organizatën ‘Better Life’, për të vazhduar më pas me aktivitete të ndryshme në OJQ të tjera, kryesisht duke avokuar për barazi gjinore dhe mbrojtjen e mjedisit. Arjana gjithashtu ka punuar me Komunitetin Rom dhe komunitetet e tjera pakicë duke u angazhuar për gjithëpërfshirjen dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.

Arjana ka përfaqësuar të rinjtë e Kosovës në konferenca të ndryshme ndërkombëtare, pasi që ajo është e bindur në potencialin e të rinjve kosovar, prandaj edhe angazhimi i saj në pjesën më të madhe të kohës është i fokusuar në krijimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë. 

Vitin e kaluar Arjana është zgjedhur Ambasadore e Re Evropiane, ku bashkë me ambasadorë të tjerë të zgjedhur, ajo morri pjesë në projekte të shumta të zhvilluara. Ndër më kryesoret kanë qenë ngjarjet e zhvilluara online gjatë pandemisë me tema nga më të ndryshmet si ajo e ndryshimeve klimatike, barazisë gjinore, kulturës, aktivizimin e të rinjve dhe shumë të tjera. 

Punën si ambasadore e sheh si mundësi për integrimin e rinisë kosovare dhe ballkanike në shoqërinë dhe kulturën evropiane, e njëkohësisht edhe promovimin e vlerave ballkanike në vendet e Bashkimit Evropian. Arjana gjithashtu mundohet të jetë shembull për të rinjtë në Kosovë, duke bashkëpunuar me ta dhe duke i frymëzuar që të jenë aktivë në të gjitha fushat dhe veprimtaritë.

Arjana ju bën thirrje të gjithë të rinjtë që të jenë më kërkues në mësime, të marrin pjesë në aktivitete dhe politika që përcaktojnë të ardhmen e tyre, dhe të jenë ideatorë jetës më të mirë në përgjithësi.