Mars 8, 2017 | Wednesday

Arsimimi është fuqi

Nga Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e Bashkimit Evropian

Dita Ndërkombëtare e Gruas ka të bëjë me festimin, avokimin dhe veprimin për të drejtat e njeriut në nivel lokal dhe global. Ka të bëjë me mbështetjen për të drejtat e tyre dhe njohjen dhe vlerësimin e kontributit të tyre në të gjitha fushat. Për mua kjo është një ditë për të reflektuar mbi padrejtësitë dhe abuzimet me të cilat përballen gratë në baza ditore siç është dhuna familjare, trajtimi i pabarabartë në punë, qasja e kufizuar në arsim, ngacmimi në baza gjinore dhe çështje dhe probleme të tjera të cilat ato përjetojnë çdo ditë.

Prej që kam ardhur në Kosovë, gjashtë muaj më parë, unë kam takuar shumë gra të cilat përfaqësojnë institucionet, shoqërinë civile, gazetare dhe afariste. Të gjitha janë profesioniste të forta, të arsimuara dhe me integritet. Por, pavarësisht faktit se Kosova ka pasur presidente femër, tani ka ministre femra dhe  ka një kuotë elektorale prej 30% në parlament, e cila tregon një përfaqësim të konsiderueshëm, disa statistika dhe të dhëna tregojnë se mbetet shumë punë për tu bërë në lidhje me përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë.

Pavarësisht legjislacionit në fuqi, e di që në praktikë gratë në Kosovë ende përballen me beteja të pakapërcyeshme për qasje në pronë dhe në lidhje me të drejtën për trashëgimi. Mungesa e pronësisë çon deri tek shumë sfida ku varësia financiare është ndër të parat. Kjo e kufizon gruan në shumë aspekte duke filluar nga nisja e një biznesi deri tek largimi nga një familje abuzive. Bazuar në të dhënat e marra nga Profili Gjinor i Vendit 2014 (i fundit i publikuar), shkalla e punësimit tek gratë është përafërsisht 18%, më e ulëta në Evropë krahasuar me 55% të burrave të punësuar. Këto të dhëna flasin vetë.

Besoj se gratë nuk mund t’a luftojnë të vetme këtë boshllëk të madh. Burrat duhet të angazhohen në betejën për barazi gjinore dhe fuqizim të gruas pasiqë ata janë në pozita vendimmarrëse. Për më shumë, barazia gjinore është thelbësore për arritjen e të drejtave të njeriut. Por, si mund të ndryshohet kjo situatë? Cilat janë mënyrat më efektive për të arritur fuqizimin e gruas? Ka vetëm një gjë që më vie ndërmend dhe ajo është: ARSIMIMI.  Arsimimi është faktor kyq për fuqizimin e gruas me dijen, aftësitë dhe vetëbesimin e nevojshëm për të marrë pjesë plotësisht në zhvillimin e shoqërisë. Arsimimi dhe dituria janë fuqi. Unë besoj se çdo nënë e arsimuar ka më shumë gjasë t’i përkushtohet arsimimit si prioritet për fëmijët e vet.

BE-ja i kushton vëmendje të veçantë fuqizimit të grave dhe barazisë gjinore.  Në Dokumentin Strategjik për Kosovën, e cila përcakton prioritetet e ndihmës tonë për Kosovën për shtatë vite (2014-2020), promovimi i barazisë gjinore përmendet në mënyrë të veçantë  si aspekt kyq i cili lidhet me punësimin, politikat shoqërorë, arsimimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore.

Të gjitha gratë meritojnë një jetë me të drejtë arsimimi dhe pjesëmarrjeje në të gjitha aspektet e jetës publike. Duhet t’i jepet fund jetesës brenda kufinjëve të normave të ngurta gjinore, të cilat shpesh rezultojnë në pabarazi gjinore

E di që populli i Kosovës është shumë krenar me fituesen e medaljes së artë në lojërat olimpike Majlinda Kelmendi dhe këngëtarët e njohura  Era Istrefi dhe Dua Lipa, të cila po e promovojnë Kosovën rreth botës. Këto femra model inkurajojnë gratë dhe vajzat që të aspirojnë për udhëheqje dhe sukses. Por për të pasur më shumë storie suksesi të cilat e përfaqësojnë Kosovën më së miri ndërkombëtarisht, shoqëria e Kosovës duhet të bëjë më shumë në krijimin e një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për gratë. Me të drejtë thuhet se zhvillimi i gruas përcakton zhvillimin e një kombi dhe fuqizimi i gruas është fuqizim i njerëzimit. Unë besoj se bota është një vend më i mirë me gra të arsimuara dhe të fuqizuara.