Nëntor 9, 2023 | Thursday
Intervistë me Natasha Hërniq
Në shtator 2023, Natasha Hërniq, arkitekte dhe artiste, hapi ekspozitën e saj Arkitektura Evropiane Përmes Shekujve në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut.
Ajo ka ndërtuar, me rrëshirë me bazë niseshte, modele 3D të disa prej ndërtesave më ikonike evropiane të ndërtuara gjatë shekujve, duke u përpjekur të vërtetojë se arkitektura është dëshmi e zhvillimit njerëzor, por edhe për të promovuar vetëdijesimin mjedisor përmes arteve.
Në intervistën e mëposhtme ajo shpalos më shumë detaje rreth punës së saj dhe burimit të frymëzimit për këtë ekspozitë.
Çka e frymëzoi ekspozitën tuaj dhe si lidhet ajo me rrugëtimin tuaj artistik?
Më shumë se një vit më parë fillova të eksploroja mundësitë e printimit 3D dhe përfundimisht ky u kthye në një nga pasionet e mia të mëdha. Duke qenë se jam adhuruese e udhëtimeve dhe gjithashtu arkitekte, u magjepsa nga ndërtesat e vjetra të kontinentit të vjetër, veçanërisht sepse pata mundësinë t’i shikoja nga afër. Në një moment lindi ideja për të ndërthurur dy pasionet e mia më të mëdha – arkitekturën dhe udhëtimin dhe vendosa të filloj të krijoj modele të ndërtesave më mbresëlënëse në Evropë që kam pasur mundësinë të vizitoj dhe që kanë pasur një ndikim të fortë tek unë si arkitekte, udhëtare dhe artiste.
A mund të na tregoni për procesin tuaj krijues dhe teknikat që keni përdorur për të krijuar veprat e artit në këtë ekspozitë?
Fillimisht kam filluar të punoj me modele të ndërtesave më të famshme me disa materiale mjaft të zakonshme karakteristike për printimin 3D, si dhe të përpunoj vizatimet në programet përkatëse. Në këtë mënyrë doja të përfaqësoja të gjitha ndërtesat e njohura evropiane, të rëndësishme për zhvillimin e qytetërimit njerëzor në këtë pjesë të botës, në renditje kronologjike. Atëherë vendosa t’ia nis që nga fillimi dhe bëra Stonehenge, si një nga ndërtimet më të vjetra. Pas Stonehenge gjithçka rrodhi natyrshëm, duke treguar historinë e zhvillimit njerëzor.
Si i zgjidhni materialet dhe mediumet për veprën tuaj artistike dhe si kontribuojnë ato në mesazhin e përgjithshëm të ekspozitës?
Pas ca kohësh zbulova rrëshirën me bazë niseshteje, e cila më magjepsi sepse ishte e biodegradueshme, ndryshe nga materialet e tjera të printimit 3D, dhe vendosa që ndërtesat e ardhshme do t’i bëja nga i njëjti material. Krijimi i modeleve miqësore me mjedisin ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua, për shkak të gjithë krizës mjedisore dhe klimatike. Arkitektët po përballen me shumë sfida gjatë projektimit në ditët e sotme për sa i përket efiçiencës së energjisë, kështu që këtë e kisha parasysh gjatë gjithë kohës kur prodhova modelet e ekspozitës. Secila prej ndërtesave përfaqëson një dëshmi të zhvillimit të qytetërimit dhe kjo ishte ideja kryesore e kësaj ekspozite. Për mendimin tim, arkitektura është një nga treguesit më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të zhvillimit njerëzor.
A mund të na thoni më shumë për kontekstin shoqëror dhe historik që ka shërbyer si pikënisje për ekspozitën tuaj?
Nëpërmjet mënyrës së ndërtimit, materialeve dhe stilit, ne mund të shohim saktësisht se si mendonin dhe përparonin paraardhësit tanë. Kjo më mahniti thellësisht dhe më bëri të mendoj se ku filloi qytetërimi, ku është sot dhe ku mund të jetë pas disa dekadash apo shekujsh. Pikërisht kjo është arsyeja pse kjo ekspozitë fillon në një farë mënyre me Stonehenge dhe përfundon me një ndërtesë moderne siç është Turning Torso si përfaqësuese e arkitekturës moderne. Është vërtet e mahnitshme ajo që kemi arritur si qytetërim deri më tani.
Cili është mesazhi i veprave tuaja artistike në këtë ekspozitë? Kujt i drejtoheni përmes veprave tuaja artistike dhe çfarë lloj debati shoqëror synoni të nxisni përmes ekspozitës suaj?
Me këtë ekspozitë doja të inkurajoja të gjithë vizitorët që të mendojnë për përparimin e qytetërimit dhe zhvillimin e kreativitetit në arkitekturë dhe ndërtimtari. Jam e vetëdijshme se qytetarët e Kosovës nuk udhëtojnë aq sa do të donin, prandaj ishte e rëndësishme që këto objekte, të paktën kështu, t’i prezantoja në format të vogël dhe shumica e vizitorëve ishin shumë të interesuar. Gjithashtu, rrëshira me bazë niseshte është një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj ekspozite. Doja të theksoja se sa i rëndësishëm është mjedisi ynë dhe t’u them artistëve se edhe arti duhet të jetë i ndërgjegjshëm për mjedisin. Ne të gjithë duhet të kujdesemi për planetin tonë në çdo mënyrë që mundemi.
A ka ndonjë artist, lëvizje ose referencë specifike nga historia e artit që ndikon në veprat tuaja artistike?
Në këtë moment jam e magjepsur nga zhvillimi i arkitekturës, përdorimi i materialeve, duke vërejtur se si lindën stile të ndryshme dhe cili ishte ndikimi i historisë në zhvillimin e qytetërimit njerëzor. Më duket shumë interesante dhe frymëzuese. Kjo mund të jetë tema e punës sime në të ardhmen. Ka shumë artistë që përdorin printimin 3D për artin e tyre. Më pëlqen puna e Nick Ervinck, artisti belg që hap horizonte të reja në printimin 3D. Gjithashtu, do të përmendja artisten çeke Monika Horcicova, e cila është jashtëzakonisht kreative në punën e saj artistike.
A ka ndonjë vepër brenda punimeve të ekspozitës që zë një vend të veçantë për ju dhe nëse po, pse?
Një gjë që e kam pasur ndërmend gjatë krijimit të modeleve të ndërtesave për këtë ekspozitë ishte të bëja ndërtesa të vjetra siç ishin para se të dëmtoheshin, si Partenoni apo Koloseu. Sinqerisht, ndërtesat e vjetra janë ndërtesat e mia të preferuara, veçanërisht sepse u përpoqa t’i bëja ashtu siç ishin menjëherë pas përfundimit të ndërtimit të tyre.. Casa Batllo ishte gjithashtu shumë interesante, për shkak të teknikave të reja të pikturës që përdora në të.
Ju u angazhuat në një bisedë me audiencën për ekspozitën tuaj në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut. Cilat ishin komentet më interesante nga publiku? Si e pritën ekspozitën tuaj?
Kjo ekspozitë u prit jashtëzakonisht mirë dhe u vizitua përtej pritshmërive të mia. Anëtarët e audiencës kishin shumë pyetje në lidhje me rrëshirën që përdorja për printimin 3D. Iu pëlqeu shumë ideja se ishte miqësore me mjedisin, bënin shaka se si duken kaq mirë dhe madje janë të ngrënshme, gjë që nuk janë, natyrisht. Befasia më e këndshme ishin studentët e arkitekturës. Atyre ju pëlqeu ideja e printimit 3D të modeleve të ndërtesave, sepse mund të jetë shumë e dobishme për ata që studiojnë arkitekturë. Tek disa prej të rinjve lindi interesi të studionin arkitekturën pasi e vizituan këtë ekspozitë dhe kjo më bëri shumë të lumtur dhe krenare.
A do t’ju shërbejnë reagimet që keni marrë nga publiku për veprat tuaja të ardhshme?
Për mua, interesimi i audiencës për printimin 3D dhe arkitekturën ishte shumë i rëndësishëm. Kjo përvojë më frymëzoi të vazhdoj të punoj me rrëshirë me bazë niseshte për printimin 3D dhe të kontribuoj në ruajtjen e mjedisit në mënyrën time, sepse është shumë e rëndësishme për mua, si dhe të filloj të eksploroj me mënyrat dhe format e mia që mund të përdoren praktikisht në arkitekturë, ose kanë domethënie artistike.
Pse është arti juaj i rëndësishëm për shoqërinë? Çfarë qëllimesh synoni të arrini përmes artit tuaj?
Për mendimin tim, kjo ekspozitë ishte një mënyrë për ta nxitur publikun të mendonte në mënyrë më të thelluar për veten individualisht, për shoqërinë, qytetërimin, kohën dhe ndikimin tonë në mjedis dhe zhvillimin njerëzor. Mendoj se do ta vazhdoj këtë ide për ca kohë, për punën time të ardhshme. Dëshira ime është t’i afroj njerëzit me arkitekturën, veçanërisht të rinjtë që mendojnë të studiojnë arkitekturë, por ndihen të pasigurt për disa arsye. Gjithashtu, një gjë tjetër shumë e rëndësishme që dua të theksoj është mbrojtja e mjedisit. Mesazhi im për të gjithë njerëzit, vizitorët e ekspozitës, artistët, arkitektët, do të ishte që të kujdesemi për planetin tonë Tokë në çdo mënyrë të mundshme. Secili prej nesh është përgjegjës. Mbrojtja e planetit tonë fillon me ne.