Mars 18, 2021 | Thursday

Barra e pabarabartë e grave në krizë ekonomike – Dita Dobranja

Pabarazitë në mbarë botën janë shtuar për shkak të pandemisë COVID-19. Vendet në zhvillim kanë mbetur prapa vendeve të zhvilluara në marrjen e vaksinave; fëmijët nga familjet më të varfra kanë më shumë gjasa që të mos kenë qasje në mjetet për mësim online, ndërsa grave kudo u është dashur që të përballen me një rritje të shumëfishtë të detyrës për t’u kujdesur për ta dhe me një gjasë më të madhe për ta humbur punën e tyre.

Kosova nuk është ndryshe. Në fillim të pandemisë, kushtet e tregut të punës në Kosovë tregojnë një ndasi të qartë midis burrave dhe grave. Përderisa shkalla e papunësisë për burrat ishte rreth 23%, për gratë ishte në 34%[1]. Edhe më keq, shkalla e punësimit të grave – përqindja e grave që janë të punësuara – është nën 14%, ndërsa për burrat ishte 46%. Këto kushte më pak se ideale u përkeqësuan më tej nga pandemia e COVID-19. Masat kufizuese që u vendosën nga qeveria ndikuan në ekonominë në përgjithësi dhe në punësimin në veçanti.

Në të dhënat e publikuara deri në tremujorin e tretë të vitit 2020 shihet qartë se pandemia ka ndikuar jo vetëm në përkeqësimin e situatës sa i përket punësimit, por edhe më shumë në dekurajimin e punëtoreve. Gratë në Kosovë kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, me më pak se 20%, madje edhe kohërat e zhvillimit ekonomik. Gjatë periudhës së mbylljes më të madhe dhe tremujorit të parë pas mbylljes, shkalla e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore ra në më pak se 18%. Rënia e aktivitetit ekonomik për gratë dhe ekspozimi i tyre ndaj rreziqeve më të larta në tregun e punës janë vërejtur edhe në Kosovë.

Së pari, gratë kanë më shumë gjasa të punojnë në sektorët që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe veçanërisht në sektorët që e kanë nivelin më të lartë të rrezikut nga ekspozimi. Nga të gjitha gratë e punësuara në Kosovë, 20% punojnë në sektorin e arsimit; 19% në tregtinë me pakicë; ndërsa 14% në aktivitetet e kujdesit shëndetësor[2]. Të tre këta sektorë janë ndikuar shumë nga pandemia dhe kanë nivel të lartë të ekspozimit. Për më tepër, studimet tregojnë se rreth 30% e grave që punojnë në sektorin privat para pandemisë kanë punuar pa kontratë. Në kohë krizash, kur reduktimi i vendeve të punës bëhet domosdoshmëri, janë zakonisht të punësuarit pa kontrata që largohen nga puna, çfarë i bën gratë në sektorin privat në Kosovë shumë të cenueshme ndaj këtyre reduktimeve. 

Së dyti, gratë janë të ngarkuara me kujdesin dhe punë shtëpiake, ngarkesë kjo që është shtuar drastikisht gjatë pandemisë. Para pandemisë, gratë në Kosovë, pavarësisht statusit të punësimit të tyre, kanë punuar më shumë se 3 orë në amvisëri dhe kujdes shtëpiak. Kjo shifër është edhe më e lartë për gratë që janë të martuara dhe që kanë fëmijë. Me pandeminë, ka pasur një rritje të kërkesës dhe nevojës për kujdes shtëpiak, veçanërisht për kujdesin për fëmijët dhe për familjarët e moshuar. Gratë janë përgjegjëse për ofrimin e këtij kujdesi në mënyrë joproporcionale.

Në një studim të Institutit Riinvest të vitit 2016 tregohet se rreth 78% e grave janë vetë përgjegjëse për kujdesin ndaj fëmijëve në familjet e tyre[3]. Para pandemisë, gratë kanë punuar më shumë se 10 orë në ditë, si në punë me pagesë, ashtu edhe në punë pa pagesë, ndërsa ka të ngjarë që numri i këtyre orëve të jetë rritur pas fillimit të pandemisë. Edhe kalimi në mësimin online për fëmijë i ka kontribuar një angazhimi të shtuar të grave për t’u ndihmuar fëmijëve që të mësojnë. Prandaj, gratë janë bërë edhe më të varfra gjatë vitit të kaluar. Gratë kanë shumë më shumë gjasa që të heqin dorë nga puna me pagesë për t’u kujdesur për fëmijët sesa burrat, çfarë i bën gratë më të prira për t’i humbur të ardhurat dhe pavarësinë ekonomike të tyre.

Së treti, gratë kanë më shumë gjasa që të dekurajohen për të kërkuar punë në kohëra të pasigurisë ekonomike. Siç tregojnë shifrat e mësipërme, gratë në Kosovë tashmë janë mjaft të dekurajuara nga pjesëmarrja në tregun e punës edhe në kohëra të aktivitetit ekonomik të rregullt. Marrë parasysh çështjet e lartpërmendura, gratë kanë më shumë gjasa që të heqin dorë nga kërkimi i punës kur janë të papuna dhe të presin që gjendja ekonomike të përmirësohet para se të kthehen në tregun e punës.

Pozita ekonomike e grave në Kosovë ka qenë problem edhe para fillimit të pandemisë, por si kriza shëndetësore dhe e kujdesit, ashtu edhe kriza ekonomike e kanë përkeqësuar pozitën delikate në të cilën kanë qenë gratë gjatë 20 viteve të fundit. Politikat ekonomike dhe qasja institucionale për rimëkëmbjen ekonomike duhet ta kenë në konsideratë ndikimin disproporcional që e ka pasur kriza.

Politikat duhet të hartohen si reagime të orientuara kah sektorët që pritet të shpijnë në zhvillim ekonomik të mëtejshëm. Në këtë aspekt, duhet të merren parasysh politikat e trajnimit dhe ritrajnimit të fuqisë punëtore, subvencionimit të pagave për punë praktike, etj.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Punësimit duhet të fillojnë të publikojnë të dhëna të ndara sipas sektorit dhe sipas gjinisë dhe moshës për ta mundësuar hartimin e hollësishëm të një strategjie të zhvillimit ekonomik që synon t’i përmirësojë mundësitë ekonomike për të gjitha grupet në shoqëri.

Krahas kësaj, politikat aktive fiskale duhet të merren parasysh së bashku me investimet publike që synojnë stimulimin e sektorëve më të goditur dhe sektorëve në të cilët janë të punësuar grupet më të cenueshme, siç janë gratë dhe të rinjtë.

Krijimi i një skeme të subvencionimit të pagave (që jepet si subvencion i drejtpërdrejtë për pagat ose si ulje e tatimeve) mund të shërbejë si plotësim i mirë i boshllëqeve ekzistuese në treg. Një mënyrë e hartimit të këtyre programeve është mbështetja e punësimeve të reja nga kompanitë, por duke saktësuar se do të subvencionohen punësimet e reja nga grupet e nënpërfaqësuara në tregun e punës.

Një politikë tjetër që zbatohet në kohë krizash është punësimi afatshkurtër ose me orar jo të plotë i punëtorëve nga më shumë se një kompani në disa sektorë. Stimujt për kompanitë për të krijuar mundësi punësimi me kontrata afatshkurtra, edhe pse në planin afatgjatë kjo është e padëshirueshme, mund të jenë mënyrë e mirë për të ofruar mundësi punësimi për të papunët, edhe nëse jo punë të përhershme. Nga kjo do të përfitonin posaçërisht gratë, marrë parasysh kufizimet kohore me të cilat përballen.

Dita Dobranja

Eksperte e ekonomisë për hulumtime ekonomike, zhvillim të sektorit privat dhe analizim të tregut të punës.


[1] Agjencia e Statistikave të Kosovës, Anketa e Fuqisë Punëtore, 2019

[2] Agjencia e Statistikave të Kosovës, Anketa e Fuqisë Punëtore, TM1, TM2, TM3, 2020

[3] Instituti Riinvest, Gratë në fuqinë punëtore, 2016