Mars 17, 2016 | Thursday

Bashkimi Evropian promovon dialogun civil aktiv

Qytetarët janë në zemër të projektit evropian dhe pritet të ushtrojnë të drejtat e tyre si qytetarë të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu të gjejnë mënyra për t’u përfshirë në politikën evropiane dhe për të formësuar agjendën politike të BE-së.

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian në fjalimin e tij në pritjet për përfshirjen e shoqërisë civile në implementimin e agjendës së Post-2015 të mbajtur në selinë e OKB-së, theksoi rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në mbajtjen e qeverisë përgjegjëse dhe për të na shtyrë më tej në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm.

Komisioni Evropian është shumë mirënjohës për rolin e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian në lidhjen e grupeve të palëve të interesit me institucionet e BE për të shkëmbyer pikëpamjet dhe për të kontribuuar në debate dhe procese politike.

Në programin “Evropa për qytetarët” është mbuluar një pjesë e madhe e dialogut civil, që është në përputhje me Nenin 11 (2) të Traktatit mbi Bashkimin Evropian duke siguruar se institucionet janë aty për të mbajtur një dialog të hapur, transparent dhe të rregullt me ​​shoqatat përfaqësuese dhe shoqërinë civile, dhe sipas Nenit 10 të Rregullores së Këshillit që themelon programin “Evropa për Qytetarët” për periudhën 2014-2020.

 

Disa nga objektivat e përgjithshme të Programit  “Evropa për Qytetarët 2014-2020” janë:

  • të kontribuojë në të kuptuarit e qytetarëve për Bashkimin Evropian, historinë dhe diversitetin e tij;
  • të kujdeset për qytetarinë evropiane dhe të përmirësojë kushtet për pjesëmarrje qytetare dhe demokratike në nivel të Unionit;
  • të rrisë ndërgjegjësimin për rikujtim, për historinë dhe vlerat e Unionit dhe qëllimin e tij, respektivisht të promovojë paqe, vlerat e Unionit dhe mirëqenien e qytetarëve të tij duke stimuluar debat, reflektim dhe zhvillim të rrjeteve;
  • të inkurajojë pjesëmarrjen demokratike dhe qytetare të qytetarëve në nivel të Unionit, duke zhvilluar të kuptuarit e qytetarëve për procesin e politikëbërjes së Unionit dhe promovimin e mundësive për angazhim shoqëror dhe ndërkulturor dhe vullnetarizëm në nivel të Unionit.

 

Prioritet tjetër i programit “Evropa për qytetarët” për vitin 2015 është angazhimi në debatin aktual mbi Bashkimin Evropian në kohën e krizës ekonomike dhe pas zgjedhjeve evropiane të majit 2014, ku ka nevojë për zgjerim të mëtejshëm të debatit mbi të ardhmen e Evropës lidhur me atë se çfarë Evrope duan qytetarët, duke stimuluar kështu edhe forma të reja të pjesëmarrjes qytetare ndërsa përforcohen format ekzistuese. Megjithatë, debati i tillë nuk duhet të kufizohet te qytetarët që tashmë janë këmbëngulës në idenë e Bashkimit Evropian, por duhet të shtrihet te qytetarët të cilët nuk kanë qenë të përfshirë deri tani, ose të cilët e refuzojnë Unionin apo vënë në dyshim të arriturat e tij.

 

Që nga viti 2010, BE-ja ka mbështetur organizatat e shoqërisë civile në Kosovë me më shumë se 8 milion euro nga tre instrumente të ndryshme të shoqërisë civile:

  • Lehtësimi i Shoqërisë Civile mbështet zhvillimin e shoqërisë civile për të marrë pjesë aktivisht në debatet publike mbi demokracinë, të drejtat e njeriut, përfshirjen sociale dhe sundimin e ligjit, dhe ndërtimin e kapacitetit të tyre për të ndikuar në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.
  • Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut mbështet veprimet inovative nga organizatat e shoqërisë civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, me qëllim të rritjes së respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në promovimin e të drejtave të njeriut dhe reformën demokratike
  • Skema e granteve të BE-së për veriun mbështet zhvillimin socio-ekonomik të veriut të Kosovës përmes përmirësimit të infrastrukturës bazë komunale dhe në këtë mënyrë zbutjen e papunësisë, forcimin e sektorit të bujqësisë, mjedisit, biznesit dhe atij të shoqërisë civile, me qëllim të përmirësimit të gjendjes ekonomike, kohezionit social, integrimit dhe bashkëpunimit.

 

Disa nga projektet më të rëndësishme që janë dhënë në kuadër të këtyre tri instrumenteve të shoqërisë civile po trajtojnë çështjet jetike për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës, duke filluar nga fuqizimi i shoqërisë civile për të marrë pjesë në mënyrë efektive në politikëbërje dhe vendim-marrje nëpërmjet dialogut me institucionet qeveritare dhe forcimi i rolit të organizatave të shoqërisë civile të grave në promovimin e të drejtave të grave dhe pjesëmarrjen e tyre në politikë. Grantet e shoqërisë civile kanë promovuar edhe përforcimin e kapaciteteve të të rinjve dhe veprimet e tyre për ndryshim. Sipas skemës së granteve të BE-së për veriun, një numër fondesh janë ndarë për përfshirjen sociale në komunat veriore dhe për partneritete sociale qytetaro-publike. Komponentet e tjera të mbështetjes së BE-së për shoqërinë civile përfshijnë promovimin e kulturës nëpërmjet ngjarjeve të muzikës dhe artit, me qëllim të rindërtimit të lidhjeve dhe besimit në mes të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.