Maj 7, 2022 | Saturday
Shtëpia e Evropës në Kosovë, e mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka përgatitur aktivitete të shumta të gjelbra dhe digjitale, për të shënuar Ditën e Evropës 2022. Koncerte, punëtori, diskutime dhe të tjera, janë vetëm disa nga ngarjet e përgatitura për të shënuar Ditën e Evropës. Më poshtë, lista e plotë e ngjarjeve.
Art i Rrugës – E ardhmja e gjelbër dhe transformimi digjital
Aktivitetet e Javës së Evropës 2022, fillojnë me ngjyrosjen e njërës prej hyrjeve kryesore të qytetit të Prishtinës. Për dhjetë ditë me radhë, Prishtina do të mirëpres artistë të njohur ndërkombëtarë, të cilët së bashku me artistë vendorë, përmes ngjyrës dhe artit në rrugë, do t’i japin jetë qytetit, me mesazh të veçantë për një të ardhme të gjelbër dhe digjitale.
Dita e Lëvizshmërisë të së Ardhmës
Ditën e Evropës 2022 do ta hapim së bashku në dy rrugët kryesore të Prishtinës, bashkë me Ambasadorin e BE-së Tomash Sunjog, dhe ambasadorët e vendeve tjera anëtare, ku do të argëtohemi dhe do të lëvizim të lirë pa makina dhe ndotje.
Prandaj, ejani me më të dashurit tuaj dhe shijoni lëvizjen me biçikleta apo trotinetë elektrikë të cilat do të jenë në dispozicionin tuaj.
E Ardhmja e Gjelbër përmes Teknologjisë AR
E ardhmja është e gjelbër dhe digjitale! Në Ditën e Evropës, Shtëpia e Evropës në Kosovë dhe BONEVET kanë përgatitur një ngjarje fantastike virtuale për ju.
Ejani në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe përjetoni si asnjëherë më parë burimet kryesore të energjisë së ripërtëritshme te paraqitura pëmes animacioneve të ndryshme dhe teknologjisë AR (Augmented Reality).
Mini Ekspozitë: E Ardhmja e Gjelbër
Ekspozita “E ardhmja e gjelbër” e organizuar në bashkëpunim me “BONEVET” në Ditën e Evropës, është mundësi e shkëlqyer për të gjithë ju që dëshironi të mësoni më shumë për burimet e energjisë së ripërtëritshme, përmes punimeve të ndryshme të krijuara nga nxënësit e “BONEVET”.
Ejani në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, përkrahni inovatorët e rinj të teknologjisë dhe mësoni më shumë për energjinë e gjelbër.
Punëtoria e Krijuesve të së Ardhmes
Shtëpia e Evropës dhe BONEVET organizojnë punëtori të teknologjisë për fëmijët e moshës 7-11 vjeç. Përgjatë punëtorisë në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Arte dhe Matematikë (STEAM), fëmijët do të mësojnë përmes robotëve mBot dhe gjuhës koduese Scratch, se si të krijojnë punime nga imagjinata e tyre.
Kuiz Diturie: E ardhmja e Gjelbër dhe Digjitale
Pjesëmarrësit të ndarë në ekipe prej tre personash, do të testojnë njohuritë e tyre për energjinë e gjelbër dhe teknologjinë, si dhe do të garojnë për të fituar tri çmimet kryesore.
Ceremonia hapëse e Chopin Piano FEST Prishtina
Njëri ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës klasike në Kosovë, Chopin Piano FEST Prishtina, hapet këtë vit më 9 maj në Ditën e Evropës, me koncertin e pianistit të famshëm botëror Martin Garcia Garcia, dhe përfundon më 8 qershor, duke sjellur para publikut kosovarë më shumë se 15 koncerte, masterklase, punëtori, gara për instrumentistë dhe kompozitorë, dhe aktivitete të tjera kulturore. E veçantē tjetër e edicionit të sivjem të Chopin Piano FEST Prishtina, është edhe pjesëmarrja e festivalit në programin SYNERGY të mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes progamit Creative Europe.
Takim mes të Rinjve dhe kompanive të TIK-ut
Për të gjithë ju që synoni një karrierë në sektorin e teknologjisë informative apo thjeshtë dëshironi të mësoni më shumë, Shtëpia e Evropës në Kosovë së bashku me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), kanë përgatitur një mundësi të shkëlqyer për ju.
Më 10 maj prej orës 10:00 deri në orën 12:00, ejani në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, njihuni me kompanitë kryesore të teknologjisë dhe informacionit në Kosovë, shkëmbeni kontakte dhe mësoni gjithçka që ju intereson rreth mundësive të panumërta në këtë sektor.
Takim mes të Rinjve dhe Ambasadorëve të BE-së në Dragash
Më 10 maj, Ambasadori i BE-së Tomash Sunjog së bashku me pjesëtarë tjerë të Zyrës së BE-së në Kosovë, ju mirëpresin në Dragash për një takim dhe për një bisedë të këndshme rreth rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së, mundësive të të rinjve në Kosovë dhe BE, energjinë e gjelbër dhe transformimin digjital, si dhe tema tjera me rëndësi për të rinjtë.
Ejani në Shtëpinë e Kulturës në Dragash, njihuni me Ambasadorin Sunjog dhe stafin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe mësoni më shumë.
Takim mes të Rinjve dhe Ambasadorëve të BE-së në Prizren
Ambasadorët e Rinj Evropian (YEA) dhe stafi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ju mirëpresin në amfiteatrin e Kino Lumbardhit në Prizren, për një diskutim të këndshëm rreth mundësive të shumta për të rinjtë, Agjendës së Gjelbër Evropiane, dhe transformimit digjital.
Nëse jeni nxënës apo student dhe dëshironi të mësoni më shumë rreth mundësive që ju ofrohen dhe të ardhmës së gjelbër e digjitale, mos e lëshoni këtë rast.
Takim mes të Rinjve dhe Ambasadorëve të BE-së në Ferizaj
Ambasadorët e Rinj Evropian (YEA) dhe stafi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ju mirëpresin në Galerinë e Arteve në Ferizaj, për një diskutim të këndshëm rreth mundësive të shumta për të rinjtë, Agjendës së Gjelbër Evropiane, dhe transformimit digjital.
E Ardhmja e Gjelbër përmes Teknologjisë AR
E ardhmja është e gjelbër dhe digjitale! Shtëpia e Evropës në Kosovë dhe BONEVET kanë përgatitur një ngjarje fantastike virtuale për ju.
Ejani në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut dhe përjetoni si asnjëherë më parë burimet kryesore të energjisë së ripërtëritshme te paraqitura pëmes animacioneve të ndryshme dhe teknologjisë AR (Augmented Reality).
#DitaeEvropës2022