Gusht 4, 2020 | Tuesday
Sot, Udhëheqësi në Detyrë i Zyrës së BE-së/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Riccardo Serri, i dorëzoi Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, 30 ventilatorë për NJKI, 200 oksimetra pulsi dhe 20 elektrokardiografë për luftimin e COVID-19 në Kosovë.
Vlera totale e këtij donacioni është pothuaj 900,000 mijë euro, dhe është pjesë e ndihmës së BE-së për Kosovën për përballimin e pandemisë COVID-19. Furnizimet u prokuruan përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS).
“Besoj se veçanërisht 30 ventilatorët e Njësisë së Kujdesit Intensiv mund të bëjnë dallim të madh dhe të lehtësojnë problemet e trajtimit për ata që preken më keq nga infeksioni Covid-19,” tha Serri. Ai nënvizoi se Kosova nuk mund ta përballojë një përkeqësim të mëtejshëm të situatës me Covid-19.
“Të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë e tyre dhe të respektojnë rregullat, të tilla si mbajtja e distancës fizike, mbajtja e maska, larja e duarve, shmangia e turmave, siç bëjmë ne sot gjatë këtij eventi,” tha ai.
“Autoritetet e Kosovës duhet gjithashtu të prijnë dhe t’i japin luftës kundër pandemisë vëmendjen urgjente që meriton. Do ta shfrytëzoja këtë mundësi edhe për t’i bërë thirrje Qeverisë dhe institucioneve shëndetësore të bëjnë përgatitjet e nevojshme në lidhje me ndarjen buxhetore dhe burimet e tjera për t’u përgatitur sa më mirë që të munden,” tha Serri.
Në prill, maj, qershor dhe korrik, BE-ja e furnizoi Kosovën me 10 autoambulanca, 190 shtretër spitalorë, 6 mijë komplete testimi për COVID-19, 150 pompa infuzioni, 127 monitorues të pacientëve, 1.6 milion doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 127 mijë maska të frymëmarrjes FFP2, 60 mijë kominoshe njëpërdorimshe, 23 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, dhe pajisje të tjera mjekësore.
Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po e ndihmon Kosovën me rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë me grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën.