Qershor 27, 2019 | Thursday

Biseda inspiruese e BE-së me Nora Hasanin

Me 19 qershor, Europe House mirëpriti Nora Hasanin – Drejtoreshë Ekzekutive e KDWV Kosovarisch-Deutsche Wirtschaftsvereinigung – Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, si pjesë e aktiviteteve të EU Inspirational Talks nën Fushatën për Zhvillim Ekonomik.

Hasani ishte shumë emocionuese gjatë fjalimit të saj, duke treguar se si ajo gjatë luftës në Kosovë u largua për në Gjermani dhe nga atje ka mësuar gjuhën gjermane e cila i ka shërbyer tutje në jetë, deri në pozitën ku është sot.

“Sot kam një grup prej pesë grave të punësuara në këtë institucion, të cilat punojnë me orar të plotë dhe janë të mrekullueshme. Ato janë aty sepse e kanë merituar, kuptohet. Qëllimi ynë është mbështetje e bizneseve nga Gjermania dhe Kosova dhe bashkëpunimit të tyre më të fuqishëm për të gjetur iniciativa dhe projekte të reja” ka treguar Hasani gjatë bisedës inspiruese në Europe House.

Nora është një drejtoreshë shembullore e cila ka punuar më herët edhe për institucione tjera, mes tyre edhe ato nga Gjermania.

“Unë besoj se Kosova mund të ecë përpara dhe kjo është arsyeja pse kam vendosur të qëndroj këtu. Kam pasur oferta pune në Gjermani dhe kudo tjetër, por për mua dhe për fëmiun tim e fëmijët tjerë dua të ndihmoj në krijimin e një ambienti më të mirë” tregoi Hasani.

Biseda inspiruese me Nora Hasanin ishte aktiviteti i fundit i Fushatës për Zhvillim Ekonomik e cila përfundoi një ditë më pas, me 20 qershor.