Shkurt 23, 2019 | Saturday

Bisedë inspiruese me Adriatik Kelmendin

Ishte Adriatik Kelmendi, i pari personazh që vjen në kuadër të një cikli të ri të rrëfimeve që quhet ‘EU INSPIRATIONAL TALKS’.

Çdo muaj, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe në Mitrovicë të Veriut do të mbahen këto biseda të cilat do të sjellin personazhe të cilat kanë përballuar sfidat në mënyrë të ndryshme, kanë arritur sukses apo kanë dështuar, duke na inspiruar kësisoj për angazhimet tona.

Vjosa Berisha – Kryesuese e Projektit në EUICC e mirëpriti në bisedë Adriatik Kelmendin – gazetar, ligjërues dhe moderator i emisionit të njohur RUBIKON.

IMG_0338

Kelmendi nisi bisedën duke treguar pak për përvojën e tij në Londër, atje ku edhe ishte një prej përfituesve të bursës së njohur Chevening.

“Për mua, kjo mbetet ndër bursat më cilësore që janë dhënë në Kosovë. Unë tanimë kisha rreth pesë vjet përvojë pune në Kosovë para se ta merrja këtë bursë studimi për në Britaninë e Madhe, pasi edhe bursa vetë kërkonte një dëshmi paraprake në drejtimin që e keni marrë në jetë. Unë isha gjenerata e tretë dhe për mua studimi në Londër nënkuptonte takimin me kultura të reja. Unë kam jetuar në një konvikt ku katin e kemi ndarë me një vajzë nga Japonia, një tjetër nga Tajvani dhe nga Singapori” ka nisur tregimin e tij inspirues Kelmendi.

Kelmendi në Londër ka studiuar në Goldsmith, në degën Media dhe Komunikim Politik.

Kelmendi e ka nisur punën në Koha Ditore si praktikant, duke u paguar asokohe 150 marka. Në moshën 21 vjeçare u bë redaktor i rubrikës së kulturës ndërsa në moshën 23 vjeçare redaktor përgjegjës.

IMG_0344

“Në atë kohë, nëse ke pasur talent dhe nëse ke ditur një gjuhë të huaj, atëherë dyert kanë qenë të hapura sepse nuk ka pasur kaq shumë media sa sot. Unë kam punuar njëkohësisht edhe në Kohën Ditore edhe në Radio Koha – një program 15 minutësh në bashkëpunim me BBC” tregoi tutje Kelmendi.

Në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së njerëzit ishin mbledhur ta dëgjonin rrëfimin e Kelmendit, sot i njohur shumë edhe si moderator dhe krijues i emisionit RUBIKON, ku parakalojnë fytyrat më të njohura të politikës, kulturës, ekonomisë e kauzave sociale në Kosovë.

Gjatë bisedës inspiruese, Kelmendi nuk la pa përmendur se ka qenë problem në fillim krijimi i një emisioni si RUBIKON, por me mysafirët e parë të ftuar ai ka goditur dhe sot emisioni gëzon një reputacion në mesin e shqiptarëve.

IMG_0335

“Në fillim e ftova Fis Abrashin dhe Rexhep Selimin, në dy emisionet e para. Më pas i ftova edhe figurat tjera të njohura të politikës asokohe dhe duket se e nisëm mbarë emisionin. Sot emisioni është tri herë në javë dhe kjo ka bërë që angazhimi të rritet. Megjithatë nëse njerëzit më pyesin se cilat janë mendimet e vërteta të Adriatikut, më mirë u them ta lexojnë Kohën Ditore dhe shkrimet e mia çdo javë sesa emisionin” ka mes tjerash Kelmendi.

“EU INSPIRATIONAL TALKS” do të vazhdojë me mysafirë të tjerë.