Prill 12, 2019 | Friday

Bisedë inspiruese me artistin Alban Muja

Në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, me 11 prill u mbajt biseda e radhës inspiruese, kësaj here me artistin Alban Muja.

Në kuadër të #EUInspirationalTalks, artisti Alban Muja tregoi për karrierën e tij dhe për mënyrën se si e ka ndërtuar këtë karrierë artistike.

57272192_440010266765815_6158551372351406080_n

“Kam nisur fillimisht me rezidencat artistike të cilat më kanë ndihmuar shumë për kontakte dhe për krijimin e rrjetit. Sot, më pak besoj në inspirim por më shumë besoj në hulumtim të gjatë për projektet e mia artistike” tregoi mes tjerash Muja.

Ai ka folur gjatë bisedës inspiruese edhe për artin e tij, duke thënë se nuk i pengon nëse njerëzit e shohin këtë art si art politik, edhepse ai nuk e koncepton si të tillë.

Në fillim të muajit maj, Alban Muja do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venecias në Itali.

Credits: MuseumsQuartier Wien

Credits: MuseumsQuartier Wien

“Do të përfaqësoj Kosovën me projektin që ka të bëjë me luftën dhe me fotografitë si kujtim të luftës që e përjetuam jo shumë vite më parë. Është përgjegjësi e madhe sepse e përfaqësoj edhe shtetin dhe është një Bienale e madhe dhe e respektuar. Projekti ka të bëjë me albumin familjar, si element të cilit i kthehemi gjithmonë” tregoi Muja.

Biseda u moderua nga Arbër Selmani, pjesë e EUICC.