Mars 29, 2019 | E premte

Share This Post With:

Bisedë inspiruese me Krenare Lleshin – bursiste e Chevening Scholarship

Bisedat Inspiruese kanë vazhduar në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, këtë muaj me Krenare Lleshin – bursiste e Bursës Chevening.

Përkrah Vjosa Berishës nga EUICC, Krenare Lleshi e ka treguar rrëfimin e saj mbi aplikimin në këtë bursë prestigjioze e cila synon fuqizimin e studentëve nga Kosova dhe kthimin e tyre në Kosovë për të implementuar këtë njohuri dhe këtë edukim të fituar në Angli.

IMG_0502

Lleshi, një prej fitueseve të kësaj burse, ka treguar kësisoj për Chevening dhe për faktin se ajo ka mësuar shumë në Angli gjatë studimeve të saj në Nottingham dhe se gjatë kohës atje ka mësuar shumë mbi aspektin teorik të përdorimit të teknologjisë në mësimdhënie, fusha të cilën ajo e ka studiuar.

“Më vjen mirë që kam studiuar në Angli, me anë të bursës Chevening e cila më ka dhënë mundësi të pafundme në fushën e arsimit. Unë para shkuarjes në Angli kam pasur përvojë të punës si mësimdhënëse, pasi kjo është një prej kritereve të Chevening – që të kesh përvojë pune dhe punë vullnetare poashtu në Kosovë paraprakisht” ka treguar Lleshi.

Studimet e saj në Angli kanë zgjatur 1 vit, ndërsa ajo e ka përfunduar vijimin e bursës me notën më të lartë dhe në një kohë rekord, me një vizion edhe për kthimin e saj në Kosovë.

IMG_0509

Sot Lleshi punon në Karitasin Zviceran. Krenarja gjatë bisedës inspiruese ka treguar se shkollat në Kosovë çdo ditë e më shumë duhet të anojnë kah përdorimi i teknologjisë nëpër shkolla, meqë kjo e bën edhe procesin arsimor më atraktiv.

“Sot më nuk është sfidë gjetja e informatës, por cila informatë është e saktë. Krahas zhvillimit të botës, edhe arsimi dhe të mësuarit janë zhvilluar me kohën. Edhe në Kosovë sot ka një kurrikulë të re, janë ndërru edhe kërkesat prej mësimdhënësve dhe nxënësve” tregon Lleshi.

Ajo thotë se tek nxënësi në Kosovë duhet të ushqehet sa më shumë kureshtja dhe përdorimi i saktë dhe produktiv i teknologjisë. Vetë Lleshi ka punuar më përpara në një shkollë private në Kosovë e cila ka pasur përdorim të madh të teknologjisë brenda objektit.

IMG_0514

“Do të provoj që edhe në shkollat në Kosovë ta transferoj njohurinë të cilën e kam marrë gjatë studimeve me anë të bursës Chevening, sepse mendoj se përdorimi i teknologjisë dhe trendeve të reja mund të ndihmojnë në mësimnxënie” tha mes tjerash Lleshi.

Kjo ishte bisedat e dytë inspiruese në EUICC, pas asaj me Adriatik Kelmendin muajin e kaluar.