Shkurt 26, 2024 | Monday

Ekspozita “Buqetë zemrash” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë

“Buqetë Zemrash prezanton 30 piktura nga arti ‘Ebru’, mënyrë tradicionale e artit turk e pikturimit në ujë dhe shëmbëllimit në letër. Pikturat janë punuar në disa teknika por ajo që i i bën më të veçanta ato është se janë punuar nga 16 nëna të fëmijëve me aftësi të kufizuara të sfiduara në jetë me sfida të rënda e jetëgjata, me dhimbje në zemër, me përballjen që nuk është aspak e lehtë, ne gjetëm guxim të shpërfaqim ndjenjat tona në pikturë”, tha Mimoza Bytyqi Rrahmani, në fjalimin hapës të ekspozitës “Buqetë Zemrash” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.

Ekspozita “Buqetë zemrash” e hapur më 29 janar shpalos 30 punë të punuara nga 16 nëna të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë. Për tre muaj rresht, teksa fëmijët e tyre pranonin shërbime të ndryshme në qendrën HANDIKOS, ato u trajnuan për teknikën e artit “Ebru”. 

Ndër shumë figura të pranishme në hapje të ekspozitës, AnnaCarin Platon nga Zyra e BE në Kosovë tha se ishte shumë e lumtur që po merr pjesë në hapjen e kësaj ekspozite, duke theksuar këmbënguljen e BE-së për të ofruar mbështetje për personat me aftësi të kufizuar në Kosovë, “BE ka mbështetur dhe do të mbështesë organizatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, , “Jam shumë e lumtur që jam këtu… BE-ja ka dhënë ndihmë për personat me aftësi të kufizuara për të arritur dhe përmirësuar qasshmërinë e gjithë shoqërisë dhe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuara”.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka treguar këtë këmbëngulje për mbështetje ndaj përpjekjeve për përmirësim të gjendjes së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë, përmes projektit “Kosova Gjithëpërfshirëse” përbrenda së cilit, HANDIKOS ka arritur të avancojë gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë përmes punës avokuese me institucione shtetërore si dhe punës së drejtpërdrejtë me organizatat përfaqësuese të personave me aftësi të kufizuara si dhe drejtpërdrejt me personat me aftësi të kufizuara. Duke përmendur sukseset dhe nevojën për vazhdimësi të përpjekjeve të këtilla, Afrim Maliqi, drejtues i HANDIKOS tha se përkundër punës që është bërë deri më tani, megjithatë situata në terren mbetet sfiduese për personat me aftësi të kufizuara, me vetëm 12% të fëmijëve me aftësi të kufizuara që kanë qasje në edukim dhe barra më e madhe për përkujdesjen ndaj tyre bie mbi prindërit, sidomos mbi nënat e këtyre fëmijëve. 

Aida Fekaj, një nga nënat krijuese të ekspozitës “Buqetë zemrash”, duke përmendur rëndësinë e aktiviteteve të tilla socializuese për nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, tha se si nëna, pa marrë parasysh vështirësitë me të cilat ato ballafaqohen çdo ditë duke qenë kujdestare primare të fëmijëve me aftësi të kufizuara, kjo përvojë ka qenë e jashtëzakonshme, “Jemi njoftu me një art që unë si nanë nuk kam qenë e njoftuar më herët, një art shumë i bukur që flet edhe me emocion në mënyrën e punimit,” tha ajo.

Në punëtorinë tre mujorëshe për mësimin e teknikës së pikturimit përmes artit “Ebru” kanë marrë pjesë edhe nënat anëtare të grupit avokues të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, Fidajete Shala Pllana e Mimoza Rrahmani Bytyqi. Të dyja të pranishme në hapjen e ekspozitës, përmendën rëndësinë e mundësive të këtilla për prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, sidomos nënat, për të cilat kjo përvojë ishte mbresëlënëse. Takimet ndërmjet nënave përgjatë kësaj punëtorie, Shala Pllana e përshkruan si takim shumë emocional që ofroi hapësirë për ndarje e shkëmbim të përvojave të ndryshme por edhe përkrahje sociale e emocionale për njëra tjetrën. Një përvojë e tillë është e domosdoshme për nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara që rriten në Kosovë, duke pasë parasysh telashet me të cilat ato ballafaqohen të cilat fillojnë nga gjendja infrastrukturore jomiqësore për persona me aftësi të kufizuara deri tek mosqasja në shërbime adekuate shëndetësore e arsimore. 

Rrahmani-Bytyqi e cila e ka titulluar ekspozitën “Buqetë zemrash” tha se të gjitha nënat pjesëmarrëse kanë dhënë shumë prej vetes dhe se ky titull simbolizon nevojën e këtyre nënave për përkrahje por në anën tjetër është edhe mishërim i forcës, guximit e mbi të gjitha dashurisë së madhe që buron prej zemrave të këtyre nënave.